Ndërlidhjet

RRETH 25 MIJË CIVILË TË VRARË NË LUFTËN NË IRAK


Një analizë e pavarur britanike, që u publikua të martën, thotë se rreth 25 mijë civilë e kanë humbur jetën në Irak prej fillimit të luftës në mars 2003.
Raporti i cilëson luftëtarët e huaj si fajtorë për mbi një të tretën e viktimave. Por gjithashtu tregon se një numër i madh i civilëve janë vrarë nga kryengritësit, nga shpërthimet e automjeteve dhe kriminelët.
Të dhënat u grumbulluan nga qendra londineze për evidentimin e viktimave në Irak dhe Grupi Kërkues i Oksfordit. Ato tregojnë se gjithsejt 24.865 civilë janë raportuar të vrarë në këto dy vjet, prej fillimit të invazionit në Irak në 20 mars 2003 deri më 19 mars 2005. Gjatë së njëjtë periudhë raportohet se janë plagosur 42.500 civilë.
Kjo do të thotë se prej fillimit të luftës, mesatarisht, në një ditë janë vrarë 34 irakienë dhe janë plagosur 58.
Për dallim nga studimet e mëparshme, të cilat japin bilanca edhe më të mëdha, studimi i fundit nuk i përfshin viktimat në radhët e ushtrisë apo vdekjet e shkaktuara nga sëmundjet, infektimet apo aksidentet.
Njëri nga autorët e studimit Hamit Dardagan, u prononcua për Evropën e Lirë, lidhur me metodologjinë e përpilimit të raportit.
"Raporti është i bazuar në analizat tona, të cilat i bëjmë vazhdimisht prej fillimit të luftës. Kemi bërë mbi 10 mijë raporte. Ky i fundit është më gjithëpërfshirës. Më parë jepnim detaje për mënyrën e vrasjes, por tani sqarojmë se kush janë të vrarët, kush i vrau, sa janë plagosur dhe të tjera", thotë Dardagan.
Në 26 faqet e raportit jepen të dhëna për moshën, gjininë dhe profesionin e civilëve të vrarë, që janë regjistruar prej fillimit të luftës. Në mesin e viktimave, 18% janë gra dhe fëmijë, ndërsa çdo e 200-ta viktimë ishte foshnje.
Në bazat kryesore të kryengritësve, Bagdad dhe Fallujah, u regjistruan 11.300 respektivisht 1.900 viktima civile. Banorët e Fallujas paguan kosto veçanërisht të lartë gjatë dy sulmeve të ushtrisë amerikane në prill dhe nëntor 2004.
Studimi tregon se forcat e koalicionit kanë qenë përgjegjëse vetëm për një të tretën e viktimave civile. Por 74% e këtyre vdekjeve ndodhën në fazën fillestare të luftës, e cila përfundoi në 1 maj 2003.
Administrata amerikane ende nuk ka reaguar ndaj publikimit të raportit. Britania, trupat e së cilës qendra i ngarkon për 86 viktima civile, ka mohuar të komentojë, duke thënë se vdekja e civilëve është "gjë e tmerrshme".
Qeveritë amerikane dhe britanike disa herë i kanë theksuar vështirësitë për të siguruar të dhëna të sakta për viktimat në radhët e civilëve, por Dardagan thotë se mund të bëhet të paktën një llogari e përafërt e të vrarëve.
"Ata thonë se është e pamundur të sigurohen të dhëna të sakta dhe të përsosura. Mund të jetë kështu, por ne treguam se mund të sigurohen shumë informata, nëse jeni të gatshëm t'i grumbulloni", thotë Dardagan.
Për dallim nga qeveritë amerikane dhe britanike, autoritetet e Irakut në Bagdad i kanë evidentuar viktimat civile prej vitit 2004, por Dardegan thotë se Ministria irakiane e Shëndetësisë nuk jep informata, që të shmangë përgjegjësinë e forcave të koalicionit.
"Çështja e vdekjes dhe plagosjes së civilëve irakianë i turpëron qeveritë, të cilat duan që Irakun ta bëjnë një vend më të mirë për të jetuar, kurse neve na thanë se kanë për qëllim që vendi të jetë i lirë dhe më i sigurtë. Por, për disa civilë, kjo nuk doli ashtu", përfundon Dardagan.

XS
SM
MD
LG