Ndërlidhjet

logo-print

GAZETARËT AMERIKANË KËRKOJNË T'I MBROJNË ME LIGJ BURIMET E TYRE


Andrew Tully

Kongresi i Shteteve të Bashkuara po e shqyrton projektligjin e njohur si "ligji i mburojës", i cili do t'u mundësojë gazetarëve që të mos e zbulojnë identitetin e burimeve të tyre anonime.
Seanca dëgjimore në Komitetin e Senatit për Drejtësi u mbajt pasi Judith Miller, gazetare e New York Times, u arrestua sepse kishte refuzuar t'ua tregojë burimin e saj zyrtarëve, të cilët hetojnë zbulimin e identitetit të një ish agjenti të CIA-s.
Ligje të tilla mbrojtëse kanë 31 shtete, por ato nuk zbatohen në raste federale.
Të mërkurën, para Komitetit për Drejtësi, disa dëshmitarë folën për nevojën e këtij projektligji, i cili kundërshtohet nga administrata e presidentit George Bush.
Nëntë dëshmitarë u paraqitën para komitetit. Në mesin e tyre kishte gazetarë, avokatë të mediave, madje dhe anëtarë të Kongresit. Por dëshmitari, të cilin të gjithë donin ta shihnin, nuk ishte aty. Zëvendësprokurori i përgjithshëm James Comey ishte larguar për arsye të tjera urgjente, por zyra e tij lëshoi një deklaratë, ku thuhej se nëqoftëse ligji miratohet, atëherë "qeveria do ta ketë të ndaluar të sigurojë informata nga burimet mediatike, madje edhe për çështjet më urgjente, që kanë të bëjnë me shëndetin publik apo sigurinë kombëtare".
Por një dëshmitar tjetër u paraqit. Senatori demokrat Christopher Dodd, bashkautor i projektligjit, tha se nëqoftëse argumentet e qeverisë janë të vërteta, atëherë edhe shtetet që tashmë kanë miratuar ligje të ngjashme, do të duhej të shihen si "kërcënim për sigurinë publike", gjë që nuk është ashtu. Ai e veçoi shtetin Indiana, i cili në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve përfaqësohet nga republikanët Richard Lugar dhe Michel Pence.
"Indiana, të cilën e përmendi kolegu im Richard Lugar, ka mbrojtje absolute të gazetarëve nga zbulimi i detyruar i informatave në gjykatë. Por, nuk mendoj se në Indianë siguria publike dallohet nga shtetet e tjera", tha senatori Dodd, duke shtuar se ligji nuk do t'i lejojë gazetarit të mos e zbulojë burimin në rast të ndonjë kërcënimi kombëtar.
Në seancë dëshmoi edhe Matthew Cooper nga revista amerikane Time. Ashtu si Miller, ai u bë gati të shkojë në burg, sepse kishte refuzuar t'i dëshmojë CIA-s në rastin e lartpërmendur, por më pas burimin ua zbuloi hetuesve federalë.
"Duhet t'i qartësojmë disa punë. Duke punuar si gazetar, dua të di më shumë se çfarë mund të premtoj e çfarë jo. Nga kjo do të përfitoja si gazetar, por do të përfitonin edhe ata, të cilët duan të flasin me mua, me qëllim që opinioni të jetë i informuar drejtë", tha Cooper.
Sipas propozuesve, përfitimet nga ligji do të dalin jashtë kufijve të Shteteve të Bashkuara. Ann Cooper është drejtore ekzekutive e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
"Vërtetë do të ketë ndikim global, sepse kur bëhet fjalë për lirinë e shtypit, bota i sheh Shtetet e Bashkuara si standard. Ne kemi tradita më të gjata në lirinë e shtypit, por nëse ato ndrydhen, ndikimi do të shtrihet në mbarë botën. Regjimet autoritare do të thonë "mos na shihni neve, por shihni se çfarë po ndodh në Shtetet e Bashkuara", thotë Cooper.
Argumentin e ngjashëm e paraqiti edhe senatori Richard Lugar, duke thënë se ligji do të ketë "pasoja pozitive demokratike" jashtë vendit.
"Së fundi, Reporterët Pa Kufij raportuan se 107 gazetarë janë në burg në mbarë botën: 32 në Kinë, 21 në Kubë dhe 8 në Burmë. Kjo nuk është mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha senatori Lugar.
Por siç u bë e qartë nga njoftimi i zëvendës prokurorit, administrata e presidentit George Bush e kundërshton ligjin. Sidoqoftë, projektligji nuk do të votohet shpejt në komitetin, sepse ai tani është i angazhuar me seancat dëgjimore lidhur me të nominuarin e presidentit Bush për vendin e zbrazët në Gjykatën Supreme.


XS
SM
MD
LG