Ndërlidhjet

FORUMI POLITIK VENDOSI TË FORMOJË KATËR GRUPE PËR PËRGATITJEN E BISEDIMEVE PËR STATUSIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Forumi politik i Kosovës, i cili mbledh në vete presidentin dhe katër përfaqësuesit më të lartë të partive kryesore politike, ka vendosur sot që të formojë katër grupe punuese për përgatitjen e bisedimeve për statusin e Kosovës. Këto katër grupe punuese janë propozim i Sekretariatit të Forumit, ku bëjnë pjesë grupi për kushtetutë dhe çështje juridike, ai për ekonomi, grupi për pakicat dhe ai për monumentet kulturore. Ndërkohë që është propozuar dhe formimi i grupit të pestë, respektivisht atij për të pagjeturit e luftës dhe dëmet që i janë shkaktuar Kosovës gjatë luftës së fundit.
Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, tha se me formimin e këtyre grupeve, që pritet të ndodhë gjatë dy javëve të ardhshme, Prishtina po përgatitet seriozisht për procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës:
“Janë identifikuar çështjet kryesore në kuadër të përgatitjeve për statusin, kurse brenda dy javëve Sekretariati do t’i zgjedhë dhe ekspertët, të cilët do t’i udhëheqin këto grupe punuese që do të përgatisin platformën për bisedime”, theksoi Jessen Petersen.
Në anën tjetër, presidenti Ibrahim Rugova tha se ai ka preferuar vazhdimisht njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës, por formimi i këtyre grupeve, sipas tij, është nevojë e përgatitjeve edhe për mundësitë e tjera, respektivisht për bisedime në lidhje me statusin:
“Kryesore është që u morëm vesh që të jenë këto grupe të ekspertëve për çështje të ndryshme, e unë i quaj dokumente përcjellëse, nëse do të ketë negociata për pavarësinë e Kosovës, ndërsa unë insistoj për një njohje të drejtpërdrejtë, por ne gjithsesi do të bëhemi gati për të gjitha çështjet”, tha Rugova.
Ndërkohë, kryetari i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike, Hashim Thaçi, tha se kosovarët nuk mund të jenë shumë optimistë se do të ketë njohje të drejtpërdrejtë të pavarësisë, dhe se formimi i grupeve për statusin tregon se Kosova po hyn në bisedime, tha ai. Sidoqoftë, tha Thaçi, në fund procesi duhet të rezultojnë me pavarësinë e Kosovës. Thaçi kërkoi dhe një përfshirje më të gjerë të ekspertëve dhe financimin e tyre nga ana e buxhetit të Kosovës:
“Financimi për punën e këtyre grupeve punuese të partive politike, të ekspertëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë që do të përfshihen, e veçanërisht është e mirëpritur ardhja e ekspertëve që kanë qenë me ne gjatë kohës së konferencës në Rambuje, pra kjo barrë të bartet tek buxheti i konsoliduar i Kosovës”, tha Hashim Thaçi. Kurse nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kolë Berisha, tha se Sekretariati do të propozojë, kurse vendimi përfundimtar për ekspertët do të merret në nivelin politik të Forumit:
“Është menduar që emrat për anëtarë të grupeve punuese t’i propozoë Sekretariati e pastaj ata t’ia kalojë Forumit. Grupet punuese do të fillojnë së shpejti të punojnë për shkak të natyrës së punës që e kanë tani dhe përgatitjeve që bëhen për statusin përfundimtar të Kosovës”, pohoi Berisha.
Kryetari i partisë së dytë opozitare, Ora, Veton Surroi, tha se përveç harmonizimit të qëndrimeve për katër grupe punuese, propozimi për grupin e pestë është mëse i arsyeshëm dhe duhet të miratohet gjithashtu:
“Propozuam edhe një grup punues i cili duhet të shqyrtohet, e ky është për pengjet e luftës dhe dëmet e luftës, sepse edhe kjo çështje duhet të jetë pjesë e procesit negociator, dhe shpresojmë që në Sekretariat së shpejti të kemi rezultate konkrete për sa i përket përbërjes së këtyre, shpresoj pesë grupeve punuese”, tha Surroi.
Në takimin e sotëm të Forumit, kryeadministratori Petersen e ka njoftuar lidershipin e Kosovës dhe për bartjen e kompetencave te kosovarët në fushën e sigurisë dhe drejtësisë. Në këtë çështje është përqëndruar nënkryetari i AAK-së, Naim Maloku, i cili tha se kjo është një fazë e rëndësishme për Kosovën duke pasur parasysh rëndësinë që ka stabiliteti dhe siguria në Kosovë:
“Do të jemi të përkushtuar që këto kompetenca të barten dhe u bisedua edhe për mundësinë e krijimit të një komisioni në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që ai komision të jetë funksional për Ministrinë e ardhshme të Punëve të Brendshme apo të Rendit, siç do të merremi vesh që do të emërohet”, tha Maloku.
Ky ishte takimi i tretë i Forumit të Kosovës i formuar me qëllim të arritjes së konsensusit të përgjithshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës, në lidhje me interesat e Kosovës në prag të bisedimeve për statusin e saj.

XS
SM
MD
LG