Ndërlidhjet

KUVENDI DISKUTOI PËR ÇËSHTJEN E TË PAGJETURVE TË LUFTËS


Bekim Bislimi, Prishtinë

Seanca e sotme parlamentare në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar me debatin lidhur me çështjen e personave të pagjetur. Në emër të qeverisë së Kosovës, kryeministri Bajram Kosumi ka paraqitur para deputetëve, informatat lidhur me angazhimin e qeverisë për zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur dhe ka theksuar se qeveria, ndonëse me mundësi të kufizuara, do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet për zbardhjen sa më të shpejtë të fatit të personave të pagjetur. Ai ka theksuar se presioni i fuqishëm dhe i vazhdueshëm ndaj qeverisë së Beogradit, do të ndikonte për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
"Edhe sot nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, u bëj thirrje faktorit ndërkombëtar dhe qendrave të vendosjes, që të bëjnë çfarë është e mundur për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur, në radhë të parë duke e shikuar këtë çështje si një akt humanitar, për hir të familjeve që ende po i vuajnë pasojat, për hir të ndërtimit të një perspektive më të ndritur në Kosovë dhe në vende të tjera në rajon".
Deputeti Ragip Zekolli, kryesues i grupit negociues të palës kosovare në biseda me palën serbe për çështjen e personave të pagjetur, ka theksuar se statusi i personave të pagjetur si dhe i familjeve të tyre duhet të përcaktohet me ligj.
Ndërkaq, sipas tij, për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, nevojitet hartimi i një strategjie.
"Hartimi i strategjisë së përbashkët, ku do të përfshiheshin të gjithë akterët që mund të merren me këtë çështje, presioni më i madh i gjithë këtyre faktorëve përmes bashkësisë ndërkombëtare mbi qeverinë e Beogradit për përfundimin e këtij procesi, janë të domosdoshme, ashtu si dhe fakti që kompetencat e rezervuara për këtë çështje kaq të rëndësishme dhe të dhimbshme, të kalojnë në duart e vendorëve."
Kryetari i partisë Ora, Veton Surroi, theksoi se çështja e personave të pagjetur është, siç tha ai, kryekëput politike dhe s'do të përcaktojë statusin politik të Kosovës. Ai ka kërkuar që kryeministri i Kosovës të autorizohet nga Kuvendi, që çështjen e personave të pagjetur ta vërë si pikë të parë në bisedimet politike me Serbinë.
"Kosova ka qenë në një luftë të pashpallur me Serbinë, por duhet ta nënshkruajë një paqe me Serbinë. Kosova nuk mund të nënshkruajë paqe me Serbinë, me pengje lufte. Kjo është çështja thelbësore të cilën duhet ta thotë ky Kuvend".
Nysrete Kumnova, kryetare e komisionit qeveritar për personat e pagjetur, ka theksuar se egziston mundësia që, siç tha ajo, në burgjet sekrete në Serbi, të ketë ende të pagjetur të gjallë, të cilët mbahen peng.
"Ne mendojmë se në burgjet ushtarake të Serbisë ka të gjallë. Mirëpo deri më sot askush nuk i ka zbuluar, apo nuk dëshirojnë t'i zbulojnë këto vende. Ne si familjarë kërkojmë që të dilet me fakte konkrete dhe zyrtare për gjetjen e atyre që na mungojnë dhe të lihen pazarllëqet dhe bizneset me më të dashurit tanë".
Ndërkaq, përfaqësuesi i minoriteteve joserbe, deputeti Xhezair Murati, ka theksuar se edhe nga komuniteti boshnjak është një numër i të pagjeturve.
“Nga bashkësia boshnjake, të cilës i takoj edhe unë, kemi të dhënat për 33 persona të cilët janë zhdukur pas luftës”, tha deputeti Murati, duke shtuar se megjithë kërkesat e familjarëve të këtyre personave që administrata ndërkombëtare ,por edhe institucionet e Kosovës të interesohen për fatin e tyre, kjo deri më tash ende nuk është bërë.
Në fund të seancës së sotme parlamentare, kryetar i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka shprehur mendimin se egziston konsensusi në mes forcave politike në Kuvend, lidhur me çështjen e personave të pagjetur.
"Por duhet të jetë mençuri që të kontribuojmë e ta shkurtojmë rrugën e vuajteve dhe të marrëzive, që po i lejojmë bashkarisht me bashkësinë ndërkombëtare, që në doza sa të dojë ai që e shkatërroi të gjithë Kosovën, të na sjellë kufomat në merdare", tha zoti Daci.
Sidoqoftë, pas debatit të sotëm parlamentar lidhur me çështjen e personave të pagjetur, zoti Daci theksoi se do të krijohet një rezolutë ose deklaratë, si dokument i cili, në seancën e nesërme parlamentare, do t'u paraqitet deputetëve për t'u miratuar.



XS
SM
MD
LG