Ndërlidhjet

PRIZREN: PËRPARIM NË FUSHËN E SIGURISË DHE LIRISË SË LËVIZJES


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Prizreni është një qytet, që për nga multietniciteti dhe marrëdhëniet ndëretnike, është shembull se si duhet të duket e ardhmja e Kosovës, ka deklaruar shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg. Fjalët e tij i ka vërtetuar edhe Fatmir Pireci, zëdhënës i komunës, sipas të cilit fjalët e zotit Goldberg nuk kanë qenë kurtoazi ndaj mikpritësve, por e tillë është gjendja reale.
"E kanë parë realitetin në Prizren", tha zoti Pireci, duke shtuar se lëvizja e njerëzve është e lirë pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.
Drejtori i zyrës për komunitete lokale, Bedrija Ejupagiq, thotë se në Prizren është bërë shumë në drejtim të lirisë së lëvizjes dhe kthimit të të zhvendosurve.
"Lirisht mund të them se liria e lëvizjes në qytetin e Prizrenit është e kënaqshme," tha zoti Ejupagiq, sipas të cilit, çdo ditë e më shumë ka të kthyer, si dhe vizitorë që vijnë pa përcjellje për të parë shtëpitë dhe banesat e tyre dhe shëtisin lirshëm nëpër Prizren.
Sot në një mbledhje të veçantë për miratimin e projektit të kthimit të të zhvendosurve, ka ardhur një grup serbësh.
Stanislav Stajkoviq, dikur drejtor i Elektro Kosovës në Prizren, e tani përfaqësues i serbëve të zhvendosur, është në mesin e atyre që kanë ardhur të bisedojnë për kthimin në këtë qytet.
"Kemi ardhur për të përkrahur dhe prezantuar letrën për kthim dhe deri tani janë 30 shtëpi që duhen ndërtuar, ndërsa janë mëse 100 persona që janë paraqitur për t'u kthyer," tha Stajkoviq.
Dragoljub Stankoviq, shef i zyrës së një OJQ-je nga Brezovica, thotë se organizata e tij ka patur një projekt për kthimin e 30 familjeve në Prizren.
"Projekti është miratuar me disa vërejtje nga Komisariati për refugjatë dhe këto vërejtje sigurisht që do të futen në këtë koncept," tha Stankoviq duke shpjeguar se tani pritet kthimi i familjeve në vetë qytetin e Prizrenit. Ai thotë se egziston një disponim për kthim në qytet. Këtë dëshirë për kthim e konfirmon edhe Slavica Gjeorgjeviq.
"Disponimi për t'u kthyer është i madh, pasi të jesh refugjat në ndonjë mjedis të ri është një ndjenjë e zymtë," tha zonja Gjeorgjeviq, duke shtuar se situata në Prizren është më e mira sesa në vendet e tjera të Kosovës.
Ljubisha Jevtiq, që ka lindur në Prizren, e tani jeton në Serbi, thotë se kushtet e sigurisë, si parakusht kryesor për kthim janë gjithnjë e më të mira.
"Mendoj se situata po përmirësohet përditë dhe mund të krijohen kushte reale për kthimin e serbëve në Prizren," mendon Jevtiq.
Mirëpo problemi kryesor edhe në vendbanimin për kthim është papunësia.
Bedrija Ejupagiq, nga zyra për komunitete në Prizren, thotë se papunësia është problem edhe për popullatën shumicë, por edhe për pakicat, edhe pse të kthyerve po u krijohen më shumë privilegje për të patur një kthim të qëndrueshëm.
"Një i kthyer në fshatin Bogoshticë, që është në profesion mekanik, këto ditë ka marë material për punë dhe ka mjaft punë", tha zoti Ejupagiq.

XS
SM
MD
LG