Ndërlidhjet

PETERSEN NËNSHKROI SOT DOKUMENTIN PËR FILLIMIN E ZBATIMIT TË PILOT-PROJEKTEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen ka nënshkuar sot pasdite direktivën administrative për pilot komunat, sipas të cilës do të jenë pesë pilot njësi komunale, të cilat brenda vetes mund të përfshijnë edhe fshatra të tjera, ndërkohë që kufijtë e tyre do të përcaktohen nga shefi i UNMIK-ut. Kështu thuhet në deklaratën e lëshuar nga UNMIK-u pas nënshkrimit të direktivës administrative nga zoti Petersen. Zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh tha se direktiva për njësitë provuese komunale tashmë është nënshkruar:
"Pas konsultimeve me qeverinë, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka lëshuar sot direktivën administrative për pilot-projektet, sipas rregullores së UNMIK-ut për pushtetin lokal," tha zëdhënësi Singh, sipas të cilit dokumenti i nënshkruar sot parasheh që secila nga fshatrat, ku do të testohet reforma e pushtetit lokal, do të mund të kenë brenda vetes edhe fshatra të tjera:
"Kjo direktivë përcakton që një njësi provuese komunale mund të përmbajë në vete një e më shumë zona kadastrale dhe kjo është ajo që zoti Petersen e ka thënë, se pilot komuna nuk duhet të kufizohet në vetëm një zonë kadasatrale," tha zoti Singh, ndërkohë që sipas këtij përcaktimi Graçanica, për shembull, do të mund të ketë brenda territorit të saj administrativ edhe Llapnasellën apo Çagllavicën, apo Juniku, mund të marrë edhe ndonjë fshat tjetër të rrethinës.
Megjithatë, kufijtë komunalë ende nuk janë përcaktuar, tha Singh:
"Direktiva përmend se kufijtë territorialë të secilës nga njësitë provuese komunale, do të përcaktohen nga shefi i UNMIK-ut, sipas rekomandimeve të Ministrit të Pushtetit Lokal," tha zëdhënësi Neeraj Singh.
Në anën tjetër qeveria e Kosovës ka vazhduar të mbetet në qëndrimet e mëhershme, që secili nga fshatrat që janë përcaktuar për fazën testuese të pilot-projekteve, duhet të shkojë në projekt i vetmuar si një zonë e vetme kadastrale dhe jo bashkë me zona të tjera. Daut Dauti, zëdhënës i qeverisë tha sot se megjithatë, vendimi përfundimtar i mbetet shefit të UNMIK-ut.
Përcaktimi për më shumë se një zonë kadastrale qe bërë e qartë të mërkurën gjatë vizitës së përfaqësueist të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Javier Solana, i cili kërkoi më shumë hapësirë për serbët në kuadër të decentralizimit, ndërkohë që edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thanë se nëse miratoheshin pilot-projektet me vetëm nga një zonë kadastrale, ata do të braktisnin punën e grupit punues për decentralizimin.
XS
SM
MD
LG