Ndërlidhjet

FERHAT DINOSHA: KËRCËNIMET JANË PËRPJEKJE PËR TË INSTRUMENTALIZUAR SHQIPTARËT NË MAL TË ZI


Është raportuar se organizata joqeveritare nga Podgorica, Korpusi serb u ka dërguar kërcënime dy deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi, Ferhat Dinosha dhe Mehmet Bardhi. Duke komentuar këto kërcënime, Ferhat Dinosha, nga Unioni Demokartik i Shqiptarëve, thotë pos tjerash, se "nuk ka subjekt serioz politik, i cili do të rrinte pas përmbajtjes e cila është në letër. Mendoj se këto forca janë të vetmuara në Mal të Zi, mirëpo kur flitet për një organizatë joqeveritare, atëhere do të jenë të nevojshëm edhe hapa konkretë, që do të tregojnë se në Mal të Zi nuk do të kenë hapësirë".

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dinosha çfarë thuhet në kërcënimet që ju ka dërguar organizata Korpusi serb, e që janë nënshkruar nga kryetari i saj, Bllagoje Tapushkoviq?

FERHAT DINOSHA
Për të mos e detajizuar, unë kisha thënë në përgjithësi se në këtë letër, e cila ka arritur në adresën e dy kryetarëve të partive shqiptare, në adresën time dhe të zotit Mehmet Bardhi, përmbajtja është plot kërcënime, plot urrejtje, plot terr. Në këtë letër shqiptarët quhen të egër, amerikanët quhen kriminelë e kështu me rradhë. Unë kam mundur të supozoj që në Mal të Zi ende ka individë ose grupe joformale të cilët jetojnë në terr, ose thënë më mirë, në të cilët jeton terri. Por kur kjo arrinë nga një organizatë joqeveritare me vulë, me nënshkrim, atëherë kjo flet për diçka tjetër. Mendoj se shteti i Malit të Zi duhet të jetë ai i cili do të dijë dhe do të dojë t'i përgjigjet një kërcënimi dhe një provokimi të tillë. Nuk është hera e parë që në adresën e liderëve të partive shqiptare arrijnë gjëra të tilla. Ne i kuptojmë këto. Këto janë përpjekje, tentime për të instrumentalizuar shqiptarët në Malin e Zi, sa herë që ka procese të rëndësishme politike në këtë shtet. Ne e dimë se ky vit është shumë i rëndësishëm për Malin e Zi, shumë i rëndësishëm për rajonin. I dimë çështjet, i dimë situatat. E dimë se ka forca, që duan me çdo kusht t'i instrumentalizojnë shqiptarët për qëllimet e veta të errëta, që do të shkonin në dëm të shqiptarëve jo vetëm në Mal të Zi, që do të shkonin në dëm të shtetit të Malit të Zi. Por ne kemi ditur edhe më pare dhe do të dimë t'u përgjigjemi provokimeve të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Si keni reaguar ju ndaj këtyre kërcënimeve dhe në përgjithësi subjektet politike shqiptare dhe ato të Malit të Zi?

FERHAT DINOSHA
Unë shoh se sot mediat në Mal të Zi janë plot shkrime për këtë çështje. Ka gazeta që japin letrën, e cila na ka ardhur. Unë kam thënë se personalisht kjo nuk më shqetëson shumë, për arsye se siç thashë nuk është hera e parë që mora diçka të tillë. Mirëpo nëse shteti i Malit të Zi toleron që dikush që është i regjistruar si organizatë joqeveritare, të merret me diçka të tillë, atëhere kjo do të ishte më e rrezikshme. Gjithsesi kam bindjen se shteti do të reagojë. Tashmë kam marrë një shkresë të prokurores supreme të Malit të Zi, zonjës Medenica, e cila kërkon që t'i dorëzohet letra, që na ka arritur dhe unë tashmë e kam bërë këtë gjë. Pra mendoj se shteti i Malit të Zi nuk do t'u japë më hapësirë forcave të tilla dhe do t'u tregojë qartë se, dikush që kërkon ti kthejë proceset prapa, dikush që kërkon të krijojë situata që do të dëmtonin, jo vetëm shqiptarët në Mal të Zi, por dhe proceset e gjithëmbarëshme të demokratizimit të Malit të Zi, nuk do të ketë shans të ketë hapësirë në Mal të Zi. Shqiptarëve u kemi drejtuar apel që të jenë të qetë, që të mos bien në grackat e forcave që duan të na shohin ndryshe. Ne do të dimë të sillemi sepse kemi ditur të sillemi dhe në kohë më të vështira dhe mendoj dhe jam optimist që forcat e tilla nuk do të kenë hapësirë në Mal të Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë letër kërcënuese përmendet çështja e Kosovës, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja e gjëra të tjera. Në çfarë konteksti përmenden këto çështje sipas mendimit tuaj dhe, në përgjithësi, cili është qëllimi përfundimtar i këtyre kërcënimeve?

FERHAT DINOSHA
Të gjitha këto natyrisht përmenden në kontekste negative, në kontekste të cilat për ne janë të njohura, në kontekste të forcave, të cilat e shohin se po perëndon koha e tyre dhe që me tentimet e fundit bëjnë përpjekjet që bëjnë. Qëllimi i fundit është ai që në Mal të Zi, në vitin para referendumit, në vitin e përcaktimit të statusit shtetëror të tij, të prodhojnë situata konfliktuale, situata të tendosura. Mendoj se këto forca do të mbetin të vetmuara. Unë edhe dje në parlamentin e Malit të Zi kam pasur një polemikë me një deputet të një partie opozitare që quhet Partia Popullore Serbe, pikërisht lidhur me këtë letër që na ka arritur. Unë kam cituar me atë rast një pjesë të kësaj letre, e cila vërtet tregon urrejtje, terr e kështu me rradhë, nga e cila u distancua edhe vetë deputeti i Partisë Popullore Serbe. Mendoj se nuk ka subjekt relevant, subjekt serioz politik, i cili do të rrinte pas përmbajtjes e cila është në letër. Mendoj se këto forca janë të vetmuara në Mal të Zi, mirëpo kur flitet për një organizatë joqeveritare, atëhere do të jenë të nevojshme edhe hapa konkrete, të cilat do të tregojnë se në Mal të Zi nuk do të kenë hapësirë. Shqiptarët i kuptojnë proceset demokratike. Partitë shqiptare në Mal të Zi sillen në pajtim me standardet e Evropës lidhur me pozitën e pakicave nacionale në shtete shumënacionale. Ne kështu kemi bërë në kohë shumë më të vëshira dhe do vazhdojmë të angazhohemi për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi me mjete demokratike dhe gatishmëri, që të jemi partnerë për përparimin e demokracisë në Mal të Zi.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG