Ndërlidhjet

QEVERIA VLERËSON SE NË 100 DITËT E PARA TË SAJ JANË ARRITUR REZULTATE TË KËNAQSHME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka bërë sot bilancin e punës për 100 ditët e para të saj. Bazuar në raportin e prezantuar pas një mbledhjeje të mbajtur sot, ekzekutivi kosovar konsideron se rezultati më i madh i qeverisë Kosumi është puna në standardet për Kosovën. Ndërkohë që duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Siguri e Politikë të Jashtme, Javier Solana, i cili gjatë javës shprehu në Prishtinë shqetësimet e tij për përparimin e ngadalshëm në standarde dhe decentralizim, zëdhënësi i kryeministrit të Kosovës, Daut Dauti, tha se raporti i vetëm i vlefshëm për shkallën e përmbushjes së standardeve do të konsiderohet ai i ambasadorit Kai Eide, i cili po punon kohë pas kohe në terren dhe po njoftohet për përparimet që ndërkohë po ndodhin në Kosovë:
“Unë këtu besoj që fjalën më të rëndësishme se të Solanës e ka Kai Eide, i cili për së afërmi studion çështjen, i cili për së afërmi është në terren dhe do t’i shohë të arriturat. Natyrisht që ndoshta Solana ka dashur që me deklaratën e tij të bëjë një shtytje që të shkoj më shpejt procesi i decentralizimit”, tha Dauti.
Zëdhënësi Dauti ka përmendur më pas dhe fushat e angazhimeve kryesore të qeverisë Kosumi, të cilat shtrihen nga aspekte të përparimeve në standarde e deri të plotësimi i legjislacionit dhe zhvillimi ekonomik:
“Pikat, në të cilat është bërë përqëndrimi, janë standardet për Kosovën, plani legjislativ i qeverisë, ekonomia, marrëdhëniet ndërkombëtare, procesi i Stabilizim Asociimit, siguria, mbrojtja e minoriteteve, bujqësia dhe planifikimi hapësinor, arsimi, shëndetësia dhe shërbimet publike”, pohoi zëdhënësi Dauti.
Ndërkohë që në pengesat kryesore në punët e qeverisë, Dauti ka veçuar fazën fillestare të punës, kur qeveria Kosumi qe konstatuar pas dorëzimit vullnetar të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Hagë dhe presioneve të ndryshme politike që bëheshin atëherë mbi kabinetin e Kosumit:
“Qeveria me punë ka filluar në kushte jashtëzakonisht të vështira, ka filluar në një presion medial dhe në një presion të opozitës, mirëpo qeveria duke i patur parasysh të gjitha këto vështirësi, megjithatë ka arritur të konsolidohet dhe të marrë një pozitë të fuqishme tani”, theksoi Dauti.
Raporti i punës për 100 ditët e para të qeverisë është bërë sot, pasi që në Kuvendin e Kosovës, opozita ka thirrur në interpelancë kryeministrin Kosumi, për të raportuar për tre muajt e parë të punës dhe për t’u përgjigjur në disa çështje të tjera, të cilat i ka ngritur opozita. Duke u mbështetur në këtë raport, kryeministri Kosumi pritet që të dalë para Kuvendit dhe të paraqeës këtë raport, i cili në fakt parashihet edhe me Kornizën Kushtetuese, sipas të cilës të paktën një herë në vit presidenti dhe kryeministri i Kosovës duhet të flasin para Kuvendit për punën e tyre.


XS
SM
MD
LG