Ndërlidhjet

logo-print

KRYEMINISTRI KOSUMI MBAN INTERPELANCË NË KUVEND


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Deputetët e opozitës janë shprehur të pakënaqur nga përgjigjet që u ka dhënë atyre kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, në një interpelancë të mbajtur sot me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, që është partia më e madhe opozitare në Kuvend. Fillimisht, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Jakup Krasniqi, i ka bërë pyetjet për kryeministrit dhe ka arsyetuar thirrjen e kësaj interpelance, e para që nga themelimi i Kuvendit të Kosovës më se katër vjet më parë:
"Duke i parë këto dukuri më shumë se negative, duke e parë jo vetëm falimentimin e kësaj qeverie, por edhe të Kosovës dhe të proceseve që po zhvillohen dhe duhet të zhvillohen në Kosovë, vendosëm ta thërrasim kryeministrin Kosumi në një interpelancë për të shpëtuar atë që edhe mund të shpëtohet në këto rrethana të vështira përcaktuese për të ardhmen e vendit dhe të popullit tonë".
Zoti Krasniqi para së gjithash në pyetjet e tij është interesuar se çfarë ka bërë qeveria gjatë 100 ditëve për të siguruar zbatimin e ligjit për shërbimet publike dhe për institucionin e konkursit, pastaj se çfarë është bërë në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, si dhe lidhur me dyshimet për disa keqpërdorime financiare.
Kryeministri Kosumi u është përgjigjur me radhë pyetjeve që ishin parashtruar që më herët edhe në formë të shkruar:
"Në mandatin 100 ditor është treguar një kujdes i veçantë në respektimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore, veçanërisht në zbatimin dhe mbrojtjen e ligjit për shërbimet publike dhe për institucionin e konkursit. Në të gjitha rastet e pranimit të stafit civil është respektuar procedura e paraparë. Dua të theksoj se kryeministri dhe askush nga stafi i zyrës së kryeministrit nuk ka ndërhyrë dhe nuk bëjnë ndërhyrje në asnjë rast gjatë procedurës së pranimit të punonjësve në punë në zyrën e kryeministrit".
Kryeministri Kosumi tha se në anën tjetër, lufta kundër nepotizmit dhe korrupsionit është ndër prioritetet e programit të tij qeveritar, edhe pse, tha ai, nuk është bërë ndonjë analizë për afërsinë e të punësuarve:
"Luftimi dhe kundërvënia ndaj korrupsionit dhe nepotizmit përbëjnë një nga prioritetet e qeverisë që unë udhëheq. Gjithashtu, politikisht është e domosdoshme për qeverinë që të ndalojë korrupsionin drejt arritjes së implementimit të standardeve për Kosovën."
Një nga çështjet më të nxehta u dëshmua dhënia e 1 milionë eurosh nga Ministria e Shërbimeve publike, për blerjen e veturave për presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova. Duke iu përgjigjur akuzave për shkelje ligji dhe shpërdorim, kryeministri Kosumi tha:
"Shuma prej një milionë euro është ridestinuar për blerjen e veturave për presidencë. Është parë e arsyeshme që të bëhet ky destinim për shkaqe sigurie që të bëhet ky ridestinim e sidomos pas shpërthimeve të marsit që kanë ndodhur këtë vit në Kosovë. Duhet theksuar fakti se këto vetura nuk janë dedikuar për persona privatë, por për institucione dhe autoritete të larta shtetërore".
Mirëpo, opozitarët u shprehën të pakënaqur nga këto përgjigje. Kryedeputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi tha:
"Ne disponojmë material të bollshëm për të treguar se kabineti qeveritar dhe jo vetëm ai, por edhe institucionet e tjera të dala nga votat e zgjedhjeve te fundit, kanë shkelur ligjin për shërbyes civil, kanë bërë shkelje të rënda të ligjit të prokurorimit publik dhe shkelje të rënda të menaxhimit të financave publike.
Ai ka parashtruar edhe disa pyetje, ashtu si edhe diskutuesit e tjerë, që të gjithë nga radhët e dy partive opozitare, Partisë Demokratike dhe partisë Ora. Kryetari i kësaj të fundit, Veton Surroi, tha se përgjigja e kryeministrit dhe shmangiet nga çështjet konkrete janë çështje e mungesës së kulturës politike në Kosovë:
"Lehtësia me të cilën kyeministri shpjegoi pikën e blerjes së makinave apo transferit të parave nga Ministria e Shërbimeve Publike në Presidencë, për mua është indikative dhe tregon për tre apo katër probleme madhore në shoqërinë tonë, në këtë parlament dhe në këtë qeveri. Këto para dhe dyshimet e bazuara se këto para janë keqpërdorur pa kurrfarë nevoje e dëmtojnë edhe imazhin e presidentit Rugova".
Më pas kryeministri Kosumi ka dhënë edhe disa përgjigje në vazhdim të seancës, edhe pse me rregulloren e Kuvendit në interpelancë mund të jepen përgjigje vetëm për pyetjet që parashtrohen me shkrim dhe sipas procedurës së rregullt. Sidoqoftë, seanca dyditëshe e Kuvendit të Ksoovës ka përfunduar punimet.




XS
SM
MD
LG