Ndërlidhjet

EKSPERTËT EKONOMIKË: KOSOVA DUHET TË KETË STRATEGJI AFATGJATË TË ZHVILLIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ekspertët vendorë të ekonomisë i kanë tërhequr vërejtjen qeverisë së Kosovës, se hartimi i strategjisë së zhvillimit afatgjatë ekonomik të Kosovës, nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e ekspertëve dhe të instituteve vendore, por nuk përjashtojnë as mundësinë që të ketë nevojë për angazhimin e ekspertëve nga jashtë. Këto vlerësime ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësues të instituteve ekonomike, i kanë bërë, duke komentuar një projekt të qeverisë së Kosovës për hartimin e strategjisë afatgjatë, që është kërkuar nga Bashkimi Evropian, dhe në të cilën aktualisht po punon qeveria e Kosovës në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë dhe me kapacitetet aktuale të qeverisë.
Sidoqoftë ekspertët e vlerësojnë të domosdoshëm hartimin e një strategjie të tillë. Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik të Kosovës, tha sot se duke patur parasysh rëndësinë e një ndërmarrjeje të tillë, nuk duhen përsëritur gabimet nga e kaluara.
"Është kërkesë e kohës që Kosova ta ketë strategjinë e zhvillimit afatgjatë, që do të jetë një dokument bazë në të cilin mbështetet politika e zhvillimit afatgjatë dhe ajo aktuale. Unë dëshiroj që të mos përsëriten gabimet që i ka bërë qeveria e mëparshme, e cila me forcat e veta tentoi të hartojë strategjinë e zhvillimit afatgjatë të Kosovës, duke u mbështetur vetëm në forcat e brendshme të qeverisë, " tha zoti Musa Limani, ndërkohë që drejtori i institutit RIINVEST, Muhamet Mustafa, mendon se rëndësia e hartimit të kësaj strategjie është shumë dimensionale.
"E bën Kosovën më të përgatitur për proceset e integrimit në Evropë dhe sidomos në pjesëmarrjen në fondet evropiane, por edhe në bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare."
Zoti Muhamet Mustafa mendon se kjo strategji duhet të mbështetet mbi disa prioritete.
"Disa prioritete globale, prioritete që gjenerojnë një rritje ekonomike. Mirëpo për t'u arritur kjo rritje ekonomike në një afat të gjatë, mendojmë se është e nevojshme që të zhvillohet edhe një sistem demokratik dhe shteti ligjor, të zhvillohet edukimi dhe infrastruktura publike, që Kosovën e integron në Evropë dhe rajon".
Në anën tjetër zoti Limani mendon se qeveria e Kosovës, e vetmuar dhe vetëm me energjitë e brendshme, nuk mund të realizojë një projekt kaq serioz.
"Qeveria e Kosovës me aparatin e vet nuk ka fuqi profesionale dhe ekspertë, që të mund ta bëjë strategjinë e zhvillimit ekonomik si dokument madhor."
Eksperti Musa Limani thotë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe profesionale, për të hartuar një strategji afatgjatë të zhvillimit ekonomik, prandaj ata nuk bën të përbuzen.
"Ne nuk duhet t'i përbuzim dhe anashkalojmë institucionet tona dhe ekspertët tanë, sepse mund të them se çfarëdo institucionesh dhe çfarëdo ekspertësh që të angazhohen jashtë Kosovës, pa institucionet shkencore dhe ekspertët vendorë, nuk mund të hartohet një dokument i mirëfilltë, sepse ne dimë situatën konkrete të problemeve ekonomike, shoqërore, sociale dhe normalisht dimë atë që kërkojmë."
Në anën tjetër zoti Muhamet Mustafa, duke konsideruar se Kosova ka vërtet kapacitete për hartimin e një strategjie të tillë, nuk përjashton mundësinë që të ketë nevojë edhe për ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë.
"Natyrisht Kosova ka kapacitete intelektuale edhe profesionale që të inkuadrojë në këtë strategji, por sigurisht që do të nevojitet edhe bashkëpunimi me ekspertë ndërkombëtarë. Gjithsesi mendojmë se Kosova edhe në institucione, por edhe jashtë institucioneve, mund të ofrojë një ekspertizë që mund të çojë në punimin e një strategjie cilësore të zhvillimit".
Ndërkohë që zyrtarët e qeverisë nuk kanë qenë të gatshëm të flasin sot për detajet e strategjisë afatgjatë të zhvillimit ekonomik të Kosovës, që është kërkuar nga Bashkimi evropian, eksperti Musa Limani ka thënë se nga konsultimet e deritanishme që ka patur me zyrtarët e qeverisë, nuk ka ndonjë plan për angazhimin e drejtpërdrejtë të ekspertëve dhe të instituteve vendore të ekonomisë, për hartimin e kësaj strategjie.



XS
SM
MD
LG