Ndërlidhjet

QEVERIA SHKARKON REKTORIN E UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar sot nga detyra rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arsim Bajramin dhe ka shpallur të pavlefshme zgjedhjet e fundit në Universitetin e Prishtinës. Vendimi i qeverisë është pasuar dhe me vënien e masave të jashtëzakonshme, ku udhëheqjen e Universitetit do ta marë një komision tre anëtarësh, në përbërje me një përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, një përfaqësues të Universitetit dhe një nga Sekretari i përgjithshëm i Rektoratit.
Ministrit të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Agim Veliu, tha se vendimi është marë me qëllim të rivendosjes së qeverisjes së ligjshme në Universitetin e Prishtinës:
“Udhëzimi administrativ në pika të shkurta përmban: Procesi i implementimit të statutit në Universitetin e Prishtinës kthehet prapa në datën 1 dhjetor 2004. Zgjedhjet e mbajtura pas kësaj date shpallen të pavlefshme. Këshilli Drejtues i Universitetit do të plotësohet me katër anëtarë të emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë brenda një afati shumë të shkurtër”, tha Veliu.
Në anën tjetër rektori Arsim Bajrami, e ka cilësuar vendimin e qeverisë si ndërhyrje në autonominë e Universitetit të Prishtinës dhe akt jo normal. Bajrami tha se nuk do t’u nënshtrohet vendimeve të qeverisë, duke pasur parasysh që qeveria nuk e ka zgjedhur atë në postin e rektorit:
“Unë do të pranoj vendimet e atyre që më kanë zgjedhë, pra të studentëve, Senatit, Këshillit Drejtues dhe plotësisht do t’u bindem. Mua nuk më ka zgjedhur Ministri i Arsimit apo qeveria, për aq më tepër Ministri i Arsimit ka dashur që këtu të punojë një kuadër tjetër dhe unë do t’i bindem plotësisht Këshillit Drejtues dhe të Senatit, pra autoriteteve demokratike dhe legjitime, të cilat e kanë bërë zgjedhjen time dhe të autoriteteve të tjera”, theksoi Bajrami.
Ndërkohë që ministri Veliu ka pohuar se rektori Bajrami do ta pranojë vendimin e qeverisë, pasi sipas tij, vendimi është mbështetur edhe në kompromis me UNMIK-un:
“Besoj se edhe rektori Bajrami do t’i bindet këtij vendimi, sepse sipas mendimit tim nuk është ai në pozicion që të mos e pranojë një vendim, i cili bën përpjekje që ta rikthejë ligjin në Universitet”, tha Veliu.
Ndërsa ministri Veliu tha se vendimi i qeverisë për shkarkimin e rektorit Bajrami ishte rezultat i kompromiseve me UNMIK-un, zëdhënësi i administratës ndërkombëtare Neeraj Sing, tha se UNMIK-u nuk është në dijeni për një vendim të tillë. Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet rektoratit dhe Ministrisë së Arsimit edhe kryeadministratori Soren Jessen Petersen, qe shprehur i gatshëm të ndërhyjë. Mirëpo, qeveria qe deklaruar se nuk ka nevojë për ndërhyrjen e Petersenit, pasi kishte një zgjidhje të gatshme, zgjidhje kjo që u bë publike sot dhe rezultoi me vendimin për shkarkimin e rektorit dhe vënien e masave të jashtëzakonshme në kreun e Universitetit të Prishtinës, pavarësisht faktit nëse rektori do t’i bindet këtij vendimi apo jo.

XS
SM
MD
LG