Ndërlidhjet

URA NË MITROVICË KALOHET NGA QYTETARËT VETËM NË RASTE TË DOMOSDOSHME


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ura kryesore mbi lumin Ibër që bashkon pjesën jugore të banuar nga shumicë shqiptare dhe veriun e banuar nga shumicë serbe, që nga 18 korriku është hapur për trafikun civil 24 orë në ditë. Zëdhënësi rajonal i policisë në Mitrovicë, Larry Miller, tha se nuk është i kënaqur nga numri i veturave civile që çdo ditë kalojnë nga jugu në veri dhe anasjelltas, por vlerëson se me kohën kjo situatë do të përmirësohet.
"Veturat e kalojnë urën nga jugu në veri dhe veriu në jug, mirëpo numri i veturave nuk është aq i madh sa ne kemi pritur, edhe pse e kemi ditur se për këtë do të duhet kohë," tha zëdhënësi Miller, sipas të cilit duhen bërë ndryshime në botëkuptimet e njerëzve dhe me kalimin e kohës do të mund të shihen më shumë vetura civile duke e kaluar urën dhe liria e lëvizjes do të jetë e mundur në gjithë Kosovën. Zëdhënësi Miller tha se me rastin e kalimit të urës mbi lumin Ibër, veturat civile nuk ndalohen nga policia dhe nuk kërkohet kurrfarë dokumentacioni nga shoferët e veturave.
"Megjithatë, ka raste kur policët mendojnë se është e domosdoshme që të ndalohen veturat dhe të verifikohen, por kryesisht veturat lejohet të shkojnë e të kthehen në secilën pjesë si në çdo shoqëri normale," tha zoti Miller. Sipas tij, tij nuk ka pasur shumë incidente që nga hapja e urës për kalim të veturave gjatë gjithë kohës pa ndonjë kufizim, mirëpo nuk mund të thuhet se nuk ka pasur fare incidente, tha Miller:
"Të gjithë e dimë se ka pasur incidente, ka pasur disa incidente në të cilat janë dëmtuar disa vetura, apo në të cilat janë sulmuar këmbësorët," tha Miller, për të shtuar se fatmirësisht nuk ka pasur lëndime të rënda dhe këto sulme, apo fyrjet që u drejtohen kalimtarëve, bëhen nga keqbërës të vegjël që kanë disa arsye të vetat.
Ruzica Jovanoviq, së cilës i duhet të udhëtojë përditë nga veriu ku banon për në jug ku e ka vendin e punës, thotë se qytetarët nuk e shfrytëzojnë urën për të kaluar në jug, pos për raste të domosdoshme. Ajo thotë se ura mund të kalohet nga veriu në jug me vetura që kanë targa të UNMIK-ut apo të organizatave joqeveritare:
"Në raste të tilla njerëzit e kalojnë urë, por vetëm në rastet kur janë të lidhur me punë nga e cila u varet egzistenca, përndryshe njerëzit nuk kalojnë në pjesën jugore nëse nuk kanë nevoja të tilla," tha Ruzica Jovanoviq.
Ndërkaq, Ermira Spahiu jeton në pjesën jugore të qytetit ndërsa punon në veri. Ajo mendon se ende nuk ka kushte të mjaftueshme sigurie për kalim të lirë të urës kryesore mbi lumin Ibër:
"Mendoj se është ende herët për të hapur urën, pasi tani për tani egziston vetëm mundësia e qarkullimit të lirë vetëm me këmbë e jo edhe me vetura. Unë do të dëshiroja ta kaloja urën me veturë për shumë arsye, e para së gjithash për të shkuar në punë me veturën e time, pastaj për të vizituar miqtë që jetojnë në pjesën veriore".
Ura kryesore mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës që nga 6 qershori ka kaluar nën kontrollin e Shërbimit Policor të Kosovës, ndërsa pas një kohe kur lëvizja e veturave ishte e kufizuar në dy e më pas katër orë në ditë, që nga 18 korriku ura është e lirë për kalimin e veturave gjatë gjithë kohës. Policia e UNMIK-ut nuk ka shtuar praninë e saj në urë, ka thënë zëdhënësi Miller, edhe pse ka pasur disa incidente, siç ishte ai i para dy ditësh kur një serb kishte qëlluar me shishe disa policë të UNMIK-ut.


XS
SM
MD
LG