Ndërlidhjet

STUDENTËT PROTESTOJNË KUNDËR VENDIMIT TË QEVERISË PËR SHKARKIMIN E REKTORIT TË UP


Zijadin Gashi, Prishtinë

Dhjetra studentë të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar sot në Prishtinë duke kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për shkarkimin e rektorit Arsim Bajrami.
Protesta është organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve. Grupi protestues është nisur fillimisht nga Fakulteti Filologjik drejt Ministrisë së Arsimit, ku ka qëndruar 15 minuta në pritje të Ministrit të Arsimit Agim Veliu, por ai nuk është paraqitur. Studentët më pas kanë vazhduar drejt ndërtesës së qeverisë së Kosovës. Një delegacion i studentëve është pritur aty nga kryeministri Bajram Kosumi. Sejdi Hoxha, kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve tha pas këtij takimi se ata i kanë dorëzuar kryeministrit kërkesat e tyre. Në anën tjetër kryeministri Kosumi, u kishte bërë të qartë studentëve se qeveria ka marrë vendim që të shkarkojë rektorin Arsim Bajrami, dhe nuk do të tërhiqet nga ky vendim. Mirëpo Hoxha tha po ashtu se pavarësisht qëndrimeve të kryeministrit të qeverisë së Kosovës, as Unioni nuk do të tërhiqet nga kërkesat e veta dhe paralajmëroi vazhdimin e protestës për datën 9 gusht.
"Ne i treguam kryeministrit kërkesat tona për ta zgjidhur këtë problem, mirëpo siduket përsëri hasi në vesh të shurdhët. Ne do t'i vazhdojmë format tona të pakënaqësisë, derisa qeveria e Kosovës të ndryshojë vendimin. Për momentin qeveria e Kosovës qëndron prapa vendimeve që ka marrë ditën e djeshme dhe ne përsëri do të vazhdojmë format tona të pakënaqësisë".
Më pas studentët protestuan edhe para selisë së Misionit të Kombeve të Bashkuara, ku i kanë dorëzuar kërkesat e tyre me shkrim. Nga administrata e UNMIK-ut ata kanë kërkuar që të mbajnë qëndrim neutral dhe mos pozicionohet nga qeveria dhe vendimet, që sipas tyre, cënojnë autonominë e universitetit.
" Kërkojmë nga qeveria e Kosovës të sigurojmë pajtimin institucional mes MASHT-it dhe UP-së, t'i shmangë të gjitha tendencat për zgjidhjen e njëanshme dhe të dhunshme të mosmarrëveshjes. Kërkojmë nga UNMIK-u që të marrë në rol të paanshëm dhe neutral në konfliktin mes MASHT-it dhe UP-së, të heqë dorë nga ndërhyrjet e njëanshme në UP, sepse praktikat dhe dekretet e bordeve të njëanshme dhe të imponimit të zgjedhjeve, jashtë vullnetit të studentëve dhe profesorëve është e papranueshme dhe ngjall kujtimet e viteve 90' kur pushtuesi serb tentoi të shkatërrojë universitetin duke aplikuar masa të dhunshme dhe duke i larguar studentët e profesorët nga universiteti."
Gjatë gjithë kohës së mbajtjes së protestës rrugët në Prishtinë kanë qenë të mbyllura për qarkullimin e komunikacionit dhe janë siguruar nga Shërbimi Policor i Kosovës. Me përjashtim të hedhjes së disa vezëve drejt ndërtesës së Ministrisë së Arsimit dhe asaj të qeverisë, protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente.


XS
SM
MD
LG