Ndërlidhjet

GK SHPREHU SHQETËSIME PËR NGADALËSINË E PROGRESIT NË FUSHAT QË KANË TË BËJNË ME PAKICAT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit që kanë zyrat e tyre në Prishtinë, i kanë shprehur sot kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi shqetësimin e tyre të thellë për ngadalësinë në proceset që kanë të bëjnë me pozitën e pakicave, ndërkohë që kanë theksuar se ka pasur përparime në shumicën e standardeve. Duke folur në emër të Grupit të Kontaktit, shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, tha se ata ishin pajtuar me kryeministrin që kishte përparime në shumicën e standardeve në Kosovë. Duke theksuar se shprehte qëndrimin e Grupit të Kontaktit dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Goldberg ka tërhequr vërejtjen se raporti i zotit Eide nuk mund të merret si një punë e kryer, pasi çështja e vlerësimit pozitiv apo negativ mbetet një çështje e hapur:
"Ne duam që procesi të ecën përpara dhe bisedimet për statusin përfundimtar të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, por raporti që po përgatit ambasadori Kai Eide për Kombet e Bashkuara, nuk është një çështje që dihet më parë," tha Goldberg, duke shpjeguar se ky ishte një nga qëndrimet e mbledhjes së fundit të drejtorëve të Grupit të Kontaktit me ambasadorin Kai Eide në Londër:
"Ne kemi ardhur sot për të shprehur disa shqetësime, disa shqetësime tonat të thella për përparimin e ngadalshëm që është bërë në disa fusha të caktuara, në ato fusha që përgjithësisht kanë të bëjnë me gjendjen e komuniteteve pakicë të Kosovës," tha zoti Goldberg. Ai tha se Grupi i Kontaktit është përqendruar në përkushtimin politik dhe lidershipin që nevojitet për të bërë përparim në fushat siç është decentralizimi.
Ndërkaq, duke folur lidhur me porositë e sotme të Grupit të Kontaktit, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se një porosi të tillë përmbante edhe letra që kishte marë tre ditë më parë nga drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, John Sawers:
"Grupi i Kontaktit mendon se ka një ngadalësim të madh në këtë proces dhe unë e pranova sot këtë mesazh nga GK dhe dëshiroj t’ju them se në Kosovë ka një progres shumë të madh në të gjitha sferat, sidomos në realizimin e standardeve, ndërsa ka një përparim më të ngadalshëm në procesin e decentralizimit, edhe pse edhe aty ka ecje përpara".
Kryeministri i Kosovës bëri të ditur para zotit Philip Goldberg se qeveria kishte destinuar së fundi 500 mijë euro për pilot-projektet dhe tash ishin në kërkim të emrave të këshilltarëve për njësitë provuese komunale. Kryeministri Kosumi tha se kjo ishte një punë e vështirë për shkak të pengesave që po paraqet Beogradi në këtë drejtim:
"Këtu ka disa vështirësi, sepse këtu përfshihet edhe obstruksioni që bëhet nga qeveria e Beogradit. Ajo është duke i penguar serbët e Kosovës që të jenë pjesë e këtij procesi – është duke bërë presion mbi ta dhe është duke i shantazhuar madje, që të mos jenë pjesë e procesit", tha kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, ndërsa shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg lidhur me këtë tha:
"Është e vërtetë se Beogradi nuk bashkëpunon në këtë projekt, por ne po kërkojmë lidershipin dhe vullnetin e qeverisë në emër të popullit të Kosovës, për statusin përfundimtar të të cilës është me shumë rëndësi që procesi të shkojë përpara ashtu siç u është premtuar drejtorëve politikë të Grupit të Kontaktit," tha Goldberg.
Shefi i zyrës amerikane duke folur në emër të Shteteve të Bashkuara, ka thënë se për shumë çështje në Kosovë ka nevojë për ndërtimin e konsensusit ndërmjet komunitetit politik shqiptar të Kosovës, qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile, për mënyrën se si të shkohet përpara në këto çështje që kanë të bëjnë me pakicat e posaçërisht me serbët, për t’i bërë ata të ndihen të sigurt dhe të dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë, si dhe për t’u siguruar që ata që nuk janë në Kosovë, do të kthehen me krijimin e një ambjenti të tillë.

XS
SM
MD
LG