Ndërlidhjet

logo-print

A MUND TË KETË FETVA NDIKIM TE MILITANTËT?


Andrew Tully

Një grup i klerikëve myslimanë nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, të enjten lëshuan një fetva, urdhër fetar kundër terroristëve dhe terrorizmit.
Në konferencën për shtyp në Uashington, ata thanë se ishin frymëzuar nga deklarata e ngjashme e kolegëve të tyre britanikë pas sulmeve në Londër.
Por, a do të ketë fetva ndikim te militantët, të cilët mund të planifikojnë sulme të reja kundër Perëndimit dhe interesave të Perëndimit në botë?
"Ne shpesh dëgjojmë pohime: myslimanët nuk e dënojnë terrorizmin dhe se Islami e fal dhunën. Si myslimanë, ne duam të themi qartë se ata që kryejnë akte të terrorit në emër të Islamit i tradhtojnë mësimet e Kuranit dhe profetit Muhamed. Ne refuzojmë çdo njeri të çfarëdo besimi, i cili kryen akte të tilla brutale, dhe nuk do të lejojmë që besimi ynë të jetë peng i kriminelëve. Islami nuk është për urrejtje dhe dhunë, ai është për paqe dhe drejtësi".
Ky është mesazhi i Këshillit për Marrëdhënie Amerikano-Islamike, një grupi që angazhohet për të drejtat e myslimanëve.
Mesazhi me titull "Islami nuk e fal dhunën apo terrorin", u krijua për t'u transmetuar në radio dhe televizion.
Ky mesazh, i parapriu konferencës për shtyp, në të cilën 18 dijetarë islamikë nga Amerika Veriore e lëshuan fetvën e tyre për myslimanët e Amerikës.
Urdhrin e lexoi Muzammil Sidiki , kryesues i grupit.
"Në Islam nuk ka justifikim për ekstremizmin apo terrorizmin. Të godasësh civilët dhe pronën me sulme vetëvrasëse apo metoda të tjera të sulmeve, në Islam është haram dhe e ndaluar, kurse ata që kryejnë akte të tilla barbare, janë kriminelë e jo martirë. E njëjta vlen edhe për ata që u ndihmojnë terroristëve apo predikojën dhunën kundër civilëve", tha Sidiki.
Ai citoi fragmente nga Kurani që e mbështesnin shpjegimin e tij. Në njërin thuhej se "kushdo që vret një qenie të vetme njerëzore, ka vrarë gjithë njerëzit, dhe kushdo, që shpëton një jetë njeriu, i ka shpëtuar të gjithë njerëzit".
18 shkollarët janë anëtarë të organizatës së akademikëve myslimanë, e cila merret me shpjegimin e ligjeve islamike.
Ata thanë se fetva mbështetet edhe nga shumë grupe myslimanësh dhe klerikë në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit Islamik Nihad Avad, tha se fetva nuk dallohet shumë nga ajo e lëshuar në Britani.
Ai tha se myslimanët në SHBA mbi një dekadë përpiqen t'u demonstrojnë bashkëkombasve amerikanë se ata nuk duhet t'i fajësojnë të gjithë myslimanët për shkak të veprimeve të një pakice.
Duke folur në arabisht, Avad u bëri thirrje myslimanëve të ngrejnë zërin kundër terrorizmit.
"Ky mesazh është i qartë sepse në shtypin amerikan ishin ngritur dyshime se myslimanët e Amerikës nuk e dënojnë sa duhet terrorizmin. E themi qartë se në këtë çështje të ndjeshme s'mund të ketë keqkuptime", tha Avad.
Fetvat zakonisht kanë ndikim lokal. Ajo, që u lëshua nga myftiu i Egjiptit mund të ndiqet vetëm nga myslimanët e Egjiptit e jo p.sh. nga pakistanezët.
Zëdhënësi i Këshillit për Marrëdhënie Amerikano-Islamike Ibrahim Huper, tha se qëllimi i fetvës është që ajo të ndikojë te myslimanët e rinj amerikanë, ashtu si fetva britanike, e cila duhej të ndikojë te myslimanët në Britaninë e Madhe.
XS
SM
MD
LG