Ndërlidhjet

IRA SHPALLI NDËRPRERJE TË SULMEVE, POR DYSHIMET MBETEN


Jan Jun

Derisa Britania e vazhdon ndjekjen e autorëve të sulmeve terroriste të 21 korrikut, një grup tjetër terrorist ka shpallur paqe. Forcat britanike të sigurisë ende luftojnë me kohën për t'i kapur autorët e sulmeve të dështuara terroriste të javës së kaluar në Londër, ndërkohë që një deklaratë inkurajuese paqësore erdhi nga Irlanda e Veriut.
Organizata terroriste e njohur si Armata Republikane Irlandeze apo IRA, e cila mbi 3 dekada ishte e angazhuar në sulme me bomba, e ka shpallur përfundimin e "luftës" së saj kundër Britanisë.
IRA gjithashtu tha se armatimi do të asgjësohet nën mbikqyrje të duhur, dhe tha se tani do të përdorë mjete demokratike për realizimin e qëllimit të saj: dhënien fund të sundimit britanik në provincën.
Shumë politikanë janë gëzuar, por disa vëzhgues janë skeptikë nëse IRA vërtetë e mendon atë që thotë.
Armata Republikane Irlandeze tha të enjten se ka marrë fund lufta e saj "për pavarësinë e Irlandës Veriore" nga Britania, e cila ka filluar në vitet e 60-ta. Pjesëtari i IRA-s Sean Walsh, e lexoi deklaratën e udhëheqjes së organizatës, me të cilën urdhërohej përfundimi i menjëhershëm i luftës së armatosur.
"Të gjitha njësitet e IRA-s janë urdhëruar t'i ulin armët. Të gjithë vullnetarët janë këshilluar të asistojnë në zhvillimin e programeve të pastërta politike dhe demokratike me mjete paqësore. Vullnetarët më nuk duhet të angazhohen në aktivitete të tjera", thuhej në deklaratë, në të cilën gjithashtu theksohej se përfaqësuesit e kishave Katolike dhe Protestante mund të marrin pjesë në asgjësimin zyrtar të armëve.
Shpallja u prit me eufori nga qeveria dhe shumë politikanë. Kryeministri britanik Tony Blair e mirëpriti shpalljen me një deklaratë të veçantë nga zyra e tij.
"Kjo mund të jetë dita kur më në fund, pas gjithë atyre tatëpjetave dhe shpresave të trazuara, paqja i zë vendin luftës dhe politika e zëvendëson terrorin në ujdhesën e Irlandës", tha kryeministri Blair.
Disa politikanë në provincë, kryesisht nga ana e republikanëve, ajo Katolike, gjithashtu janë shprehur optimistë. Por shumë politikanë protestantë, të cilët duan që provinca të mbetet pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, mbeten të kujdesshëm.
Disa ekspertë gjithashtu janë skeptikë rreth shpalljes, e cila dallohet shumë nga deklaratat e mëparshme që i bënte IRA.
David Carlton është specialist i politikës nga Universiteti Warwick.
"Tashmë një dekadë ka zhvillime të ngadalshme. Kishte armëpushim, pastaj ai u shkel, edhe një armëpushim tjetër që gjithashtu u shkel", thotë Carlton, duke shtuar se fakti që terrorizmit tani i ka dalë emri i keq, me siguri ka kontribuar në vendimin e IRA-s që t'i japë fund fushatës së saj.
Gjatë viteve, e kanë humbur jetën rreth 1.800 civilë të pafajshëm dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, jo vetëm në provincë, por edhe në pjesën tjetër të ujdhesës.
Carlton thotë se në deklaratën e Armatës Republikane Irlandeze shihen dy plasaritje të mëdha, për sa i përket çarmatimit.
"Ata nuk marrin parasysh një verifikim përfundimtar. Të paktën jo aq sa për t'i kënaqur kamerat dhe fotografët. Duhet thënë edhe diçka tjetër: ata refuzojnë të çarmatosen. Shtrohet pyetja përse do të duhej të mbetet një ushtri e tillë, pas kësaj deklarate që u bë", pohon Carlton.
Ai gjithashtu thekson se IRA ndoshta nuk ka kryer sulme me bomba prej vitit 1998 kur shpalli armëpushim, por ngjarjet e fundit në Irlandën e Veriut, si vrasja e Robert McCartney dhe plaçkitja e 40 milionë dollarëve nga Banka Veriore në Belfast, tregojnë se ajo është shndërruar në një mafie kriminale. Shumica e zyrtarëve britanikë të sigurisë gjithashtu thonë se Armata Republikane Irlandeze duhet të kalojë nga fjalët në vepra.
XS
SM
MD
LG