Ndërlidhjet

HAZIRI: "NUK PRANOJMË PARIMIN ETNIK DHE TË AUTONOMIVE TERRITORIALE PËR DECENTRALIZIMIN


Intervistë më ministrin e pushtetit lokal z. Lutfi Haziri

Evropa e Lirë
Zoti Ministër, në ç’fazë ndodhet aktualisht procesi i decentralizimit dhe jetësimit të pilot-njësive?

Lutfi Haziri
Urdhëresa administrative e PSSP-së e nënshkruar ditë më parë parasheh që Ministria e Pushtetit lokal të fillojë të paraqesë rekomandimet e para për PSSP-në, i cili përmes rekomandimit dhe nominimit do të caktojë emrat e përfaqësuesve kredibilë të partive politike, në bazë të parimit të përfaqësimit partiak dhe të autoritetit në parimin kadastral, që fillimisht të themelojnë dhe më pas të ushtrojnë detyrën në kuadër të njësive, pilot-projekteve komunale që janë paraparë nga ana e dokumentit kornizë për qeverisje, për reformën e pushtetit lokal në Kosovë. Javën e fundit kemi qenë të gatshëm të implementojmë, duke pritur vetëm edhe një hap ligjor, i cili, në përputhje me dokumentin e nënshkruar ditë më parë, kërkon që Ministria e Pushtetit Lokal të bëjë këto rekomandime. Letra që unë kam marrë dje nga zëvendëspërfaqësuesi special kërkon që të rishikohet ky rekomandim. Unë e kam përpunuar versionin plotësues në konsultime me kryeministrin dhe me përfaqësues të partive politike që vijnë nga njësitë komunale dhe shpresoj që dallimet e vogla që ekzistojnë e kanë të bëjnë me nominimet dhe me autoritetin e njësive të reja, të tejkalohen shpejt dhe të fillojë implementimi i pilot-njësive komunale. Praktikisht ne jemi në prag të impelementimit të këtyre politikave. Duhet theksuar se me tri njësi komunale nuk ka asnjë problem, ndërsa vështirësitë vijnë pas ftesave për bojkot nga Qendra Koordinuese Serbe për përfaqësuesit e partive politike serbe në Kosovë, në themelimin e njësive në Graçanicë dhe në Partesh.

Evropa e Lirë
Zoti Ministër a janë ta gatshme listat e këshilltarëve të njësive provuese në dy enklavat serbe ku thatë se keni probleme?

Lutfi Haziri
Listat kanë qenë të gatshme, listat iniciale kanë qenë të gatshme, më shumë seç kemi kërkuar ne dhe më shumë seç kemi pritur ne dhe kanë qenë të përfaqësuara nga i gjithë spektri politik dhe i koalicioneve serbe që ekzistojnë në Kosovë. Kjo listë nuk është konfirmuar nga po të njëjtit njerëz, për arsye se roli dhe ndikimi i madh që ka ardhur nga Qendra Koordinuese Serbe, ka bërë që të shkaktohen hezitime dhe të shkaktojë tërheqje të shumë përfaqësuesve të partive politike. Ne do të vazhdojmë të konsultohemi me përfaqësues politikë të komunitetit serb edhe më tutje, për të gjetur mënyrat dhe ta detyrojmë që të jetë i pranueshëm për të gjithë qytetarët.

Evropa e Lirë
Zoti Minsitër, edhe Ju tash, por edhe kryeministri Kosumi, një pjesë të fajit, pjesën më të madhe të fajit, po ia hedhin Beogradit për çështjen e ngecjes në pilot-projektet. A mendoni se qeveria apo ju si ministri u keni ofruar mjaft serbëve për këtë dhe çfarë mund të bëhet më tepër në mënyrë që këto pilot-projekte të jenë të pranueshme për ta?

Lutfi Haziri
Unë nuk mendoj se duhet të gjendet fajtori në këtë rast – përgjegjësia në radhë të parë u takon qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Përgjegjësitë dhe roli periferik që në këtë rast vjen nga jashtë Kosovës ka ndikim shumë të madh në zhvillim – në këtë rast ftesa publike për bojkot, se dokumenti kornizë nuk ofron për serbët asgjë në Kosovë, nuk qëndron. Dokumenti kornizë për qeverisjen lokale ofron në pushtetin lokal më shumë autoritet seç kanë komunarët në Serbi. Përfaqësuesit serbë në komunat me shumicë serbe në Kosovë kanë të drejta rregullative më shumë sesa kanë komunat në vetë Serbinë. Ne nuk pranojmë parimin etnik dhe pranimet e autonomive territoriale që pretendohen edhe sot me u detyru në këtë formë nga ana e qeverisë së Beogradit përmes një plani që është eliminuar nga çdo formë e diskutimit apo negocijimit si të tillë. As kam pasur obligim ligjor, as kam lejuar që format e tilla të detyrimit të jenë të pranueshme për Kosovën. Kosova e ka dokumentin kornizë të miratuar, i cili është debatuar në Kuvend dhe janë bërë rekomandimet dhe ka pajtueshmëri me faktorin ndërkombëtar se është dokumenti i vetëm dhe i implementueshëm në Kosovë. Tash jemi në fazën kur roli konstruktiv i liderëve lokalë serbë në Kosovë është shumë i rëndësishëm për të pranuar këtë ofertë të qeverisë së Kosovës, e cila është e sinqertë. Ne e kemi rishikuar shtrirjen e autoritetit të njësive të reja në më shumë se një zonë kadastrale, që vjen si pasojë e udhëzimit administrativ tashmë dhe parimi multietnik do të jetë pjesë e këtij procesi, duke dashur që këtë kulturë politike shtrijmë në nivelin më të ulët dhe ne besojmë që bashkëpunimi ndërmjet shumicës dhe pakicës, pavarësisht se cilit grup i takojnë në njësinë komunale, do të fokusohet në interesin e qytetarit dhe zgjidhjen e problemit të tyre.

Evropa e Lirë
Kur jemi te zonat kadastrale, a e ka inkorporuar qeveria këtë kërkesë të UNMIK-ut që del edhe nga urdhëresa administrative për më shumë se një zonë kadastrale apo një e më shumë zona kadastrale, për shembull, sipas planit të qeverisë, si do të dukej njësia provuese në Graçanicë, për shembull?

Lutfi Haziri
Ne jemi duke e rishikuar këtë, në bazë të letrës së fundit të adresuar te ne, po e rishikojmë në përputhje me normativin ligjor. Kemi disa forma të punës ku jemi angazhuar maksimalisht për të realizuar në fazën më të shpejtë të mundshme. Qeveria shumë shpejt këto ditë do të dalë me qëndrim rreth këtyre planeve. Unë besoj se do të arrihet pajtueshmëri edhe me zyrën e PSSP-së edhe me zyrat e tjera që kanë ndikim në normalizimin e këtij procesi dhe të tejkalohet ky dallim që ekziston tash, kryesisht me themelimin e pilot-njësive në vendbanimet me shumicë serbe. Ajo që e përmenda si njësi që ka kërkuar dokumenti, është se do të trajtohet më shumë se një zonë kadastrale dhe po ashtu do të respektohet edhe parimi i vendosjes së multietnicitetit, që është pjesë e programit të qeverisë dhe i cili qëndrim në momentin që do të arrijë të vendoset do të bëhet publik.

Evropa e Lirë
Dhe, kjo do të thotë që p.sh. edhe Hajvalia me shumicë shqiptare, mund të jetë pjesë e pilot-njësisë së Graçanicës?

Lutfi Haziri
Është duke u konsideruar seriozisht që edhe Hajvalia të jetë pjesë e njësisë së re dhe vendbanimet e tjera që janë përreth dhe brenda Graçanicës dhe po ashtu ne kemi rishikuar edhe në Hanin e Elezit 11 fshatrat që janë pjesë e qendrës urbane tash të Hanit të Elezit të jenë pjesë e njësisë së re dhe në të gjitha ato vende ku gjeografikisht lidhen fshatrat mes vete apo vendbanimet e caktuara të trajtohen si autoritet i ri ku shërbimet do të afrohen më afër dhe të tejkalohen këto dallime.

Evropa e Lirë
Zoti Ministër, shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen ka thënë se pret nga Ju si ministër i pushtetit lokal që t’ia dorëzoni projektin me kufijtë komunalë, në fakt. Deri ku keni arritur apo kur pritet që Ju mund t’ia dorëzoni këtë projekt në mënyrë që të fillojë jetësimi i pilot-projekteve?

Lutfi Haziri
Unë rekomandimin e parë e kam dorëzuar të premten. Ai nuk e ka kënaqur zyrën e PSSP-së dhe është kërkuar të rishikohet ky rekomandim dhe tash jam në fazën e rishikimit të plotë të këtij parimi dhe do të ofroj disa versione që në përputhje me vendimet e qeverisë dhe në kuadër të kornizës ligjore që ekziston të arrijmë t’i koordinojmë të gjitha këto çështje.

Evropa e Lirë
Cilat kanë qenë vërejtjet kryesore?

Lutfi Haziri
Është e drejta e PSSP-së, në bazë të udhëzimit administrative që ta trajtojë apo legalizojë rekomandimin që e jep Ministria e Pushtetit Lokal në emër të qeverisë së Kosovës. Nuk kemi arritur ta kënaqim parimin për vetëm një zonë kadastrale që të jetë i pranueshëm për PSSP-në, megjithëse kemi qenë shumë afër që me komunitetin, me qytetarët, këtë parim ta shpjegojmë drejt dhe të jetë i pranueshëm. Parashikohet që qëndrueshmëria e njësive të reja do të jetë më e madhe dhe autoriteti do të jetë më i sigurt, nëse kjo shtrihet në më shumë se një vendbanim, duke mos lejuar prekjen e kufijve aktualë komunalë dhe duke mos prishur vendimin që qeveria ka në bazë të dokumentit kornizë, për reforma në pushtetin lokal. Pjesë e këtyre kërkesave janë është anëtarët e Grupit të Kontaktit, që me gjuhën e tyre të fundit kërkojnë dinamika e implementimit të përshpejtohet në Kosovë në mënyrë që të arrihet në fazën kur ky proces do të jetë pjesë e vlerësimit gjithëpërfshirës në momentin më të duhur.

Evropa e Lirë
Kur jemi te vlerësimi gjithëpërfshirës, pritet që kah mesi i gushtit të kthehet në Kosovë ambasadori Eide dhe të bëjë hartimin përfundimtar dhe vlerësimet e tij përfundimtare. Çka pritni për procesin e decentralizimit – çfarë do të jetë vlerësimi i tij dhe a mendoni se do të arrini t’i kënaqni kërkesat e zotit Eide?

Lutfi Haziri
Unë nuk kam pasur mundësi që ta njoftoj për të gjitha detajet e angazhimit tonë në këtë proces, por besoj që ardhja e tij në mes të gushtit do të mundësojë që të njihet me shumë detaje dhe me vizionin dhe rrugët me të cilin ne planifikojmë ta detyrojmë procesin e reformave në Kosovë. Një çështje për të cilën jam i sigurt, është se ambasadori Eide është shumë i pavarur në punën e tij dhe njohës shumë i mirë i rrethanave në Kosovë dhe ashtu siç ka qenë i paparashikueshëm në vlerësimin e ngjarjeve të 17 marsit - përmes një angazhimi serioz dhe të thellë ka arritur t’i identifikojë të gjitha problemet që ka pasur Kosova, do të arrijë që përmes angazhimit të tij të drejtpërdrejtë dhe personal do të arrijë ta vlerësojë drejt angazhimin e institucioneve tona dhe të ofrojë rrugën për zgjidhjen e statusit final që do të jetë pjesa kryesore e punës së tij në Kosovë. Sa u përket angazhimeve tona, unë jam i gatshëm t’i ofroj të gjitha ato që kemi bërë dhe sfidat që kemi pasur, e pse jo edhe dobësitë që kemi evidencuar gjatë rrugës disamujore.

Intervistoi Rrahman Paçarrizi

XS
SM
MD
LG