Ndërlidhjet

VEPRIMTARËT PËR TË DREJTAT E NJERIUT DHE PËRFAQËSUES TË POLICË KANË MENDIME TË NDRYSHME PËR ARRESTIMET E ANËTARËVE TË "LËVIZJES..."


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ligji për Kundërvajtje i ish-Jugosllavisë, që ende zbatohet në Kosovë, është baza ligjore mbi të cilën është mbështetur Shërbimi Policor i Kosovës me rastin e kryerjes së rreth 120 ndalimeve të pjesëtarëve të Lëvizjes për Vetëvendosje, që gjatë 50 ditësh kanë shkruar gjithandej Kosovës sloganet “Vetëvendosje, jo negociata”. Përderisa, policia thotë se ligji i obligon të ndërhyjnë kur institucionet ose qytetarët ankohen për prishje rendi, zyrtarë të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe njohës të ligjit thonë se kjo është në kundërshtim me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Refki Morina, shpjegon për Radion Evropa e Lirë, bazën ligjore për ndalimin e pjesëtarëve të “Lëvizjes...”:
- Në Kosovë ende është në fuqi Ligji për Kundërvajtje, përkatësisht për rendin dhe qetësinë publike dhe në bazë të këtij ligji bëhet ndalja e të gjithë personave që konform neneve dhe alineve të këtij ligji, kur bien në kundërshtim me të, atëherë ndalohen personat e tillë dhe merren në stacion.

Zoti Morina, thotë se policia duhet të zbatojë ligjet ekzistuese në bazë të të cilave punon edhe policia edhe gjykatat, ndërkohë që nuk është detyrë e policisë ndryshimi i ligjit, por respektimi i tij.
Mirëpo, zyrtari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, Ibrahim Makolli thotë se veprimet e policisë janë të kundërligjshme.

- Këshilli ka vlerësuar se ndërhyrjet e policisë janë të kundërligjshme dhe gjithsesi paraqesin shkelje të të drejtave të njeriut dhe, në këtë kontekst, mohohet e drejta e qytetarëve dhe e grupeve të tjera që të shprehin mendimet dhe idetë e tyre në format e ndryshme, ashtu siç edhe parashihet me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, thotë zoti Makolli, sipas të cilit KMDLN-ja ka kërkuar nga autoritetet e rendit që të ndërpresin praktikat e tilla.

Avokati Tomë Gashi pajtohet me pohimet e Këshillit për shkelje të të drejtave për shprehje të lirë të mendimit politik dhe shpjegon rrugën ligjore të zgjidhjes së konflikteve të ligjeve vendore me standardet ndërkombëtare:
-Sipas rregullores 24/99, që është rregullore e UNMIK-ut për ligjin e aplikueshëm në Kosovë, në qoftë se standardet ndërkombëtare vijnë në kundërshtim me çfarëdo ligji që aplikohet në Kosovë, atëherë duhet të vlejnë standardet ndërkombëtare e jo ligji, në këtë rast, ligji për kundërvajtje që është ligj jugosllav dhe që është një ligj që nuk zbatohet as në vetë Serbinë dhe Malin e Zi.

Prandaj, avokati Tomë Gashi mendon se pavarësisht ligjit të aplikueshëm që është në fuqi, këtu kemi të bëjmë me slogane politike:
- Policia thirret në Ligjin për Kundërvajtje, i cili është ligj që aplikohet edhe sot në Kosovë, edhe pse është ligj jugosllav. Unë mendoj se policia nuk ka të drejtë t’i arrestojë anëtarët e Lëvizjes për Vetëvendosje, meqenëse kemi të bëjmë me një aktivitet të pastër politik.

Në anën tjetër, zëdhënësja rajonale e SHPK-së për Prishtinë, Sabrie Kamberi thotë se ndalimi i pjesëtarëve të Lëvizjes është bërë pas ankesave të institucioneve apo të qytetarëve:

- Ata janë ndaluar dhe janë sjellë në stacionin më të afërt të policisë, pasi kanë bërë prishje të rendit dhe qetësisë publike, në këtë rast, shkrimin e grafiteve, pasi që janë ankuar njerëzit të cilët u përkasin atyre institucioneve apo muret ku janë shkruar grafitet, thotë zëdhënësja Kamberi, duke shpjeguar arsyet pse policia nuk ndërhyn në rastet e shkruarjes së grafiteve të tjera, që në pjesë të caktuara të Prishtinës janë tepër të zakonshme. Mëtutje, ajo thotë se në ato raste nuk është ndërhyrë pasi askush nuk është ankuar.

Albin Kurti udhëheqës i Lëvizjes për Vetëvendosje, që është ndaluar disa herë nga policia, mendon se SHPK-ja është në shërbim të "regjimit të UNMIK-ut", siç shprehet ai, ndërkohë që, sipas tij, sloganet "Vetëvendosje, jo negociata" janë në kundërshtim me politikën e UNMIK-ut që e çon Kosovën kah negociatat me Serbinë. Ai thotë se përmes vajtje ardhjeve të Kai Eides, i cili vizitoi Beogradin dhe Moskën dhe përmes formimit të Forumit Politik, i cili paraqet ekipin negociator, UNMIK-u po i përgatit negociatat e Kosovës me Serbinë për statusin e Kosovës, ku Kosova është palë e pabarabartë:
- Ne të Lëvizjes së Vetëvendosjes mendojmë se liria është zgjidhja për Kosovën, pra që populli i Kosovës duhet të vendosë vetë dhe jo politikanët servilë e të shantazhuar të negociojnë me Serbinë, prandaj, edhe gjithandej nëpër Kosovë vazhdojmë ta shkruajmë parullën tonë të mirënjohur, që është në kundërshtim të plotë me UNMIK-un dhe politikën e tij. Zoti Kurti shpjegon se policia është gjithnjë e me brutale ndaj aktivistëve të kësaj organizate dhe brenda 50 ditësh janë bërë 121 arrestime ndaj anëtarëve të lëvizjes.

Lidhur me këtë çështje edhe qytetarët kanë qëndrimet e tyre. Musa Basha, profesor në pension, mendon se policia nuk bën mirë që i arreston të rinjtë që shprehin mendimin e tyre:
- Kanë të drejtë të gjithë studentat dhe fëmijët. Nuk është e drejtë policia ti arrestoj apo me ti fusë nëpër burgje.

Ndërsa, i riu Isak Lupçi thotë se të dyja palët kanë të drejtat e tyre:
- Lëvizja Vetëvendosja i ka të drejtat e veta, ndërsa policia i ka të drejtat e veta që nuk dëshiron të shkruhen muret, apo gjëra të tilla... Lëvizja... i ka do të mira, dhe të drejtat e veta që duan t’i shprehin, pra “vetëvendosje, jo negociata”.

Avokati Tomë Gashi e sheh si paradoksale situatën kur gjyqtarët detyrohen të dënojnë aktivistët e Lëvizjes:
-Mendoj se secili gjykatës para se të vendosë për dënimin e dikujt nga “Lëvizja për Vetëvendosje”, duhet të mendojë mirë, pasi disa prej gjykatësve vetë kanë qenë të dënuar për shkruarjen e grafiteve të ngjashme diku në vitin 1981 apo më pas.
XS
SM
MD
LG