Ndërlidhjet

MOORE:"STATUSI NUK ËSHTË DHURATË"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mur, ditëve të fundit nga burime diplomatike të Perendimit janë dëgjuar zëra kritikë drejtuar udhëheqjes së Kosovës për kthim të ngadalshëm të të shpërngulurve dhe ecje të ngadalshme të decentralizimit. Disa thonë se këto kritika mund të jenë sinjal për zhagitjen e hapjes së çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës?

PATRICK MOORE
Nuk mendoj se kemi të bëjmë me synim për të zhagitur fillimin e diskutimeve, sepse në këtë rast duhet parë më shumë se kjo. Unë këtë (kritikat) e shoh mbase si përgatitje politike dhe psikologjike për fillimin e bisedimeve. Mesazhi i të huajve drejtuar kosovarëve ka të bëjë me faktin se statusi nuk do të jetë dhuratë dhe se është një çështje për të cilin duhet angazhim dhe punë. Mendoj se ka një mesazh edhe për serbët dhe veqanërisht për serbët e Kosovës: interesat e tyre do të mbrohen dhe askush nuk është në nguti për t'u dhuruar shqiptarëve pavarësinë. Është edhe një çështje që ka të bëjë me të huajt – ka të atillë që mendojnë se duhet filluar të mendohet për largimin nga Kosova për të kursyer mjete që janë shpenzuar në këtë proces. Ata mendojnë se Kosova është duke u kushtuar më shumë dhe duke u marrë kohë më të madhe se çfarë ishte paraparë fillimisht. Rrjedhimisht, kritikat e fundit duhet shikuar edhe nga ky këndvështrim.

RADIO EVROPA E LIRË
Politikanët kosovarë pohojnë se ata janë në pozitë të vështirë sa i përket decentralizimit, sepse siç thonë, Beogradi po bënë presion mbi serbët e Kosovës që të refuzojnë bashkëpunimin rreth këtyre çështjeve...?

PATRICK MOORE
Ky është një aspekt i qëlluar. Ministri Petkoviq tash sa kohë ka thënë se interesat e serbëve të Kosovës dhe të Beogradit janë të ndryshme dhe se Beogradi është duke manipuluar serbët e Kosovës për qëllime të veta. Duke i mbajtur serbët jasht procesit negociatorë dhe duke bërë propagandë se sa i përket decentralizimit asgjë nuk është në rregull, Beogradi është duke penguar. Faktorët e jashtëm nuk bënë të lejojnë Beogradin të vazhdojë këtë lojë, përkatësisht këtë shantazh deri në pafundësi.

RADIO EVROP E LIRË
Këtë javë dëgjuam deklaratën e ministres së Jashtme të Zvicres, Kalmi Rej, që tha se Zvicra mbështet pavarësinë e Kosovës me të drejtat e plota për pakicat. Çdo të thotë kjo deklaratë e një vendi në nivelin ministror, me të cilën mbështetet pavarësia e Kosovës?

PATRICK MOORE
Kjo deklaratë është bërë nga një vend që ka popullatë shumë të madhe nga Kosova. Nuk dëshiroj të zhgënjej askë, por kisha për të thënë se nuk duhet kushtuar vëmendje të madhe kësaj deklarate. Zvicra është një vend i mirë për ta vizituar, për të jetuar ose punuar, por nuk ka zë të rëndësishëm në marrëdhënjet ndërkombëtare. Nuk është anëtare e Kuintit, nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe as e NATO-s. Zyrtarët zviceranë mund të bëjnë prononcime të tilla pa humbur asgjë politikisht dhe pa paguar asnjë çmim në të ardhmne për ato. Mendoj se është një diplomaci e mirë nga ana e Zvicres, por asgjë më shumë se kjo.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG