Ndërlidhjet

ARIFI: QEVERIA DO T'I DËSHMOJË Z. EIDE SHUMËÇKA NGA PËRPARIMET NË STANDARDET


Kai Eide fillon turinfinal në Kosovë

Qeveria e Kosovës është e gatshme t’ia prezantojë të arriturat e deritashme në përmbushjen e standardeve, ambasadorit Kai Eide, i cili javën e ardhshme do të vijë në turin e tretë të vizitave të tij Kosovës, në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, për vlerësimin e thellësishëm të standardeve dhe aspekteve të tjera politike të situatës në Kosovë. Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për standardet, Avni Arifi tha për Evropën e Lirë se përderisa në vizitat e mëhershme zoti Kai Eide, pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar në terren, duke vlerësuar të arriturat dhe përparimet në përmbushjen e standardeve, këtë radhë më shumë do të diskutojë me vetë institucionet:
"Në fazën e tretë ne presim që një pjesë të madhe të kohës do ta kalojë me ne duke shikuar pikërisht të dhënat që dalin nga plani për implementimin e standardeve, rezultatet dhe dokumentacionin e ndryshëm që ekziston lidhur me implementimin e këtyre standardeve."
Koordinatori i qeverisë për standardet zoti Avni Arifi tha se qeveria ka shumëçka nga përparimet në përmbushjen e standardeve për të dëshmuar para zotit Kai Eide, duke pasur parasysh dokumentin me 460 pika, shumica e të cilave tashmë janë përmbushur, ndërkohë që sfida më e vështirë mbetet kthimi i të zhvendosurve:
"Në implementimin e këtyre detyrave është një progres shumë i madh, të cilin edhe KS e ka vlerësuar më 27 maj. Ne do të bisedojmë për të gjitha këto të arritura, ndërsa sa u përket sfidave kryesore që dalin, kryesore mbetet, sfidë e vetme dhe më vështirë numri i vogël i të kthyerve."
Në të vërtetë pas një takimi me ambasadorin Eide, Grupi i Kontaktit pati bërë vërejtje lidhur me numrin e vogël të personave të zhvendosur që kanë vendosur të kthehen në Kosovë, duke kërkuar njëkohësisht angazhim konkret të liderëve në terren. Zoti Arifi tha se sa i përket kësaj sfide qeveria ka argumentet e veta, pasi fakti që donatori më i madh për kthimin mbetet qeveria e Kosovës është një dëshmi e përkushtimit të sinqertë dhe konkret të institucioneve për realizimin e këtij procesi, ndërkohë që secila komunë e Kosovës tashmë ka miratuar strategjinë për kthim:
"Nuk ka asnjë rezistencë në asnjë komunë të Kosovës ndaj kthimeve dhe ata qytetarë që janë kthyer në shumicën e rasteve sa i përket akceptimit të tyre janë të kënaqur, mirëpo komponenti ekonomik është një prej faktorëve që po e pamundëson edhe qëndrimin e tyre, edhe kthimin e më shumë serbëve."
Sipas zyrës së UNMIK-ut për kthim dhe komunitete deri më tash në Kosovë janë kthyer 13 mijë persona të zhvendosur, ndërkohë që kanë mbetur edhe rreth 150 mijë të tjerë. Fondet për realizimin e kthimit të qëndrueshëm janë të pamjaftueshme kanë thënë zyrtarët e UNMIK-ut, serbët e kthyer disa herë kanë theksuar se pengesa kryesore për kthimin nuk është tashmë mungesa e sigurisë, por komponenti ekonomik.
Sidoqoftë, kjo pritet të jetë vizita e fundit e zotit Eide në kuadër të misionit të tij, ndërsa raporti i tij pritet të jetë i gatshëm deri në fund të shtatorit, edhe pse vetë zoti Eide ka thënë se nuk do të donte që koha e përpilimit të raportit t’i kufizohej. Një raport pozitiv i zotit Eide, do të hapte rrugën për procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

Rrahman Paçarizi




XS
SM
MD
LG