Ndërlidhjet

HASANI: KLASA POLITIKE SHFAQ ELEMENTE PAPËRGJEGJËSIE


Intervistë me z. Ismail Hasani, ligjërues në Universitetin e Oslos në Norvegji

EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, Grupi i Kontaktit së fundi u ka bërë vërejtje institucioneve të Kosovës lidhur me ngadalësinë në procesin e decentralizimit. Si i shihni Ju këto vërejtje, në fakt, me çfarë kanë të bëjnë vërejtjet e tilla në këtë kohë?

ISMAIL HASANI
Është e natyrshme që Grupit i Kontaktit ka kompetencë morale që të bëjë vërejtje në kuptim të përmbushjes së standardeve drejtuar institucioneve vendore, institucioneve të Kosovës. Kur them ka të drejtë morale mendoj për vullnetin dhe dëshirën e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit për të parë progresin në Kosovë, progres që është i drejtuar përpjekjet për avancim të kritereve që parashtrohen në standardet para statusit. Në këtë drejtim unë nuk shoh asgjë të keqe në qortimet që vijnë nga faktori ndërkombëtar, në këtë rast nga Grupi i Kontaktit dhe faktori politik dhe institucionet e Kosovës do të duhej t’i merrnin këto vërejtje si sugjerime te miqve, si vërejtje që kanë një synim, që të shënohet progresi në Kosovë, dëshirë që e kanë edhe institucionet e Kosovës edhe politikanët tanë.

EVROPA E LIRË
Sa mund të jenë realiste apo të qëndrueshme qortimet, e Grupit të Kontaktit ndaj institucioneve të Kosovës, kur dihet se procesi i decentralizimit në masë të madhe varet edhe nga vullneti i komunitetit serb në ato vendbanime për të bashkëpunuar?

ISMAIL HASANI
Unë nuk bëj asnjë përjashtim, kur them institucionet dhe politikanët e Kosovës, pasi këtu përfshihen edhe bartësit apo reprezentët e institucioneve dhe politikanëve joshqiptarë të Kosovës, në këtë rast serbët. Po të shikojmë se mbi kë bie përgjegjësia për pengesat që i bëhen procesin shumë të rëndësishëm të decentralizimit, atëherë adresa është e qartë – është një pjesë e fragmentarizuar e elementit serb që është edhe më tutje e ndikuar nga instruksionet që i jepen nga kuzhinat politike të Beogradit dhe njerëzit që mbase mund ta kenë humbur rrugën në proceset e përfitimeve politike në këto vendet në tranzicion, siç është Kosova me një mënyrë specifike të adminstrimit, në të cilat situata shpeshherë duhen edhe kompromise edhe marrëveshje, ndoshta edhe jashtinstitucionale pë të avancuar proceset.

EVROPA E LIRË
Dhe, duke pasur parasysh këto vërejtje për decentralizimin, por edhe disa vërejtje për procesin e kthimit, në ç’drejtim mendoni se po shkon vlerësimi gjithëpërfshirës i standardeve, por edhe i aspekteve të tjera politike nga ambasadori Eide?

ISMAIL HASANI
Unë kam drojën time për vlerësimin përfundimtar pritet të bëhet dhe raporti që do të bëjë ambasadori norvegjez Kai Eide. Arsyet janë të njohura, pasi ka një progres të shënuar në Kosovë, por po ashtu ka edhe adresime të kontestueshme, të cilat në jetën politike dhe institucionale nuk mbeten pa gjurmë, domethënë sjelljet dhe veprimet e institucioneve në Kosovë japin për të dëshiruar në proceset të cilat është e nevojshme të intensifikohen në këto momente. Këtu mendoj, para së gjithash, në shantazhet që u bëhen proceseve si decentralizimi – dihet se përgjegjësia për këtë bie mbi qarqet e fragmentarizuara që veprojnë me instruksione të Beogradit, por edhe në të njëjtën kohë përgjegjësia bie edhe mbi mospërgjegjësinë dhe joprofesionalitetin e duhur të burokracisë dhe të disa segmenteve në jetën politike dhe institucionale në Kosovë.

EVROPA E LIRË
Sipas jush, vlerësimi përfundimtar i raportit të zotit Eide, a do të jetë i mbështetur kryekëput në përparimet që arrihen në Kosovë dhe në vlerësimin e gjendjes në Kosovë, apo do të ketë edhe faktorë të tjerë dhe nëse po, cilët mund të jenë ata?

ISMAIL HASANI
Ambasadori Eide ka një detyrë shtëpiake të dhënë në mënyrë precize nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, që të bëhen sondazhe, të hulumtohet terreni dhe mbi këtë bazë të bëhet një raport që do të jetë meritor për afatizimin e hapjes së bisedave për statusin përfundimtar të Kosovës. Sa më parë që politikanët tanë në Kosovë e kuptojnë këtë detyrë, aq më e shpejtë do të jetë ajo datë kur përfundimisht do të kemi rastin që të shohim rezultate konkrete në drejtim të përparimit të përgatitjeve për hapjen e negociatave për statusin final të Kosovës.

EVROPA E LIRË
Dhe, sipas jush, cilat janë gjasat që kjo të fillojë shpejt, domethënë që të hapet procesi i përcaktimit të statusit?

ISMAIL HASANI
Unë nuk mund të paragjykoj se çfarë raporti do të bëjë Kai Eide, por reagimet nuk janë shumë të favorshme, të paktën për këtë fazë, në qarqet e ndryshme diplomatike lidhur me atë se çfarë në të vërtetë do të përgatisë Kai Eide. Unë nuk them se fati i Kosovës është në duart e një personi – ai në këtë rast është reprezent i OKB-së dhe me siguri se raporti do të jetë shumë pozitiv, do të jetë gjithëvlerësues dhe me kompetencë, përndryshe përshpejtimi për datën që njerëzit e presin me padurim, nuk varet ekskluzivisht vetëm prej asaj çfarë Kai Eide do të bëjë, sepse unë konsideroj se institucionet e Kosovës do të duhej ta intensifikojnë aktivitetin e vet tash, që të japin prova se mangësitë e deritashme në implementimin e asaj që në jetën e përditshme i themi përpjekje për avancime institucionale janë të vazhdueshme. Në këtë kontekst, unë mendoj se edhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës në drejtim të përshpejtimit të procesit të decentralizimit dhe detyrave të tjera që janë të lidhura me zbatimin e standardeve para statusit do të jenë pjesë e vlerësimeve përfundimtare që në qarqet e ndryshme të vendosjes do të merren si elemente që avancojnë proceset e tilla.

EVROPA E LIRË
Por, a është klasa politike e Kosovës e përgatitur që në një të ardhme të afërt t’i hyjë fazës së përcaktimit të statusit përfundimtar?

ISMAIL HASANI
Unë konsideroj se në formën e tillë të një klase politike që kohë pas kohe shfaq elemente të rigjiditetit, elemente edhe të një, ta them kushtimisht, të një mospërgjegjësie në situata të ndryshme, nuk është, mirëpo mua më mban shpresa se më në fund burokracia, institucionet e Kosovës do të vetëdijesohen që brendapërbrenda mekanizmave të ndryshme joformale të kenë njerëz që me kompetencë ndihmojnë proceset në trajtën e grupeve të ndryshme punuese, profesionale ose formave të ndryshme të cilat do të jenë pjesë e përgatitjeve për t’i dalë përballë këtij procesi, procesi i cili është shumë i ndërlikuar, shumë i përgjegjshëm dhe që kërkon në situata të ndryshme edhe përpjekje mbinjerëzore, sepse tani është koha që Kosova të japë prova për të ashtuquajturin vullnet plebishitar të popullsisë së Kosovës për pavarësi dhe mbi të ashtuquajturat deklarime të faktorit institucional dhe politik për pavarësinë e Kosovës si minimum i kërkesave të popullsisë së Kosovës.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG