Ndërlidhjet

JANJIQ: DECENTRALIZIMI, RAST I VËRTETË QË TË ZGJIDHET PROBLEMI I INSTITUCIONEVE PARALELE


DUSHAN JANJIQ, KRYETAR I FORUMIT PËR MARRËDHËNIE ETNIKE NË BEOGRAD

EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, si e vlerësoni qëndrimin aktual të Beogradit lidhur me procesin e decentralizimit në Kosovë?

DUSHAN JANJIQ
Më duhet të them se nuk e kam të qartë deri në fund se cili është qëndrimi i Beogradit, përveç se Beogradi vazhdon të përsërisë se është i interesuar për decentralizimin, sepse ai shihet si një nga elementët për rritjen e sigurisë dhe përshpejtimin e kthimit në Kosovë. Por kur është fjala për strategjinë e përgjithshme, Beogradi dëshiron të jetë partner në ato bisedime, qoftë direkt qoftë indirekt duke mbështetur bashkësinë serbe. Por, nuk është e qartë nëse Beogradi ka plane apo taktikë për këtë. Shtrohet pyetja a është larguar Beogradi nga qëndrimet e Kuvendit të Serbisë. Mendoj se për momentin kjo e bllokon Beogradin që të jetë më fleksibil në bisedimet. Kuptohet që ka edhe disa probleme: politika rreth Kosovës është e përqëndruar vetëm në kabinetin e Koshtunicës, kurse problemi tjetër është se në vetë Kosovën nuk ekziston pasqyrë e qartë se kush në të vërtetë i përfaqëson serbët.

EVROPA E LIRË
A mendoni se pozicionet e Beogradit janë forcuar me faktin se një pjesë e serbëve ende vazhdojnë t'i bojkotojnë institucionet e Kosovës?

DUSHAN JANJIQ
Ky është fakt i njohur prej vitit 1999 se ekzistojnë të ashtuquajturat institucione paralele dhe disa nevoja, të cilat deri tash nuk i kanë zgjidhur as UNMIK-u e as Qeveria e Kosovës. Fjala është për shëndetësinë, arsimin, dhe kulturën në enklavat serbe. Njëkohësisht, është fakt se atje ekzistojnë disa struktura nga Serbia, të cilat ndoshta fare nuk funksionojnë. Ato për momentin nuk janë problemi kryesor. Ato janë institucione, të cilat i kënaqin nevojat e qytetarëve ose thjesht zhduken. Ato që nuk janë verifikuar te shfrytëzuesit, si p.sh. shëndetësia, mbahen vetëm me një ndihmë buxhetore nga Beogradi.
Ajo që për momentin paraqet problem, është se serbët nuk janë në gjendje të flasin me një zë. Më duhet të them se tash problem më i madh janë të ashtuquajturit "serbët e butë", ata që marrin pjesë në institucionet, kurse pas vetes nuk e kanë mbështetjen e qytetarëve. Në një farë mënyre, edhe Qeveria e Kosovës, siç bëri para ca kohe, zoti Haziri, më shumë dëshiron të bisedojnë me Oliver Ivanoviqin, dhe asnjëherë nuk pyetet se çfarë fuqie ka ai që diçka të zbatojë. Me këtë del në shesh problemi numër një: që në emër të serbëve negociojnë ata, për të cilët dihet se nuk kanë mundësi të zbatojnë, që dmth. se serbëve ende vazhdon t'u dërgohet mesazhi që të mbesin jashtë institucioneve. Sepse, po të deshin Qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u vërtetë ta tejkalojnë problemin e të ashtuquajturave "institucione paralele", atëherë do të hynin në bisedime direkte me njerëzit që i udhëheqin ato institucione, pra do të kishin ndonjë strategji apo plan për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Decentralizimi është rasti i vërtetë që kjo të zgjidhet përmes bisedimeve.
Problemi tjetër që e shoh me këto para-institucione, është se sinqerisht t'ua them, unë nuk e shoh qëllimin e vërtetë te Qeveria e Kosovës që ta përfundojë decentralizimin para fundit të vitit 2006.

EVROPA E LIRË
E përmendët Qeverinë e Kosovës. Si e shihni politikën e autoriteteve të Kosovës ndaj çështjes së pakicave?

DUSHAN JANJIQ
Ata kanë qëndrim të qartë, dhe këtë na e përsërisin në shumë biseda. Ata konsiderojnë se do të kenë më shumë përgjegjësi kur do t'u bartet i gjithë pushteti Kur thuhet gjithë pushteti, mendohet në pavarësinë e Kosovës, apo siç e tha presidenti Rugova, "një herë statusi, pastaj standardet". Por kur bëhet fjalë për realitetin, ju do të dëgjoni pohime, siç dëgjova unë nga kryetari i Kuvendit, se Kosova ka mbrojtje më të mirë të pakicave në Evropë. Pra, nga njëra anë ekziston ajo shprehje ideologjike, në të cilën nuk besojnë as vetë politikanët. Por sa i përket realitetit, Qeveria e Kosovës i ka duart e lidhura. Nga njëra anë, as ajo vetë nuk ka ndonjë plan serioz, psh. nuk ka ligj për pakicat, dhe as që ka ndonjë trup që do të merrej me këtë çështje. Më duhet të them se institucionalisht, shumë pak punohet. Në praktikë, një pjesë e madhe e kompetencave është në duart e UNMIK-ut, kështu që gjithmonë ekziston justifikimi. Gjithashtu është edhe problemi i tretë, që e përmendët ju, se kur është fjala për bashkësinë serbe, ajo edhe më tej ka mbështetje më të fuqishme te institucionet e veta dhe ato që përkrahen nga Serbia, se sa te institucionet që ofrojnë UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës.

EVROPA E LIRË
Z. Janjiq, çfarë raporti pritni nga i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, z. Kai Eide, lidhur me përmbushjen e standardeve dhe normave demokratike në Kosovë.

DUSHAN JANJIQ
Unë nuk do të spekuloja me raportin. Është e qartë se Kai Eide nuk mund të dalë jasht vendimeve të Këshillit të Sigurimit, i cili dy herë tha se pas raportit do të kalohet në fazën e bisedimeve për statusin. Pra, do të mbetet të bëhet edhe shumë lidhur me standardet, por do të kalohet në fazën e bisedimeve për statusin, dhe kjo është më kryesorja.

EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, cili është qëndrimi juaj lidhur me çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës?

DUSHAN JANJIQ
Më duhet të them se unë jam kundër fjalës përfundimtar, sepse ajo nuk i përgjigjet historisë e as realitetit. Unë kur linda mendonim se Jugosllavia do të jetë përgjithmonë, por e pamë se nuk doli ashtu. Pastaj, më duhet të them se ideologjia e zgjidhjeve përfundimtare nxit spastrime etnike. Ajo që unë shoh dhe që është realitet, është se Kosova faktikisht është e pavarur nga Beogradi. Kur do të lirohet nga protektorati ndërkombëtar, është shumë vështirë të thuhet. Mendoj se Kosova do të kalojë edhe nëpër një fazë të statuseve të ardhshëm apo të përkohshëm. Sidoqoftë, mund të themi se për nja 10 vjet, kur të vendosen institucionet dhe të organizohet shoqëria e Kosovës, por edhe ajo e Serbisë, me siguri atëherë do të ndodhin ato bisedime të dëshiruara për statusin përfundimtar. Sinqerisht t'ju them, unë nuk mund ta përjashtoj as pavarësinë, por as që mund ta përjashtoj respektimin e Aktit të Helsinkit, pra marrëveshjen për kufinjtë e rinj. Nëqoftëse pavarësia do të realizohej vetëm në bazë të dëshirës së njërës palë apo do të imponohej, ky do të ishte problem i ri në Ballkan. Shpresoj se do të respektohet agjenda ndërkombëtare, që ky problem të shkojë paralelisht me inkuadrimet në institucionet evropiane, me zgjërimin e bashkëpunimit rajonal, dhe me ndonjë status të mundshëm kalimtar, të cilin shqiptarët do ta quanin "pavarësi e kushtëzuar", kurse serbët "vazhdim të protektoratit", me siguri të Bashkimit Evropian. Pra, mund të parashoh që nga fundi i 2006-ës, në vend të UNMIK-ut të vijë një mision i Bashkimit Evropian me mandat më të gjatë, i cili do ta ketë për detyrë që edhe Kosova, edhe Serbia, të shkojnë në Bashkimin Evropian.

Intervistoi Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG