Ndërlidhjet

SPAHIU: NË SHQIPËRI EKZISTOJNË 15 FAMILJE MAFIOZE, QË JANË TË LIDHURA ME POLITIKËN


Intervistë me Kreshnik Spahiun, drejtor i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Spahiu, në një deklarim publik keni thënë se në Shqipëri ekzistojnë 15 familje mafioze. A mund të na thoni diçka më shumë rreth këtij fakti?

KRESHNIK SPAHIU
Po, është mëse e saktë që në Shqipëri operojnë së paku 15 familje mafioze, pesë nga të cilat janë në qytetin e Durrësit. Këto familje kanë shfrytëzuar një traditë klanore që ka për bazë lidhjet familjare apo klanore që janë bërë prej disa kohësh traditë e shoqërisë shqiptare. Së dyti shumë prej tyre kanë operuar prej vitesh jashtë territorit të Shqipërisë për shkak të pjesëmarrjes në grupe dhe organizata kriminale të përfshira në trafikun e drogës, prostitucionit e armëve. Por tashmë është shumë prej tyre janë kthyer dhe kanë vendosur rezidencat e tyre në Shqipëri pasi shihet si një terren i përshtatshëm për të pastruar paratë. Shumë prej tyre paratë e grumbulluara përmes aktiviteteve kriminale të trafiqeve të zhvilluara jashtë Shqipërisë tashmë i kanë pastruar duke ngritur bizneset e tyre e madje duke vendosur edhe monopole në sektorë të ndryshëm të ekonomisë në vend.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas informacioneve që ka Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve këto familje mafioze a kanë lidhje me politikën?

KRESHNIK SPAHIU
Sigurisht që këto familje mafioze kanë lidhje me politikën, madje ka disa informacione që dy prej tyre kontrollohen apo menaxhohen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga dy nga politikanët më të lartë të vendit. Nga ana tjetër thuajse të gjitha familjet mafioze janë një nga burimet kryesore të financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore në vend.

EVROPA E LIRË
A keni bërë denoncime konkrete për këto fakte apo jeni ende në proçesin e mbledhjes së informacionit?

KRESHNIK SPAHIU
Sigurisht që ne po operojmë në lidhje me disa projekte, një nga të cilët është dhe transparenca e financimit të partive politike në vend. Duke iu referuar zgjedhjeve të 3 korrikut, fatkeqësisht fushata e këtyre zgjedhjeve ka pasur faturën më të shtrenjtë, pra ishin zgjedhjet më luksoze në vend. Zgjedhjet kanë shënuar rekord për mungesën e transparencës pasi të gjitha partitë politike kanë operuar përmes financimeve në kesh, duke shmanguar transaksionet bankare dhe duke fshehur burimet e financimit të tyre. Kjo në thelb do të thotë fshehje e origjinës së shumë parave që kanë dalë nga kontrabanda, trafiqet apo burime jo ligjore.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Spahiu, aktualisht ende nuk i kemi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Dihet që Partia Demokratike ka fituar zgjedhjet, por ende nuk ka përfunduar proçesi, çfarë ka bërë që të mos mblidhet qeveria e re. Kjo vonesë si ndikon në gjendjen e krimit në Shqipëri?

KRESHNIK SPAHIU
Tashmë faktet janë evidente, ka një rëndim dhe rritje të nivelit të krimit në vend. Por më e rëndësishmja është që institucionet dhe shteti kanë dështuar dhe ngritur duart para krimit ordiner. Kjo është shumë trishtuese kur pritet që Shqipëria dhe institucionet shqiptare duhet të luftojnë krimin e organizuar dhe mafien. Për sa kohë shteti shqiptar tregon mungesën e forcës dhe efikasitetit për të luftuar krimin ordiner, është e qartë se nuk mund të pritet shumë në luftën kundër krimit të organizuar.

EVROPA E LIRË
Ju mendoni se qeveria që do drejtohet nga zoti Berisha do ta ketë shumë të vështirë luftën kundër krimit dhe nga duhet ta fillojë luftën?

KRESHNIK SPAHIU
Qeveria e z. Berisha nuk do të jetë e suksesshme derisa ta mos ndërmarrë një reformë të thellë institucionale në administratën publike, një reformë ligjore dhe kushtetuese në sistemin e drejtësisë, gjykatat dhe prokurorinë shqiptare dhe në ndërtimin e institucioneve të pavarura, të cilat janë hallkat e zinxhirit të pushtetit në Shqipëri. Është e nevojshme krijimi i një fronti të gjerë në luftimin e krimit të organizuar. Ekzekutivi, pra qeveria vetëm do ta kishte të pamundur të ishte e suksesshme në këtë mision.

Intervistoi: Alma Çupi
XS
SM
MD
LG