Ndërlidhjet

KREU I OSBE-SË, BRICHAMBAUT, FILLOI VIZITËN DY DITORE NË KOSOVË


Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut, ka thënë sot se në Kosovë duhet të respektohen parimet e Kombeve të Bashkuara dhe të vazhdojnë diskutimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ai i ka bërë këto komente të shkurtra gjatë një vizite pjesës veriore të Mitrovicës ku ka takuar përfaqësues të komunitetit serb, të cilëve u ka thënë se OSBE-ja do t’u kontribuojë proceseve të ardhshme politike në të cilat po hyn Kosova:
"Ne sapo patëm një bisedë konstruktive me anëtarët e Kuvendit të Kosovës dhe kemi dëgjuar pikëpamjet e tyre dhe kemi biseduar për decentralizimin, kthimin e të zhvendosurve dhe jemi pajtuar se duhet të ketë kontakte të afërta të Misionit të OSBE-së dhe të gjitha bashkësive etnike dhe partive politike", ka thënë Brichambaut. Ai ka thënë se OSBE-ja duhet të jetë e dobishme për gjetjen e qasjeve të reja, në mënyrë që të mund t’u kontribuojmë proceseve politike që do të ndodhin në muajt e ardhshëm. Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Bichambaut, tha se të gjithë bashkëbiseduesve ua kanë përcjellë porosinë e njëjtë se duhet të ketë bisedime dhe dialog si dhe të punohet sipas parimeve të përbashkëta të misionit të Kombeve të Bashkuara dhe që të gjitha vështirësitë të zgjidhen në mënyrë paqësore. Marc de Brichambaut ka biseduar edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë, të cilët aktualisht bojkotojnë punën e institucioneve të Kosovës dhe grupet punuese, përfshirë edhe atë për decentralizimin. Kryesuesi i këtij subjekti më të madh politik të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, edhe një herë ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me planin e qeverisë për fazën provuese të reformimit të pushtetit lokal, mirëpo, ka thënë Ivanoviq, pesë pilot-njësitë duhet të fillojnë të jetësohen menjëherë:
"Ne jemi përcaktuar qartë për komuna multietnike dhe që të pestat duhet të fillojnë funksionimin menjëherë, mirëpo komunat ku jetojnë serbët duhet të kenë territore më të gjera me më shumë banorë dhe me resurse ekonomike, në mënyrë që ato të jenë të qëndrueshme", ka thënë Oliver Ivanoviq, duke u deklaruar pas miratimit të planit B të decentralizimit nga qeveria e Kosovës, sipas të cilit lejohen më shumë zona kadastrale në një njësi provuese.
Sidoqoftë, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut, ka vizituar sot edhe fshatin Frashër përkatësisht Svinjar, në afërsi të Mitrovicës, në mënyrë që në vendin e ngjarjes të shihte se si jetojnë serbët e këtij fshati, shtëpitë e të cilëve qenë djegur gjatë trazirave të marsit të vitit të kaluar.
Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së do të bisedojë nesër me kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi, me anëtarët e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, me zëvendësshefin e UNMIK-ut Larry Rossin, dhe me komandantin e KFOR-it, Yves De Kermabon.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG