Ndërlidhjet

SERWER:"DËSHTIMI PËR TA PROMOVUAR KTHIMIN KA DOBËSUAR POZICIONIN E PRISHTINËS"


Daniel SERWER, Drejtor për paqe dhe stabilitet në Institutin e SHBA-ve për paqe


RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht ka shumë zhvillime lidhur me çështjen e reformës së pushtetit lokal ose decentralizimit. Pas disa shqetësimeve ndërkombëtare për këtë proces, qeveria e Kosovës ka një plan të ri për decentralizim. Por, ka kundërshtime nga serbët e Kosovës dhe nga autoritetet e Beogradit. Si e vlerësoni ju situatën e përgjithshme lidhur me decentralizimin?

DANIEL SERWER
Mendoj se problem themelor është se ekzistojnë dy kuptime se ç'do të thotë decentralizimi. Beogradi dëshiron që me decentralizim të ndajë qeverisjen e serbëve në territorin e tyre. Më duket se ndërkombëtarët dhe Prishtina po thonë: jo, decentralizimi do të duhej të nënkuptonte decentralizim gjeografik, duke u dhënë serbëve më tepër të drejta në disa lokalitete, por jo ndarje të qeverisjes serbe nga korniza e përgjithshme e qeverisjes në Kosovë. Përshtypja ime është se këto dy koncepte janë vërtetë krejtësisht të ndryshme dhe, realisht, ekziston nevoja që ndërkombëtarët ta kuptojnë më mirë se çka po kërkon Beogradi dhe, sinqerisht, nga këndëvështrimi im, përse kjo është e papranueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund ta gjejnë ata një zgjidhje, sipas jush?

DANIEL SERWER
Mendoj se Beogradi dhe Prishtina mund ta gjejnë zgjidhjen me ndihmën e Soren Jessen-Petersenit, por mendoj se duhet më tepër qartësi në kryeqytetet e fuqive kryesore ndërkombëtare lidhur me rrezikun që bartë lejimi i ndarjes eksterritoriale në Kosovë. Mendoj se kjo zgjidhje, që fillimisht nuk ka funksionuar në Bosnjë, është një zgjidhje e keqe, që në të ardhmen mund të çojë në dhunë.

RADIO EVROPA E LIRË
Politikanët shqiptarë thonë se dy decentralizm, siç po kërkon Beogradi, është ndarje e Kosovës?

DANIEL SERWER
Mendoj se kjo është saktësisht ajo që e dëshiron Beogradi. Këtë e kanë thënë qartë edhe në rezolutën e Kuvendit të Serbisë. Këtë e ka thënë qartë edhe kryeministri i Serbisë. Më duket se vetëm ndërkombëtarët nuk kanë dëgjuar qartë se çka po thotë Beogradi. Pra, nga këndvështrimi im, është jashtëzakonisht e rëndësishme për ta mbajtur një kornizë të qeverisjes unike në Kosovë dhe për ta bërë decentralizimin ashtu siç duhet të jetë, pra për ta bërë pjesë të zgjidhjes, siç ishte në Maqedoni e në Bosnjë. Nuk shohë arsye që kjo të mos jetë pjesë e zgjidhjes edhe në Kosovë. Por, nuk mund të ketë një lloj decentralizimi të falsifikuar, që thjeshtë ka për qëllim qeverisjen e Beogradit ndaj serbëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo çështje është në mesin e standardeve të tjera, që duhet të zbatohen nga institucionet e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare po pret raportin e zotit Aide për situatën në Kosovë, që do të jetë shumë i rëndësishëm për zhvillimet e ardhshme për statusin e Kosovës. Si e vlerësoni ju në përgjithësi situatën në Kosovë?

DANIEL SERWER
Mendoj se, së pari, duhet të presim të dëgjojmë se çka do të thotë zoti Aide. Mendoj se raporti i tij i fundit ishte me shumë inteligjencë dhe me vlerë. Pres që raporti i ardhshëm të jetë poashtu me inteligjencë dhe paqësor. Nuk më pëlqejnë konkluzionet me paragjykime. Ai ka paralajmëruar se është i pakënaqur me progresin në disa standarde. Mendoj se është e qartë se nuk ka pasur progres të mjaftueshëm veçanërisht në procesin e kthimit në Kosovë dhe kjo ka ndikuar në mbajtjen e idesë që e përmendëm për ndarje eksterritoriale në Kosovë. Fakt është se kthimi i serbëve në bashkësitë e tyre në mbarë Kosovën është një faktor i rëndësishëm në parandalimin e ndarjes eksterritoriale.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, a do të shohim bisedime për statusin final këtë vit?

DANIEL SEWRER
Sinqerishte mendoj se do të duhet ta shohim fillimin e procesit të statusit final këtë vit. Kam lexuar se ka pasur progres në bisedimet e drejtëpërdrejta ndërmjet Prishtinës e Beogradi në fushë të kulturës dhe kjo është shenjë e mirë. Mendoj se po bëhet krejtësisht e qartë se nëse lëvizim kah statusi final, atëherë zvogëlohet mundësia për destabilizim. Mendoj se se kjo i mbetet zotit Aide të vlerësoj, si instancë e parë, e pastaj edhe Grupi të Kontaktit se a është mençuri që të lëvizet përpara në këtë çështje. Edhe më parë kam thënë se duhet të lëvizim përpara dhe ende besoj se duhet të lëvizim përpara në çështjen e statusit final. Por më lejoni të jem i qartë: dështimi për ta promovuar kthimin e ka dobësuar pozicionin e Prishtinës në çfarëdo negociatash për statusin final.

RADIO EVROPA E LIRË
Më herët keni thënë se mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhje për statusin final është që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të punojnë së bashku. Si e shpjegoni këtë qëndrim?

DANIEL SERWER
Nga përvoja. Mendoj se historia e Ballkanit tregon qartas se kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian punojnë së bashku, atëherë arrihet progres. Mendoj se progresi në Ballkan varet shumë nga bashkëpunimi i BE-së dhe i Shteteve të Bashkuara. Kështu ishte në Bosnjë në implementimin e Dejtonit, kështu ishte edhe në krijimin e unionit Serbi – Mali i Zi, të cilin unë ndoshta nuk e pata përkrahur, por në fakt, ai ka sjellë progres në stabilitetin e marrëdhënieve ndërmjet Podgoricës dhe Beogradit, pavarësisht se çfarë do të jetë përfundimi. Mendoj se puna e përbashkët e BE-së dhe e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka qenë faktor i rëndësishëm stabilizues, sikur që ishte faktor pozitiv në Maqedoni lidhur me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Pra, mendoj se përvoja na thotë se kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian punojnë së bashku – ju keni rezultate pozitive. Kur ata nuk punojnë së bashku, siç ndodhi në Bosnjë në fillim të viteve të nëntëdhjeta, kemi vështirësi serioze.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI

XS
SM
MD
LG