Ndërlidhjet

QEVERIA MERR MBËSHTETJEN E GK-SË DHE UNMIK-UT PËR DECENTRALIZIMIN, SERBËT ENDE PA QËNDRIM


Pas mbështetjes që ka marrë nga Grupi i Kontaktit varianti B i planit të Qeverisë së Kosovës për decentralizimin, zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin, ka nënshkruar pesë vendime ekzekutive për përkufizimin territorial të pesë pilot-njësive komunale. Sipas këtyre vendimeve, pilot-komuna e Junikut do të ketë në vete fshatrat Junik, Gjocaj, Rastavicë, Sllup dhe Voksh. Në kuadër të pilot-komunës së Parteshit, me shumicë serbe, do të jenë edhe Budriga e Poshtme dhe Cërnica. Në kuadër të Hanit të Elezit do të jenë 11 fshatra - Dimca, Dromjaku, Goranca, Kriveniku, Neçavci, Palivodenica, Pusteniku, Rezhanca, Seqishta dhe Vërtollnica. Në kuadër të Graçanicës do të jenë Ajvalia, Llaplasella, Preoci dhe Sushica, ndërsa Mamusha me shumicë turke do të jetë një zonë e vetme kadastrale.
Paraprakisht, pas një takimi me zëvendësshefin e UNMIK-ut Larry Rossin, përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit i kanë dhënë mbështetje unike variantit B të planit të qeverisë së Kosovës për decentralizimin. Ata njëkohësisht ftuan serbët e Kosovës që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe t’i përgjigjen reciprokisht gatishmërisë së qeverisë për të mundësuar fillimin e jetësimit të pilot-projekteve, pasi zoti Rossin sot paradite kishte vlerësuar bashkë me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi se varianti B ishte një ofertë e sinqertë dhe serioze drejtuar serbëve të Kosovës për jetësimin e njësive provuese për reformën e pushtetit lokal.
Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg tha se qeveria e Kosovës i ka marrë seriozisht kërkesat e Grupit të Kontaktit dhe në dobi të veten dhe të së ardhmes së Kosovës ka bërë një ofertë e cila do mbështetur:
"Grupi i Kontaktit ka qenë unik lidhur me këtë çështje dhe ka mbështetur UNMIK-un dhe qeverinë në përpjekjet për ta mbajtur derën të hapur dhe për të qenë më të dobishëm, dhe në këtë kuptim, ne e kemi mbështetur planin", tha Goldberg. Ai tha se puna më e rëndësishme e qeverisë është nisja e dialogut me serbët vendorë:
"Unë mendoj se qeveria, kryeministri dhe ministri Haziri sinqerisht e kanë rishqyrtuar planin e njësive provuese për zonat serbe dhe kanë diskutuar me bashkësinë ndërkombëtare. Por ajo që është me rëndësi ato kanë nisur një dialog me disa nga liderët e serbëve të Kosovës", tha Goldberg, ndërkohë që shefi i zyrës franceze në Prishtinë, Thierry Reynard e quajti planin e qeverisë të arsyeshëm:
"Ka pasur një konsensus të gjerë në mesin e Grupit të Kontaktit dhe kemi një propozim të arsyeshëm nga institucionet e Kosovës, prandaj mendojmë se pilot-projektet mund të ecin përpara."
Ndëkrohë që serbët e Kosovës kanë thënë dje se varianti B i shpallur nga qeveria nuk është një ofertë e mjaftueshme për serbët, zoti Ryenard i ka ftuar serbët e Kosovës të marrin pjesë në proces:
"Shpresojmë se të gjithë do të jenë pjesë e procesit dhe që serbët e Kosovës do t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të marrin pjesë", tha Reynard, ndërsa shefi i zyrës amerikane, Philip Goldberg tha se askush nuk mund t’i detyrojë njerëzit të jenë pjesë e një procesi. Kjo është një mundësi dhe ka ide për rrugët përpara për të mbajtur derën të hapur dhe për t’u thënë atyre se nëse duan mund të vijnë:
"Mendoj se në të njëjtën kohë ka probleme me palën serbe, e sidomos me Beogradin për të dhënë më shumë hapësirë për të ecur përpara lidhur me këto çështje", tha zoti Goldberg, duke ftuar serbët që t’i përgjigjen me reciprocitet ofertës së qeverisë.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG