Ndërlidhjet

BERISHA: KLASA QEVERISËSE NUK MUND TË SJELLË REZULTAT POZITIV PËR KOSOVËN, SE MUNGON POTENCIALI INTELEKTUAL


Intervistë me z. Ibrahim Berisha, analist politik

EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, UNMIK-u ka nënshkruar urdhëresat administrative për formimin e pesë pilot-komunave si fazë testuese për reformën e pushtetit lokal. Si e vlerësoni ju këtë zhvillim dhe si do të reflektohet në raportet për përmbushjen e standardeve?

IBRAHIM BERISHA
Çështja e decentralizimit është një temë e cila ka vite që e preokupon politikën e Kosovës dhe nga kjo qasje mund të nxirret një përfundim se nuk ka ndryshuar shumë që nga fillimi, pasi edhe shqiptarët edhe serbët po i qasen decentralizimit në një dimension thellësisht politik dhe jo si interes i qytetarëve, i cili është jetik për të vënë pushtetin dhe të drejtat e administrimit, politike dhe ekonomike më afër qytetarëve, që shërbimet të jenë të përqendruara dhe të drejtuara ndaj qytetarëve. Prishtina është një shembull tipik se si një vend kaq i madh ka kaq shumë probleme nga shkaku i mungesës së një pushteti dyshkallësh, përkatësisht mungesës së decentralizimit. Në anën tjetër, nuk ka ende një qasje serioze, profesionale, administrative, juridike ligjvënëse që decentralizimi të vihet thellësisht në baza të interesit, përkatësisht të shërbimit më të mirë ndaj qytetarëve dhe për qytetarët. Konflikti është real – ka konfuzion për decentralizimin dhe atë nuk e kanë të qartë as shqiptarët dhe as serbët, ngase secili dëshiron të paraqitet më patriot para qytetarëve përkatësisht bashkëkombësve të vet. Politika shqiptare në konfuzionin e vet dëshiron të paraqitet shumë patriotike në kuptimin e pengesave për procesin e decentralizimit real, ndërsa serbët duan të paraqiten patriotë para bashkëkombësve dhe Serbisë, në kontekstin e patriotizmit politik.

EVROPA E LIRË
Sot ambasadori Eide fillon turnin e tij të fundit të vlerësimit të standardeve dhe aspekteve të tjera politike në Kosovë, përpara se të jepet drita e gjelbër e ashtuquajtur për diskutimet për statusin e Kosovës. Çka pritni ju nga raporti i zotit Eide?

IBRAHIM BERISHA
Në bazë të asaj që është thënë deri më tash, në bazë të disa refleksioneve që thuhen nga qendrat e ndryshme ndërkombëtare dhe në bazë të asaj që mund të shihen në Kosovë, raporti i zotit Eide nuk do të zgjidhë asgjë. Do të jetë ashtu –kështu, mirë-keq, pak rezultat-pak dështim, kështu që procesi as do të zgjidhet, as nuk mbyllet. Praktikisht është një proces që vazhdon dhe në një mënyrë apo në një tjetër i kënaq apo nuk i kënaq të gjitha të palët, në këtë rast, nëse bëhet fjalë edhe për Beogradin, edhe për Prishtinën apo edhe për qytetarët e Kosovës.

EVROPA E LIRË
Mirëpo raporti pozitiv apo negativ pritet të jetë vendimtar për fillimin e diskutimeve për statusin e Kosovës?

IBRAHIM BERISHA
Nuk do të ketë raport pozitiv as negativ, do të ketë pak pozitiv dhe pak negativ, ashtu siç gjithmonë jemi mësuar të shohim raportet e tilla. Por, problemi është brenda në proceset që zhvillohen në Kosovë. Ne duhet të jemi shumë preokupuar dhe të përgjegjshëm se ka shumë dështime në Kosovë dhe për dështimet tona nuk mund ta fajësojmë askënd dhe kjo është ajo që e ngurtëson procesin.

EVROPA E LIRË
Javën e shkuar, shefi i zyrës amerikane Philip Goldberg ka kritikuar klasën politike të Kosovës që nuk është mjaft e përgatitur për t’i hyrë procesit të përcaktimit të statusit, domethënë që nuk janë bërë përgatitje për dialogun për statusin final?

IBRAHIM BERISHA
Po, nëse bëhet një analizë e efekteve politike në Kosovë në këta muajt e fundit, mund të them që është një rezultat shumë i varfër, shumë i vobektë. Nuk dua të prejudikojë, por kjo klasë e qeverisësve të Kosovës nuk mund të sjellë asnjë rezultat pozitiv për Kosovën, ngase mungon potenciali intelektual, mungon qasja kritike dhe mungon përgjegjësia për detyrën që e kanë marrë dhe nëse nuk bëhet një renovim i shpejtë, esencial, domethënës i dimensionit qeverisës në Kosovë, atëherë Kosova vetëm do të rrëshqasë në procese të padefinuara pa një gjasë për të pasur një efekt real të pritur që faktikisht qytetarët e duan dhe për të ëndërrojnë.

EVROPA E LIRË
Mirëpo, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë kanë thënë se në standarde janë shënuar përparime të dukshme, pos atyre që kanë të bëjnë me pakicat. Si i vlerësoni ju edhe këto vlerësime ndërkombëtare, por edhe rolin e pakicave e në këtë mes edhe rolin e Beogradit në proceset e mëtejshme?

IBRAHIM BERISHA
Duhet ndarë diçka, pasi standardet janë një detyrë e përhershme e çdo vendi dhe shoqërie në Evropë dhe në botë, domethënë standardet nuk janë të shpikura enkas për Kosovën. E dyta është kur thuhet pakicë – dimensioni i lëvizjes, dimensioni i pronës, i të drejtave të njeriut, i lirisë janë fundamentale për një shoqëri dhe nëse në këtë kontekst bashkësia ndërkombëtare nuk ka një vlerësim pozitiv, atëherë praktikisht të gjitha fjalët e tjera janë sa për të thënë diçka. Deri sa nuk jepet një vlerësim pozitiv për përparime të duhura në lëvizjen e lirë të qytetarëve, për shfrytëzimin e plotë dhe të lirë të pronës së ligjshme të qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, në lirinë e shprehjes, nuk mund të pritet ndonjë “dhuratë” nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për Kosovën.

EVROPA E LIRË
Kur i përmendët SHBA si i vlerësoni hapat e fundit të përfshirjes amerikane në procesin e zgjidhjes së statusit, pas dëshmisë së njohur të zotit Nicholas Burns para Kongresit?

IBRAHIM BERISHA
SHBA kanë interesa konkrete në Kosovë ngase janë të përfshira këtu në aspektin ushtarak, politik dhe diplomatik. Natyrisht që Kosovën nuk mund ta lënë jashtë sferës së tyre të interesit dhe të përgjegjësisë. Në këtë rast, SHBA janë përgjegjëse po aq sa edhe Evropa. Duan një dinamizim të procesit, por po them që ky dinamizim nuk mund të bëhet pa një renovim të madh të brendshëm të qeverisjes, të administrimit dhe të qeverisjes në Kosovë. Dhe, më duket se dimensioni i veprimit të qeverisë amerikane është në këtë plan - që të ndryshohet përgjegjësia dhe qasja në qeverisje, që mendoj se është problemi themelor në Kosovë.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG