Ndërlidhjet

PETERSEN: INSTITUCIONET NUK DO MBAHEN PËRGJEGJËSE PËR MOSBASHKËPUNIMIN E SERBËVE


Bisedimet për statusin do fillojnë së shpejti

Jemi në rrugë të mbarë që përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës të fillojë gjatë muajve të ardhshëm ka deklaruar shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovës Soren Jessen Petersen, duke vlerësuar se zgjidhja e statusit të Kosovës do të ndihmonte edhe kthimin e të zhvendosurve, por edhe përmirësimin e lirisë së lëvizjes për pakicat. Këto komente shefi i UNMIK-ut Jesen Petersen i ka bërë sot pasdite në aeroportin e Prishtinës me t’u kthyer nga një pushim pesëmbëdhjetëditësh jashtë Kosovës. Me këtë rast ai e ka cilësuar një hap të rëndësishëm edhe vendimin e qeverisë për nxjerrjen e planit B për decentralizimin, që është pasuar nga nënshkrimi i vendimeve ekzekutive për pesë pilot-komunat, nga zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin:
"Unë isha shumë i kënaqur nga hapi që ka bërë qeveria përmes iniciativës së quajtur plani B, me çka është dëshmuar një përkushtim vërtet i fuqishëm", tha zoti Jessen Petersen, duke e quajtur këtë një hap tepër të mirë. Mirëpo, në anën tjetër, zoti Jessen Petersen ka shprehur keqardhjen që Beogradi zyrtar ka dështuar të shfrytëzojë rastin për t’u angazhuar në këtë proces. Zoti Petersen tha se pavarësisht nga përpjekjet dhe angazhimet e qeverisë së Kosovës, rezultatet do të jenë të kufizuara, nëse Beogradi do të vazhdojë të mos bashkëpunojë në këtë drejtim. Mirëpo, zoti Petersen ka përkujtuar qëndrimin e faktorit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit në rast të dështimeve për shkak të bojkotit të serbëve:
"Nëse përparimi i vogël është pasojë e mospjesëmarrjes së serbëve të Kosovës, kjo nuk do të llogaritet në dëm të institucioneve të Kosovës dhe nuk do të vihet në kurriz të vlerësimit negativ të përparimit këtu", tha Jessen Petersen.
Kreu i UNMIK-ut ka porositur liderët e Kosovës se javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj dhe pa dashur të prejudikonte rezultatin e raportit të ambasadorit Kai Eide, zoti Jessen Petersen u shpreh optimist se përcaktimi i statusit do të fillojë së shpejti:
"Mendoj se mund të jemi të bindur se gjatë muajve të ardhshëm diskutimet për statusin do të fillojnë", tha Jessen Petersen.
Më tej ai e quajti të rëndësishëm ndërtimin e shoqërisë multietnike në Kosovë, edhe pse sipas tij, statusi i padefinuar pengon shumë procese, që kanë të bëjnë pikërisht me pozitën e pakicave dhe çështje të tjera të lidhura me to. Me afrimin e bisedimeve për statusin, disa çështje që janë esenciale për ndërtimin e shoqërisë multietnike, si kthimi dhe liria e lëvizjes, bëhen më të vështira, pasi shumë të zhvendosur tani e presin zgjidhjen e statusit:
"Unë mendoj se do të ketë kufizime në arritjen e përparimit që duhet bërë, përderisa statusi përfundimtar është i paqartësuar", tha Soren Jessen Petersen, duke porositur se kjo nuk guxon t’i ndalojë institucionet e Kosovës drejt synimit për shoqëri multietnike. Zoti Petersen tha se aktualisht institucioneve vendore u duhet të punojnë në tri plane tepër të rëndësishme: fillimi i përgatitjeve për statusin, jo vetëm me fjalë, por me veprime; të vazhdojë përmbushja e standardeve; dhe e treta të vazhdojë ndërtimi i institucioneve që do të ishin të qëndrueshme në fazën pas zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG