Ndërlidhjet

JERUSALEM


Pas 38 vjet pushtimi, sot filloi tërheqja e Izraelit nga Rripi i Gazës. Të parët u vunë në lëvizje ushtarët, të cilët filluan t'u japin urdhëra për t'u larguar banorëve të 21 vendbanimeve në Gazë.
Afati i fundit për largimin e kolonëve është e marta në mesnatë, kurse pastaj ata do të dëbohen me forcë.
Deri tash janë larguar rreth 8 mijë kolonë.
Kjo është tërheqja e parë e Izraelit prej pushtimit të këtyre territoreve në luftën e vitit 1967.
Në një fjalim televiziv, kryeministri Ariel Sharon tha se tërheqja e Izraelit nga Rripi i Gazës është hap i dhimbshëm për të dhe për kombin, por shtoi se kjo është e nevojshme për Izraelin.
Megjithate, kolonët e akuzojnë qeverinë se ajo i braktis tokat biblike hebreje.
Në Nju Jork, ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara Dan Gillerman tha se ky është hapi më i guximshëm, që ndonjëherë e ka bërë ndonjë udhëheqës hebrej prej themelimit të shtetit të Izraelit.
"Shpresojmë se tërheqja nga Gaza do të përfundojë në paqe dhe pa gjakderdhje. Shpresojmë që kur kjo të marrë fund, do të krijohet baza për një realitet të ri në rajon, në të cilin ne dhe palestinezët do të mund t'u kthehemi negociatave, ta ringjallim planin e paqes, dhe të arrijmë një zgjidhje paqësore, që dy shtetet të jetojnë pranë njëri tjetrit në paqe dhe prosperitet", tha Gillerman.
Lideri palestinez Mahmoud Abbas e mirëpriti tërheqjen e Izraelit, duke e quajtur "hap të parë", por shprehu shqetësime lidhur me një proces të ngjashëm në zonat e kontestuara në Bregun Perëndimor.
XS
SM
MD
LG