Ndërlidhjet

KOSUMI:"ME BEOGRADIN DO TË BISEDOJMË, POR JO PËR PAVARËSINË E KOSOVËS"


Bajram KOSUMI, kryeministër i Kosovës


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, kohëve të fundit ka pasur vlerësime jo krejt unanime rreth zhvillimeve në Kosovë. Para dy jave qeveria dhe institucionet e Kosovës janë kritikuar nga ndërkombëtarët, tash Grupi i Kontaktit lavdron punën e tyre. Nga ana tjetër Kai Aide sërish ka shfaqur qëndrime të rezervuara rreth zhvillimeve në Kosovë. Si e komentoni Ju këtë ambivalencë të qëndrimeve rreth Kosovës?

BAJRAM KOSUMI
Ne përshëndesim faktin që vendet e Grupit të Kontaktit kanë një koncenzus të përafërt rreth proceseve që janë duke u zhvilluar tash në Kosovë dhe shpresojmë se ky koncenzus do të ruhet deri në fund, përkatësisht deri në finalizimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Vlerësimet eventuale të ndryshme që ndodhin kohë pas kohe nuk dëshirojmë t'i kuptojmë si ndryshime të vlerësimeve për proceset në Kosovë, por si një dëshirë që shumë projekte në Kosovë të ecin më shpejt dhe të jenë më të sigurta në rrugën përpara. Unë kam mirëpritur sugjerimet e paradokoshme të Grupit të Kontaktit dhe interesimin e atyre vendeve dhe rrjedhimisht qeveria ka ndërmarrë shumë veprime konkrete, thelbësore dhe të shumëanshme për të përmirësuar disa prej këtyre proceseve dhe mendoj se kjo ka dhënë rezulltat. Fakti se tash ky proces përshëndetet nga vendet e Grupit të Kontaktit dëshmon se është krijuar një rezulltat i lakmueshëm kohëve të fundit në Kosovë. Sa u përket vlerësimeve të ambasadorit Kai Aide besoj se ato janë dëshirë e tij që megjithë progresin e madh që është bërë në Kosovë, në disa fusha të caktuara, ne të kemi një progres më të përshpjetuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje që aktualisht preokupon opinionin është decentralizimi. Projekti i fundit në masë të konsiderueshme është akceptuar nga ndërkombëtarët, por jo edhe nga Beogradi. Rezerva ka pasur edhe në Prishtinë. Çfarë ofron ai konkretisht?

BAJRAM KOSUMI
Varianti i dytë i pilot komunave për decentralizimin mbështetet në parimet themelore demokratike të inicuara edhe nga Këshilli i Evropës që janë parime të përgjithshme për reformën e pushtetit lokal. Në këtë kontekst do të përmend dy parime themelore: do të ketë njësi të reja multietnike, sepse jemi kundër përpjekjeve të disa politikanëve serbë në Beograd ose Kosovë që të krijojnë komuna etnikisht të pastra me serbë. Kjo tendencë do të vazhdonte procesin e enklavizimit dhe të dezintegrimit të komunitetit serb në Kosovë. Ajo që kemi bërë ne është e kundërta – krijimi i komunave multietnike ku do të jetojnë bashkërisht serbët dhe shqiptarët. Në ato komuna serbët mund të kenë shumicën, por gjithsesi do të jetë edhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve dhe kjo është fotografia që ne do të krijojmë jo vetëm për një komunë, por edhe për Kosovën. Në Kosovë mund të jetojnë bashkarisht shqiptarët dhe komunitetet e vogla etnike si serbët, boshnjakët, romët e të tjerët. Ne fuqimisht po punojmë që kjo të ndodh edhe në realitet dhe që edhe politikanët serbë të kuptojnë këtë realitet. Parimi i dytë është ai demografikë dhe ekonomik. Ne duam të krijojmë njësi të reja komunale që mund të qëndrojnë në këmbët e veta dhe jo njësi artificale që gjithnjë duhet mbajtur me infuzione.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni në përgjithësi rolin e Beogradit në raport me serbët dhe zhvillimet në Kosovë?

BAJRAM KOSUMI
Nuk mendoj se kam një përgjigje shumë pozitive në këtë drejtim. Beogradi shumë herë ka luajtur një rol të keq. Edhe Beogradi i tashëm zyrtar shpesh është një imazh i Beogardit të mëhershëm, pra të para luftës kur interesat e serbëve të Kosovës janë shfytëzuar për interesa politike në Beograd dhe interesa tjera në Serbi, por jo për interesa reale të serbëve të Kosovës. Edhe tash është duke ndodhur kështu. Politikanët serbë të Kosovës shpesh më thonë se ky ose ai projekt është i mirë dhe mund të jetë i dobishëm, por ata nuk mund të marrin pjesë sepse nuk kanë dritë të gjelbërt nga Beogradi. Kjo është për keqardhje. Unë kam lutur disa herë politikanët serbë të Kosovës që ata vetë të marrin vendime për veten e tyre, t'u japin përgjegjësi qytetarëve dhe votuesve të vetë dhe jo qendrave jashtë Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje që mund të ketë ndikim të madh në përcaktimin e statusit të Kosovës është mbrojtja e pakicave dhe avancimi i pozitës së tyre. Çfarë kanë bërë dhe janë duke bërë institucionet e Kosovës në këtë drejtim?

BAJRAM KOSUMI
Kjo është një prej fushave ku në shumë aspekte institucionet e Kosovës kanë realizuar rezultate të mëdha dhe në këtë fushë ka të arritura të mëdha. Kjo shihet në kornizën kushtetuese, në ligje dhe sfera tjera. Disa nga këto të arritura janë më të mëdha se në të gjitha vendet tjera të rajonit. Rreth 15 për qind e vendeve të Kuvendit të Kosovës janë të rezervuara për grupet e vogla etnike. Ky është një fakt që dëshmon përkushtimin e klasë politike në Kosovë për të përmirësuar pozitën e minoriteteve. Por fatkeqësisht duhet thënë gjithashtu se praktikat nuk janë gjithnjë të njejta me ato që ne i kemi përgatitur në ligje dhe në kornizën kushtetuese. Në praktikë ka vështirësi më të mëdha, por ato nuk janë pasojë e vullnetit ose mos vullnetit të klasës politike, por në të shumtën e rasteve janë pasojë e vullnetit ose më mirë thënë mos vullnetit të politikanëve serbë për të marrë pjesë në procese dhe praktikës së tyre të gabur për të pritur dirigjime nga Beogradi zyrtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, tash sa kohë flitet për takimet e mundshme në nivelet ministrore, por edhe për takimin e Juaj me kryeministrin e Serbisë. Por, deri më tash takime të tilla nuk janë realizuar. Pse?

BAJRAM KOSUMI
Vështirë është të thuhet pse dhe nuk dëshiroj të shpekuloj rreth kësaj, por gjithsesi që është në të mirë të vendit tonë, por edhe në të mirë të Serbisë që të ketë takime para se të fillojnë bisedimet për statusin final të Kosovës. Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka shumë probleme të natyrave më të ndryshme që nuk kanë të bëjnë dhe që nuk janë lidhura drejtëpërdrejt me statusin final të Kosovës, e që si udhëheqës të dy vendeve, si dy kryministra duhet ulur t'i bisedojmë dhe t'i zgjidhim. Nuk mund të mbyllim sytë dhe të themi se nuk duam të bisedojmë për këto probleme. Për këto probelme ne duhet të bisedojmë para ose pas statusit final të Kosovës, por dikur duhet të bisedojmë. Sa më parë dhe më shpejt të bisedojmë do të jetë në të mirë të qytetarëve të vendeve tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Temë dominante në Kosovë dhe më gjërë është hapja e pritur e bisedimeve për statusin e Kosovës. Edhe në këtë plan ka konfuzion. Kryetari i Kuvendit të Kosovës këto ditë ka thënë se pavarësia e Kosovës është e pa – negociueshme. Pra, me kë dhe për çfarë do të bisedohet?

BAJRAM KOSUMI
Unë mendoj se kryetari i Kuvendit ka të drejtë dhe ky është një qëndrim i përbashkët i të gjitha institucioneve të Kosovës dhe të gjitha partive politike në Kosovë. Ne duhet të bisedojmë edhe me Beogradin për shumë çështje dhe aspekte që kanë të bëjnë me dy vendet tona dhe duhet të arrijmë shumë marrëveshje për këto çështje, por vetë esenca, vetë pavarësia e Kosovës, nuk do të negociohet me Beogradin. Pavarësia e Kosovës është një proces që është duke u krijuar dhe duhet të finalizohet ndërmjet popullit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare që ka investuar kaq shumë në Kosovë. Për çështjet tjera siç janë arsimimi i serbëve, trashëgëmia kulturore serbe në Kosovë ose të drejtat e minoriteteve dhe sidomos të serbëve duhet të negociohet me Beogradin dhe të arrihet marrëveshje për ato. Do të bëja këtë rezyme - në një konferencë ndërkombëtare duhet të bisedohet se si do të krijohet shteti i Kosovës, por jo edhe për faktin nëse duhet të krijohet shteti i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, disa forca politike në Kosovë kanë thënë se janë të befasuara me nismën e Juaj për formimin e grupeve punuese që kanë të bëjnë me statusin final. Për çfarë është fjala?

BAJRAM KOSUMI
Mbase nuk janë shprehur saktë, sepse nuk ka befasi. Kjo është një ide në të cilën kam punuar për disa muaj rradhazi. Edhe në Forumin e Kosovës kam insistuar për formimin e grupeve punuese që do të përgatitnin materialet, dokumentet e duhura dhe strategjinë për statusin final të Kosovës. Deri më tash këtë pjesë të punës mbi vete e ka marrë Forumi i Kosovës, por deri në këtë çast nuk ka pasur rezultate. Forumi nuk ka arritur t'i krijoi grupet. Madje këtë çështje e ka futur gati në vargun e çështjeve teknike me të cilën merret sekretariati i Forumit. Tash tre muaj ka pasur vetëm fjalë dhe ide, por nuk ka pasur grupe punuese. Këto grupe punuese janë të rëndësishme dhe të domosdoshme, sepse shtatori dhe tetori janë afër dhe edhe koha për fillimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës, ndërsa institucionet e Kosovës ende nuk kanë në duartë e veta strategjitë, përgjigjet, projektet e ndryshme për të hyrë në këtë proces. Rrjdhimisht, ajo që kam dashur të bëjë dhe që dua të bëjë është përshpejtimi i këtij procesi. Jo të emroj grupe punuese, por të emroj një koordinator që do të merrte përsipër këtë punë, do të formonte dhe udhëhiqte me grupet punuese. Ai koordinator do të ketë mandatin e qeverisë për të afruar rreth vetes ekspertë të spektrit të gjërë partiakë dhe jo partiakë, të pozitës dhe opozitës, vendorë dhe ndërkombëtarë. Ai do të kishte autoritetin për të punuar me ato grupe punuese dhe për t'i raportuar qeverisë, presidentit të Kosovës dhe Forumit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas deklarimit të ministres së Jashtme të Zvicres pro – pavarësisë së Kosovës, keni thënë se pritni që edhe disa vende tjera së shpejti ta bëjnë një gjë të tillë. Ku e mbështetni këtë optimizëm?

BAJRAM KOSUMI
Unë do të dëshiroja që të ndodhte diç e tillë. Këtë dëshirë dhe optimizmëm timin e mbështesë në faktin se është investuar shumë në procesin e krijimit të lirisë së plotë në Kosovë. Kjo liri e plotë në Kosovë do të jetë në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës, me vullnetin që populli i Kosovës vetë të përcaktoj fatin e vetë. Kjo do të ishte në përputhje me tërë investimin që ka bërë jo vetëm populli i ynë, por edhe bashkësia ndërkombëtare për të realizuar këtë proces në Kosovë. Ky është themeli i asaj që unë mbështesë, pra e drejta e një populli për të bërë shtetin e vetë, për të bërë lirinë e vetë, për të bërë demokracinë e vetë, ekonominë e vetë dhe për të punuar bashkë me shtetet dhe popujt tjerë të rajonit drejt integrimeve evropiane dhe për të ndihmuar me aq sa ne kemi forcë në të mirën globale.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG