Ndërlidhjet

SOREN JESSEN-PETERSEN: “NUK KA ASNJË ARSYE PËR TË SHTYRË BISEDIMET PËR STATUSIN"


Intervistë me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Jessen-Petersen, deklaratat tuaja të fundit janë përshkuar me besimin se vjeshta do të shnojë fillimin e bisedimeve mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Në çka e mbështesni besimin tuaj?

SOREN JESSEN-PETERSEN
Në ato që janë shënuar muajt e fundit. Para 12 muajsh, në shtatorin e vitit të kaluar, në një takim që kemi pasur në Nju Jork me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe ministrat e jashtëm të Grupit të Kontaktit, jemi pajtuar mbi një agjendë dhe orar për ta çuar Kosovën përpara. Deri më tani kemi arritur tek secili standard, është arritur përparim në shumë fusha, është arritur edhe pajtueshmëria e Këshillit të Sigurimit në maj të këtij viti që ta mbështesë sekretarin e përgjithshëm në qëndrimin e tij për të filluar një vlerësim të zgjeruar të standardeve të përmbushura. Ky vlerësim aktualisht është duke u bërë dhe të gjitha këto janë duke u realizuar sipas agjendës dhe orarit të përcaktuar. Përkundër ngecjeve të shënuara në përmbushjen e standardeve gjatë muajit korrik, të cilat meqë ra fjala tash janë zëvendësuar me energji dhe përkushtim të ripërtërirë, ne kemi ecur përpara, çdo standard është arritur dhe në bazë të përparimeve të shënuara, nuk shoh arsye për të mos vazhduar me atë që tashmë jemi pajtuar. Kjo do të thotë se vlerësimi i zgjeruar do t’i dorëzohet sekretarit të përgjithshëm, i cili këtë vlerësim do ta ndajë me Këshillin e Sigurimit, jo më vonë se në muajin tetor, me rekomandimet nëse bisedimet për statusin duhet filluar. Besimi im bazohet në përparimin e vazhdueshëm që është duke u arritur. Unë e di, në fakt do të thoja se nuk do të isha i befasuar nëse ambasadori Kai Eide, nënvizon një numër vështirësish të vazhdueshme. Ne jemi të vetëdijshëm për të gjitha këto vështirësi, por ato nuk janë çështje dhe probleme që mund të zgjidhen brenda një nate, janë thjeshtë çështje që duhet zgjidhur. Sikur që e thashë edhe më parë, tash për tash nuk shoh asnjë arsye për të shtyrë bisedimet mbi statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni se do të zhvillohen këto bisedime, cilët do të jenë akterët kryesorë nga komuniteti ndërkombëtar dhe natyrisht kush do ta luajë rolin kryesor nga pala kosovare në këto bisedime?

SOREN JESSEN-PETERSEN
Nga komuniteti ndërkombëtar, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të emërojë të dërguarin e posacëm për statusin. Ky i fundit mbase do të ketë zëvendësit e tij që do të emërohen nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian. Edhe pse mendoj se i dërguari i posaçëm për statusin do të jetë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ky institucion sigurisht do ta emërojë zëvendësin e tij. Një zëvendës mbase do ta emërojë edhe Rusia, por të gjitha këto ende nuk janë definuar. Emisari për statusin do të jetë ai që do të realizojë një diplomaci “shuttle” në mes të Prishtinës, Beogradit dhe kryeqyteteve të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit. Pastaj do të përpiqemi të hartojmë një marrëveshje kornizë. Sa i përket palës kosovare, mendoj se është e rëndësishme që të bëhet ashtu siç kanë thënë të gjithë liderët, përfshirë këtu edhe presidentin Rugova, i cili më ka thënë të premten që shkoi se Kosova do të hyjë e bashkuar në këto bisedime mbi statusin. Të gjitha partitë kryesore politike do të marrin pjesë në bisedimet për statusin dhe kjo është ajo që ne po mundohemi ta arrijmë nëpërmjet Forumit Politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, kohët e fundit ka pasur diskutime intensive mbi atë se kush duhet t’i formojë grupet punuese, Forumi apo Qeveria. A është zgjidhur kjo situatë?

SOREN JESSEN-PETERSEN
Këtë çështje e kemi diskutuar javën që shkoi, e kemi diskutuar dhe do ta diskutojmë edhe në ditët e ardhshme. Mendoj se jemi pajtuar që nën një, duhet të fillojmë përgatitjet thelbësore për bisedimet mbi statusin. Dy-tre muajt e fundit i kemi kaluar për të arritur pajtimin rreth hollësive të grupeve punuese, por sinqerisht përgatitjet duhet të fillojnë tani, aq më tepër nëse bisedimet për statusin fillojnë në tre muajt e ardhshëm. Nën dy, jemi pajtuar që na duhen vetëm një palë grupe punuese. Dhe të jem i sinqertë, nëse këto grupe dalin nga Forumi, kjo do të ishte mirë, por nëse Forumi nuk mund të ecë përpara rreth kësaj çështjeje, atëherë Qeveria ka shqetësime të kuptueshme. Por, të gjitha këto çështje janë ende duke u diskutuar dhe ajo që tani është e rëndësishme është konsensusi për të ecur përpara dhe konsensusi për themelimin e grupeve punuese. Besoj se kjo cështje do të zgjidhet në disa ditët e ardhshme.

RADIO EVROPA E LIRË
A është caktuar një afat për themelimin e këtyre grupeve?

SOREN JESSEN-PETERSEN
Sa më përket mua, kjo çështje nuk mund të presë më. Siç e thashë jam i bindur se bisedimet për statusin do të nisin në tetor dhe kjo do të thotë se Kosova duhet të jetë e përgatitur. Nuk mund të hysh në këto bisedime, të cilat do të jenë shumë komplekse, i papërgatitur. Në këtë rast, do të jenë qytetarët e Kosovës ata që do ta paguajnë çmimin për udhëheqës të papërgatitur politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Derisa po flasim për statusin, ambasadori Kai Eide është duke e përgatitur vlerësimin e tij për përmbushjen e standardeve. Cfarë prisni ju nga raporti i tij?

SOREN JESSEN-PETERSEN
Pres një vlerësim objektiv, të ndershëm dhe të zgjeruar. Dhe meqë ambasadorin Eide e njoh si një profesionist të vërtetë, këtu qëndron besimi im se do të ecim përpara. E di me siguri, nëse jo më mirë se kushdo tjetër, atëherë po aq mirë sa kushdo tjetër, se ku qëndrojnë ngecjet dhe problemet. Ato janë duke u adresuar dhe kryesisht kanë të bëjnë me pakicat kombëtare. Gjithashtu e di se shumë prej këtyre ngecjeve kanë të bëjnë me dy faktorë: i pari është fakti se serbët e Kosovës vazhdojnë të mos trimërohen për t’u angazhuar në tërë procesin dhe është shumë e vështirë të arrihet përparimi në ato fusha të interesit të drejtëpërdrejtë të serbëve në Kosovë. Problemi i dytë është fakti se është shumë e vështirë të arrihet përparim në disa çështje që kanë të bëjnë me pakicat, sepse gjithnjë e më shumë, çdo gjë tash është duke u parë me syrin e bisedimeve për statusin. Pra, kur adresohen çështjet fundamentale, siç është për shembull decentralizimi dhe kthimi i të zhvendosurve, mendoj se Beogradi, e gjithashtu edhe Prishtina, e shqyrton ndikimin e qëndrimeve të tyre në bisedimet për statusin. Dhe për arsyet tashmë të njohura, bisedimet për statusin tashmë kanë filluar. Me këtë dua të them se do të jetë shumë e vështirë për të arritur përparim në çështjet fundamentale.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e thatë edhe vetë, pjesa më e madhe e standardeve është e lidhur me pakicat, veçanërisht atë serbe. Cfarë mendoni për institucionet në Kosovë, sa kanë bërë ato në këtë drejtim?

SOREN JESSEN-PETERSEN
Kohë pas kohe, në Qeverinë e kryeministrit Haradinaj ka pasur një numër aktivitetesh. Zoti Haradinaj ka bërë shumë për të zgjidhur çështjen e pakicave, ai ka bërë deklarata shumë të fuqishme dhe shumë të qarta, por pastaj u gjetëm në një periudhë në të cilën na duhej një zotim i fuqishëm dhe më shumë përkushtim nga ana e institucioneve vendore. Ka pasur deklarata të mira, por nuk është bërë mjaft në kuptimin e hapave të mëtutjeshëm, për të vizituar, takuar, për të shtrirë dorën pakicave dhe për të adresuar çështjet e tyre. Megjithatë, kohët e fundit mendoj se jemi duke parë përpjekje të ripërtrira për të integruar pakicat. Në këtë drejtim, mendoj se nisma që Qeveria ndërmorri për decentralizimin nënkupton se ajo tashmë e njeh rëndësinë që kanë këto çështje për pakicat. Prandaj besoj se ky hap i parë është mjaft i mirë dhe do të duhej të ishte i mjaftueshëm edhe për pakicat që të ulen dhe ta shqyrtojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse përfaqësuesit e serbëve të Kosovës vazhdojnë të mos marrin pjesë në proceset politike, siç e thatë edhe ju decentralizimin, a e rrezikojnë ata kësisoji fillimin e bisedimeve për statusin?

SOREN JESSEN-PETERSEN
Jo. Kjo është qartësuar në takimin e Këshillit të Sigurimit nëntorin e kaluar, në të cilin është thënë qartë se nëse mungesa e përparimit është rezultat i mosangazhimit të serbëve, atëherë kjo nuk do të vihet në kurriz të institucioneve kosovare. Por, nuk jam edhe aq i shqetësuar me këtë çështje. Shqetësimi im kryesor është se ka aq shumë serbë të Kosovës, të cilën duan të jenë pjesë e kësaj shoqërie dhe t’u dëgjohet zëri në shoqërinë që do të dalë nga bisedimet për statusin. Dhe mendoj se janë pikërisht ata që e paguajnë çmimin për ngurrimin dhe jogatishmërinë e Beogradit për të dhënë dritën e gjelbërt për një gjë të këtillë. Dhe mendoj se kjo është më dramatike.

RADIO EVROPA E LIRË
Në përgjithësi, çfarë ndjeni personalisht rreth përmbushjes së standardeve…zhgënjim, kënaqësi?

SOREN JESSEN-PETERSEN
Mendoj se kjo çështje duhet shikuar ndryshe, duhet gjithmonë të dijmë se prej nga kemi ardhur dhe ku jemi. Padyshim se ka pasur shumë zhvillime pozitive. Mendoj se në ato fusha të cilat ne i kemi cilësuar si më të rëndësishmet dhe që kanë të bëjnë me pakicat, nëse shikohet procesi i kthimit dhe numri i të kthyerve, të gjithë duhet të ndjehemi të zhgënjyer. Por, siç e kam thënë edhe më parë, kthimi nuk ka të bëjë vetëm me numrat, por edhe me krijimin e kushteve që mundësojnë këtë process. Edhe në lirinë e lëvizjes ka pasur shumë përparime, por natyrisht se nuk mund të jemi të kënaqur. Nëse të dhënat tona janë të sakta, 80 % e serbëve të Kosovës ndjejnë se janë të lirë për të lëvizur, por kjo do të thotë se 20 % nuk mund të lëvizin. Askush nuk mund të jetë i kënaqur përderisa 20 % e cilit do komunitet, kudo në botë, nuk ndihet i lirë për të lëvizur. Ka fusha pra ku unë nuk jam i kënaqur, por ajo që duhet kuptuar është se ka përpjekje dhe ka arritje. Në këtë kuadër nuk duhet pasur dyshim se ka përpjekje për të përmirësuar gjendjen, por pastaj mund të ketë arsye që tregojnë përse nuk kemi shënuar rezultate, si në rastin e kthimit të zhvendosurve. Mendoj se tashmë është e qartë se me përpjekjet edhe më të mira, shumë njerëz nuk do të ktheheshin tani, në pritje të statusit që do të dalë. Ata njëkohësisht janë duke dëgjuar deklaratat e udhëheqësve serbë në Beograd se në Kosovë nuk ka të drejta të njeriut dhe nuk ka siguri dhe kjo natyrisht nuk ndihmon. Sidoqoftë, ne duhet të insistojmë që të ketë përpjekje dhe të mos kursejmë fare për të arritur përparimin.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund, si e shihni rolin e bashkësisë ndërkombëtare pasi të jetë definuar statusi përfundimtar?

SOREN JESSEN-PETERSEN
Fillimisht, është evidente se një gjë e këtillë do të varet nga autoriteti që do të dalë nga bisedimet për statusin. Nëse pas bisedimeve, të themi se Kosova do të jetë e pavarur, edhe pse për një gjë të këtillë nuk kam paragjykuar dhe nuk do të paragjykoj kurrë, por le të spekulojmë dhe të themi se Kosova do të jetë e pavarur, atëherë do të varet nga autoritetet që të ftojnë bashkësinë ndërkombëtare. Pra, do të jenë autoritetet në Kosovë ato që do të vendosin se deri në cilën masë do të ketë nevojë për praninë ndërkombëtare dhe pastaj ta ftojnë atë. Në bazë të bisedimeve dhe takimeve të shumta që kam zhvilluar me udhëheqësit e këtushëm politikë, ata do të dëshironin një prani të vazhdueshme ndërkombëtare. Do të ketë nevojë për një prani të vazhdueshme ndërkombëtare në aspektin e sigurisë, por edhe në disa fusha të tjera. Nuk do të ketë një UNMIK, UNMIK-u do të largohet, do të zhduket prej këtu me definimin e statusit, sepse atëherë do t’i jepej fund edhe Rezolutës 1244. Do të ketë një rezolutë të re, por sigurisht jo me praninë e Kombeve të Bashkuara. Mendoj se jemi duke llogaritur në Bashkimin Evropian që të kyçet në disa segmente të caktuara dhe gjithashtu mendoj se edhe OSBE-ja do të ketë një rol për të luajtur. Por, siç e thashë këto çështje duhet të vendosen nga autoritetet që do të dalin pas bisedimeve. Ne tash jemi duke zhvilluar bisedimet me këto institucione potenciale që jenë të gatshme nëse prej tyre kërkohet që të vijnë në Kosovë.

Intervistoi: ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG