Ndërlidhjet

DE KERMABON: TMK-JA ËSHTË PJESË E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SË KOSOVËS


E ardhmja e TMK-së është e lidhur ngushtë me statusin e ardhshëm të Kosovës, por kjo organizatë ka rol të rëndësishëm në fushë të sigurisë dhe është pjesë e sigurisë globale, ka thënë sot në Prishtinë komandanti i forcave paqeruajtëse të KFOR-it, gjenerali Yves De Kermabon. Gjenerali francez De Kermabon i ka bërë këto komente në një takim me gazetarët sot në Prishtinë vetëm pak ditë para se ta përfundojë misionin e tij në krye të KFOR-it, për t’ia lëshuar vendin gjeneralit italian, Giussepe Valotto. Me këtë, gjenerali de Kermabon e ka vlerësuar të mirë situatën e sigurisë në Kosovë dhe ka thënë se liria e lëvizjes për pakicat ekziston edhe pse nuk është e përkryer, pasi askush nuk mund të sigurojë siguri të një qind përqindtë:
"Mendoj se pengesat në lirinë e lëvizjes, më shumë janë psikologjike sesa reale dhe janë pasojë e dezinformimit të popullatës", tha gjenerali Yves de Kermabon, duke bërë thirrje për një informim të drejtë të njerëzve lidhur me situatën e mirë të sigurisë në Kosovë. Komandanti francez i KFOR-it tha se nuk dëshironte të jepte parashikime për statusin përfundimtar të Kosovës, por tha ai e rëndësishmja është që të përballemi më sfidat aktuale, dhe të gjejmë zgjidhje për sifdat e mëdha, si siguria dhe ekonomia. Gjenerali Yves De Kermabon tha se Trupat e Mbrojtjes së Kosovës deri më tash kanë përmbushur me sukses misionin e tyre, por u nevojiten më shumë fonde dhe pajisje, ndërsa e ardhmja e TMK-së është e lidhur tepër ngushtë me statusin e ardhshëm të Kosovës, tha gjenerali De Kermabon:
"Ajo që mund të them është se TMK-ja është pjesë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe TMK ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në fushën e sigurisë, por nuk mund të jem më preciz lidhur me të ardhmen e TMK-së", tha gjenerali francez për të shtuar se TMK është pjesë e sigurisë globale:
"Nuk mund ta parashoh të ardhmen e TMK-së, si dhe misionin dhe rolin e saj në të ardhmen, por mund të them me siguri se ajo është pjesë e sigurisë globale", tha gjenerali Yves de Kermabon. Sipas tij, KFOR-i që deri tash me sukses e ka kryer misionin e tij do të mbetet në numër të pazvogëluar së paku në dhjetë muajt e ardhshëm, ndërsa ndryshimet që do të pasojnë do të jenë në funksion të rritjes së efektivitetit të KFOR-it. Ai tha se ndërkohë që Mitrovica konsiderohet si pjesa më e vështirë e misionit, edhe atje janë bërë përparime dhe se KFOR-i e konsideron Mitrovicën barabarësisht me pjesët e tjera të Kosovës:
"Është thënë shumë qartë nga bashkësia ndërkombëtare se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, kështu që Mitrovica është plotësisht pjesë e Kosovës dhe duhet gjetur një zgjidhje për Mitrovicën", tha komandanti i forcës paqeruajtëse KFOR, gjenerali Yves De Kermabon. Ai ka thënë se vënia e shenjave të ndalesës dhe vërejtjeve në vendet e trashëgimisë kulturore dhe në kampet e KFOR-it nuk do të thotë se parashihen trazira, por KFOR-i dëshiron të demonstrojë gatishmërinë e tij për t’u përballur me situata të papritura.

Rrahman Pazçarizi


XS
SM
MD
LG