Ndërlidhjet

WHYTE:"PAVARËSIA E KUSHTËZUAR - OPCIONI MË I SIGURTË"


Nicholas WHYTE, drejtor për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave


EVROPA E LIRË
Z. Whyte, çfarë pritni nga raporti final i të dërguarit special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, z. Kai Aide?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se e para që duhet thënë, është se ky do të jetë një raport i ndershëm. Raporti i z. Aide verën e kaluar për ate që ndodhi në mars, ishte shumë i mirë, shumë kritik për njerëzit që duheshin kritikuar dhe sigurisht që ndihmoi procesin të ecë përpara. Prandaj, mendoj se gjëja e parë që duhet thënë është se pavarësisht nga përmbajtja, ky do të jetë një raport shumë konstruktiv dhe i dobishëm. Mendoj se me siguri konkluzat operacionale të raportit do të jenë se negociatat për statusin përfundimtar duhet të fillojnë më herët, e jo më vonë. Kjo do të nënkuptojë një angazhim më të shpejtë të bashkësisë ndërkombëtare, për t'i udhëhequr negociatat.

EVROPA E LIRË
Z. Whyte, shumë analistë perëndimorë kanë thënë, ose të paktën nuk e kanë përjashtuar mundësinë që bisedimet për statusin të fillojnë nga fundi i vitit.
A jeni dakord me vlerësimet e tilla?

NICHOLAS WHYTE
Po, kjo më duket mjaft e drejtë. Nëse raporti i z. Aide do të jetë pozitiv, atëherë më nuk ka shumë kuptim për shtyrjen e mëtejme të bisedimeve.

EVROPA E LIRË
Sipas jush, kush mund t'u prijë këtyre bisedimeve?

NICHOLAS WHYTE
Janë përmendur emra të ndryshëm. Mendoj se do të jetë dikush që ka përvojë në ndërmjetësimin e negociatave të tilla, dikush që tashmë ka kredibilitet te aktorët kryesorë. Nuk kam ndonjë qëndrim të veçantë se kush do të duhej të jetë e kush jo. E kuptoj se mekanizmi i emërimit do të bëhet përmes Kombeve të Bashkuara, gjë që më duket rrugë e mirë për të ecur. Ndoshta zëvendësit e negociatorëve do të vijnë nga vende tjera, ndoshta nga Amerika, Bashkimi Evropian, ndoshta madje edhe nga Rusia. Nuk jam tepër i shqetësuar lidhur me detajet e mekanizmit që do të krijohet, por kryesorja është që ai të funksionojë.

EVROPA E LIRË
Po, si e shihni gatishmërinë e institucioneve të Kosovës lidhur me bisedimet për statusin?

NICHOLAS WHYTE
Ato ende nuk janë të gatshme. Gjatë verës ato janë përpjekur të bëjnë përgatitje lidhur me çështjen e statusit, por mendoj se nga ana tjetër, do të ishte jorealiste të pritet që ato të jenë të gatshme për diçka që ende nuk dihet se kur do të fillojë. Mendoj se po të caktohej një datë për fillimin e bisedimeve, atëherë kjo do t'i shtynte institucionet e Kosovës që të lëvizin më shpejt drejt përgatitjeve.

EVROPA E LIRË
Sa munden sipas jush, serbët e Kosovës t'i kundërshtojnë bisedimet për statusin?

NICHOLAS WHYTE
Bisedimet do të shkojnë përpara. Mendoj se serbët e Kosovës do të dilnin qesharakë nëse do të përpiqeshin ta ruanin pasigurinë e vazhdueshme sa i përket asaj se ku do të jenë pas disa vitesh. Kuptohet se ata gjithmonë e kanë opcionin e mospjesëmarrjes. Por, mësimet e nxjerra nga negociatat e tilla tregojnë se nëqoftëse ti nuk merr pjesë, atëherë vendimet do të merren pa ty.

EVROPA E LIRË
Z. Whyte, qëndrimi i shumicës shqiptare është pavarësia e panegocueshme.
Nga ana tjetër, deri në ç'masë mund të merret parasysh insistimi i Beogradit për "më shumë se autonomi, dhe më pak se pavarësi"?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se ne duhet mjaft seriozisht të pyesim Beogradin se çfarë nënkuptojnë me këtë. A mendojnë ata që një e treta e anëtarëve të parlamentit të tyre të jenë shqiptarë nga Kosova? A mendojnë për shembull, që t'i ndajnë të gjitha ato misione diplomatike me diplomatët dhe zyrtarët nga Kosova? A mendojnë që me qeverinë e Kosovës të zhvillojnë negociata të përbashkëta me Bashkimin Evropian, kur negociatat që tashmë i kanë me Malin e Zi, nuk po shkojnë aq butë. Mendoj se duhet ta trajtojmë me kujdes seriozitetin e Beogradit lidhur me propozimin e tillë.

EVROPA E LIRË
Vitin e kaluar, Grupi Ndërkombëtar i Krizave doli me një propozim për pavarësi të kushtëzuar të Kosovës.
A mendoni ende se ky është opcioni më realist?

NICHOLAS WHYTE
Pavarësia e kushtëzuar-PO. Mendoj se asgjë tjetër nuk është më e sigurtë. Nuk mendoj se jashtë Serbisë ka shumë njerëz, të cilët janë të interesuar të shtiren sikur Kosova është pjesë e një vendi, kur ajo më nuk është. Por unë gjithashtu mendoj se bashkësia ndërkombëtare nuk është shumë e bindur që të shkohet me një pavarësi të menjëhershme dhe të pakushtëzuar për Kosovën. Po i ndjek me shumë kujdes nuancat, veçanërisht të nënsekretarit Nicholas Burns dhe deklaratat e tij në Kongres para disa muajsh. Më duket se ajo të cilën ai e thekson, gjithashtu e kam vërejtur edhe te Bashkimi Evropian.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG