Ndërlidhjet

PRISHTINË


Në një incident me armë zjarri që ka ndodhur mbrëmë në rrugën Prishtinë-Shkup kanë humbur jetën dy persona të përkatësisë serbe, ndërsa dy të tjetër janë plagosur. Policia ka filluar hetime intensive për ndriçimin e këtij rasti, por ende nuk ka ndonjë të dyshuar kanë thënë zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës. Lidhur me incidentin tragjik kanë reaguar edhe shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, zyra e presidentit të Kosovës dhe parti politike. Edhe zoti Petersen, edhe presidenti Rugova kanë kërkuar nga qytetarët që të mbeten të qetë dhe të bashkëpunojnë me policinë.
Soren Jessen Petersen ka kërkuar nga policia që të rrotullojë çdo gur, për të gjetur kryesit e vrasjes së dy të rinjve serbë në rrugën Ferizaj-Shkup.
"Hetimet janë duke u zhvilluar dhe nuk mendoj se është dobishme për askë që të nis spekulimet dhe në fakt do të ishte papërgjegjësi dhe papjekuri po të spekulohej qysh tash për shkaqet dhe kryesit", tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen.
Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Arbër Beka tha se dy personat që janë humbur jetën janë të përkatësisë serbe nga komuna e Shtërpcës, por nuk ka bërë të ditur emrat e të vrarëve, ndërkohë që burime lokale thonë se të vrarët janë Ivan Dejanoviq dhe Aleksandër Stankoviq.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Adem Salihaj ka vizituar në spitalin e Prishtinës dy të plagosurit në sulmin e mbrëmshëm Nikola Dukiq dhe Aleksandër Janiçijeviq, duke shprehur keqardhje për këtë rast, pavarësisht nga motivet dhe kryesit.
XS
SM
MD
LG