Ndërlidhjet

PRISHTINË


Shefi i Misionit të KB në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë në Beograd që të ndërpresin spekulimet lidhur me vrasjen e dy të rinjve serbë dy ditë më parë në afërsi të Shtërpcës.
Ndërkohë, komisioneri i policisë së UNMIK-ut Kai Vittrup, ka thënë se vrasja e së shtunës e dy serbëve dhe plagosja e dy të tjerëve është një incident i izoluar dhe nuk ka të bëjë me një trend të përgjithshëm. Duke i quajtur të ngutshme vlerësimet se incidenti i së shtunës është fillim i një terrori kundër pakicave kombëtare në Kosovë, Vittrup tha se nga hetimet e deritashme nuk ka asnjë shenjë që do të dëshmonte diçka të këtillë, duke i bërë thirrje opinionit që të ndihmojë për zbulimin e vrasësve.
Ajo që dihet është se policia tash është vënë në kërkim të një veture të bardhë të tipit 'Passat', i cili pak çaste pas sulmit ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka ndihmuar personat e sulmuar që të vazhdojnë rrugën më tutje. Hollësitë mbi identitetin dhe
përkatësinë kombëtare të personave që gjendeshin në veturën e tipit 'Passat', tash për tash nuk duhen.
Ndërkohë, disa qindra qytetarë serbë kanë protestuar në pjesën veriore të Mitrovicës kundër vrasjes së dy të rinjve serbë.
Protesta lidhur me incidentin tragjik të së shtunës ka pasur edhe në enklavën serbe të Graçanicës, ku gjithçka ka kaluar qetë dhe pa incidente.
XS
SM
MD
LG