Ndërlidhjet

logo-print

A. GASHI: JEMI TË ORGANIZUAR PËR FAZËN PËRFUNDIMTARE TË PËRCAKTIMIT TË STATUSIT QË DO TË REZULTOJË ME PAVARËSINË E KOSOVËS


Alush Gashi, deputet dhe zyrtar i larte i LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, në Prishtinë aktualisht po bëhen përgatitjet për fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në ç'fazë mendoni se gjendet ky proces për momentin dhe sa e përgatitur është Prishtina për këto bisedime?

ALUSH GASHI
Kosova dhe përfaqësuesit e saj janë të gatshëm për marrjet e përgjegjësive ndërkombëtare, për fatin e zhvillimit të proceseve demokratike në vendin tonë. Mendoj se me të gjitha vështirësitë Kosova është e përgatitur për këtë proces. Natyrisht ka vend për përmirësim dhe për këtë mendoj se ka gadishmëri që këto përmirësime të bëhen.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë si i shihni deklaratat e zotit Petersen, se Prishtina duhet të jetë e gatshme dhe për një kompromis lidhur me statusin dhe një lloj mesazhi të tij që këto bisedime të mos i kuptojë si një proces shumë të lehtë?

ALUSH GASHI
Unë e kam dëgjuar atë deklaratë të paspecifikuar. Besoj se zoti Petersen është mjaft i ndërgjegjshëm lidhur me atë se çfarë mendojnë qytetarët e Kosovës dhe sa është përkushtimi i tyre. Ai është i ndërgjegjshëm se përkushtimi i qytetarëve të Kosovës është për një Kosovë të pavarur, demokratike, si një faktor të stabilitetit dhe një zgjedhje e cila do të garantonte një shanc për një prosperitet për të gjithë qytetarët. Nuk ma merr mendja se zoti Petersen do t'i lejonte vetes luksin që të ndërhyjë në një çështje, e cila është për nivel të Këshillit të Sigurimit dhe mbi të gjitha që është çështje e vullnetit të qytetarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, decentralizimi i pushtetit në Kosovë është cilësuar disa herë si një prej proceseve të rëndësishme, sa i përket vetë përcaktimit të statusit të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka filluar një proces të tillë, mirëpo sërisht ka hasur në mospërfillje nga ana e përfaqësuesve serbë. Si mendoni se do të dilet në krye me këtë proces në mënyrë që të fillojë zbatimi i pilot- projekteve?

ALUSH GASHI
Në organizimin tonë politik ne gjithmonë kemi patur mirëkuptim për fuqizimin e qytetarit për marrjen e përgjegjësive. Në atë drejtim ne nuk kemi patur dallime sa i përket përkatësisë etnike, racore, gjinore, etj. Ne mendojmë se roli jonë politik është të ofrojmë shërbime sa më të mira për qytetarët e Kosovës. Por kohët e fundit ky proces u bë pak i paqartë. Ne e kemi patur një debat në Kuvend, i kemi bërë përpjekjet maksimale që ta japim kontributin tonë dhe mendoj se kemi patur një qasje shumë konstruktive. Kohëve të fundit megjithatë, nga mjetet e informimit, nga deklaratat, nga mjetet publike, kuptojmë se nuk po diskutohet për decentralizim por po diskutohet për riorganizim territorial të territorit të Kosovës, një riorganizim territorial të komunave të Kosovës dhe kjo na krijon shumë pikëpyetje. Njerëzit me të drejtë pyesin se mos kjo do të jetë nesër burim i një dhune. Ne në Lidhjen Demokratike të Kosovës, jemi parti politike e cila kundërshton dhunën. Jemi shumë të interesuar që të ofrojmë shërbime për qytetarët, të cilët do të jenë në shërbim të tyre, por jo që të jetë një dorë që kjo organizatë të jetë burim i konflikteve. Shpresoj që debati vazhdon. Popullsia shumicë shqiptare është e vetëdijshme që është shumicë dhe në radhët e përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës egziston një gadishmëri që t'u dilet përballë kërkesave të minoriteteve, që t'i kenë të drejtat e plota si pakica sipas Kartës së Strasburgut.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse atëhere LDK-ja do ta përkrahë qeverinë e Kosovës në këtë riorganizim të ri territorial të Kosovës?

ALUSH GASHI
Jo, ne nuk e kemi shqyrtuar fare këtë dokument. Ky dokument, nëse është pranuar si i tillë ka dalë gjatë pushimeve. Ne do ta mbështesim qeverinë në ofrim të shërbimeve të mira, ndërsa sa i përket çështjes së riorganizimit territorial. Kjo është një çështje për të cilën natyrisht duhet të bisedohet, por nuk kam njohuri se si mund të kryhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasadori Kai Eide është duke përpiluar raportin e tij për standardet në Kosovë. Sa jeni optimist për një raport pozitiv dhe si e shihni vetë procesin e përmbylljes së bisedimeve për statusin e Kosovës?

ALUSH GASHI
Mendoj se ambasadori i përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm lidhur me këtë çështje, do të ketë parasysh krahasimin e disa datave, se si ka qenë gjendja në Kosovë në vitin 1999 dhe si është gjendja në Kosovë në vitin 2005. por unë mendoj se ambasadori do të jetë i ndërgjegjshëm të argumentojë se gjendja e qëndrueshmërisë së institucioneve demokratike në Kosovë është shumë më e mirë dhe kosovarët gjatë kësaj periudhe kanë dëshmuar një pjekuri dhe gadishmëri për vazhdim të proceseve. Do të thotë se do të jetë një raport pozitiv. Natyrisht Kosova si një territor që gjendet në Evropë dhe që së shpejti do të jetë i pavarur, duhet të përgatitet që t'i bashkangjitet familjes së demokracive perëndimore. Unë pres që pjesa e parë të jetë njohje e realitetit në Kosovë, përndryshe do të ishte një befasi dhe natyrisht duhet të jetë vizioni i tij personal se çfarë pritet nga Kosova që t'i bashkangjitet familjes evropiane.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG