Ndërlidhjet

STUDIMET E REJA BRITANIKE DËSHMOJNË PARREZIKSHMËRINË E PËRDORIMIT TË CELULARËVE


Tani mund të flisni me telefon celular sa të dëshironi. Sipas shkencëtarëve britanikë, nuk do të rrezikohet shëndeti juaj, por vetëm kuleta.
Studimi më i gjatë deri tani i përdorimit të telefonave mobilë në disa vende evropiane nuk ka gjetur ndonjë ndërlidhje mes përdorimit të tyre dhe tumorëve në tru. Studimi i kryer nga Instituti Britanik për Hulumtime të Kancerit, është munduar të përcaktojë nëse përdorimi i celularëve rrit rezikun e krijimit të neuromave akustike.
Neuromat akustike janë një lloj i tumorit që rritet në nervin, i cili lidh veshin e brendshëm me trurin.
Dihet për shembull se ekspozimi i madh ndaj rrezeve radioaktive nxit këto tumore.
Shkencëtarët kanë dashur të zbulojnë nëse telefonat mobilë, që po ashtu emetojnë rrezatim, por në dozë shumë të vogël, kanë efekt të njëjtë. Kreu i studimit, Anthony Swerdlow, shpjegon për Radion Evropa e Lirë arsyen pse janë fokusuar në këto lloje tumoresh:
"Arsyeja është se sistemi nervor ku zhvillohet tumori, ndodhet shumë afër pjesës ku mbahet telefoni mobil dhe pranohet dozë e lartë e rrezatimit radioaktiv ", thotë Swerdlow.
Shkencëtarët kryen intervista të detajizuara me 678 përdorues telefonash mobilë tashmë të prekur nga neuroma akustike dhe me 3500 të tjerë të liruar nga çdo simptomë në Britani, Finlandë, Suedi dhe Norvegji.
Këto shtete janë zgjedhur pasi kanë numrin më të madh të personave që për një kohë të gjatë kanë përdorur telefonat mobilë, duke ua bërë të mundur kërkuesve që të gjurmojnë për ndonjë lidhje të mundshme mes tumorëve dhe përdorimit të telefonave në 10 vitet e kaluara.
Sipas Swerdlow nuk është gjetur asnjë lidhje e tillë:
"Për përdoruesit që kanë përdorur telefonat për 10 vite ose më pak, duket se nuk ka lidhje mes përdorimit të telefonave dhe rrezikut nga tumorët. Ne kemi të dhëna relative dhe nuk kemi mundur të nxjerrim një përfundim të fortë, për personat që kanë përdorur telefonim më gjatë sesa 10 vjet", thotë Swerdlow.
Shkencëtarët kanë krahasuar të varurit nga telefonat mobilë, që përdorin celularët e tyre për disa orë në ditë dhe ata që bëjnë ndonjë thirrje të rrallë. Ata krahasuan përdoruesit e rinj me të vjetrit. Ata po ashtu krahasuan telefonat e vjetër analogë me ata të rinj dixhitalë, që emetojnë më pak radioaktivitet falë teknologjisë më efikase.
"Nuk kemi gjetur ndonjë ndikim në asnjërin lloj të telefonave. Teknologjia ka ndryshuar, dhe në përgjithësi sasia e radioaktivitetit, është zvogëluar, për arsye teknike. Por, madje edhe me analogët, që kanë pasur radioaktivitet më të madh, nuk është zbuluar ndonjë ndikim", thotë Swerdlow.
Meqë telefonat mobilë janë teknologji e re, askush nuk i di efektet e mundshme afatgjate pas përdorimit 20, 30 ose 40 vjeçar. Po ashtu nuk është bërë ndonjë studim i gjithëpërfshirës mbi efektet e mundshme të përdorimit të telefonave mobilë tek fëmijët, që me herët pati çuar te rekomandimi i disa shkencëtarëve, që prindërit t'i kufizojnë fëmijët nga përdorimi i celularëve.
XS
SM
MD
LG