Ndërlidhjet

BUSH: RIMËKËMBJA NGA URAGANI DO TË ZGJASË ME VITE


Në qytetin e shkatërruar të New Orleansit, disa njerëz po qëndrojnë në kulme, duke valëvitur një flamur të kuq në drejtim të një helikopteri të një televizioni që po afrohej.
Mesazhi ishte: "Na ndihmoni".
"Njerëzi po i valëvitin flamujt me dëshpërim. Asgjë nuk mund të bëjmë për t'iu ndihmuar atyre përveç se të njoftojmë Gardën e bregdetit dhe ekipet e shpëtimit për fatkeqësinë e tyre", thotë reporteri.
Banorët e një blloku apartamentesh janë në mesin e mijëra njerëzve, që ende janë të ngujuar në qytet.
Qindra, mbase mijëra, dyshohet se kanë vdekur në rajon, pasi uragani Katrina goditi rajonin me shira të rrëmbyeshëm, stuhi e erëra të fuqishme përgjatë bregdetit. Pendat tokësore që përdoren për të mbrojtur qytetet që janë në nivel më të ulët se deti si ato të New Orleansit po ashtu janë hequr nga stuhia.
Ekipet e shpëtimit po i lënë trupat e gjetur mbi ujë për t'u koncentruar në detyrën më të rëndë për të gjetur të mbijetuarit.
Jan Egeland, shef i ndihmave humanitare në OKB, e quajti uraganin Katrina si tragjedinë më të madhe natyrore të ndodhur ndonjëherë. Në aspektin ekonomik, ai ka thënë se është më e rëndë se tsunami i vitit të kaluar. Një kompani e sigurimit thotë se dëmet mund të jenë 20 miliardë dollarë.
Prefekti i New Orleansit Ray Nagin, tha se duhen 2-3 muaj që qyteti t'i kthehet jetës, ndërsa banorët nuk do të lejohen që të kthehen në shtëpi për të paktën një ose dy muajt e ardhshëm.
Tani po shtrohet pyetja pse mbrojtja nga vërshimet për shembull e qytetit të New Orleansit është neglizhuar.
Por, ka shqetësime të tjera më serioze. Uji i infektuar mund të përhapë sëmundje. Ndërsa mungesa e ligjit ka çuar në kaos. Përveç policëve dhe ekipeve të shpëtimit, mijëra trupa shtesë të Gardës Kombëtare kanë zbarkuar për të ndalur plaçkitjen dhe dhunën sporadike.
Disa plaçkitës bartnin gjëra të pavlefshme. Të tjerët, si një grua e moshës së mesme shtynin karrocat, duke thënë se kanë marrë vetëm gjërat që u duhen:
"Policia na ka thënë se mund të hyjmë dhe të marrim të domosdoshmet. Nuk po marrim rroba apo diçka tjetër, por vetëm ushqim".
Në mes të këtij kaosi, ka pasur edhe disa gjëra pozitive.
Rritja e nivelit të ujit në New Orleans është zvogëluar. Evakuimi i rreth 25 mijë njerëzve të strehuar në një stadium të madh të qyetetit ka filluar.
Dje në mbrëmje kanë arritur kamionët e parë me ushqim dhe ujë të pijshëm nga qytetete bredgetare të Misisipit, si pjesë e asaj që zyrtarët emergjentë e quajnë reagimi më i madh i dhënies së ndihmave në historinë amerikane.
Po dje, presidenti amerikan George Bush, ka vëzhguar nga aeroplani rajonet e shkatërruara dhe ka thënë se do të duhen vite për t'u rimëkëmbur:
"Tani, ditët duken të tmerrshme për ata që janë goditur. E kuptoj këtë. Por, besoj, se me kohë do t'i ktheheni jetës normale. Do të lulëzojnë komunitetet e reja. Qyteti i mrekullueshëm i New Orleansit do të ngritet sërish në këmbët e tij. Dhe Amerika do të jetë një vend më i fortë për këtë. Vendi është me ju", tha Bush.
Për ata që kanë mbetur të pastrehë dhe që po vajtojnë për të afërmit e tyre, kjo rimëkëmbje duket e largët.
XS
SM
MD
LG