Ndërlidhjet

CHIARAMONTE: SEMINARI I GJUHËS SHQIPE- ENCIKLOPEDI ME VETE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Risitë që sjellin edicionet e pasluftës të seminarit ndërkombëtar të gjuhës letërsisë dhe kulturës shqiptare, lindin nga aspekte që sot Kosova e gëzon lirinë dhe tema dhe mënyra e trajtimit të tyre është ndryshe nga mënyra e hershme kur ka filluar të mbahet ky seminar, thotë Zef Chiaramonte, albanolog arbëresh nga Italia.
"Po sidomos ato vite të ngurta që ishin në fillim të seminarit, sot nuk janë më. Po ashtu dhe temat, boshtet e relacioneve, kumtesave janë më të lira, vërehet një gjallëri kulturore që nuk ka qenë më parë. Në përgjithësi ky seminar nuk është tjetër veçse një shkollë verore, të cilin të gjithë shtetet e kanë. Prandaj mua më duket se standardi është shumë i mirë".
Ndonëse çdo vit seminari zgjat rreth 15 ditë, jeta e seminarit, siç thotë zoti Chiaramonte, jeta e seminarit zgjat edhe më tej.
"Ky është kulmi, por jeta e seminarit është tërë viti, sepse tani grumbullohen kumtesat, botohen. NE sivjet kemi marrë botimin e kumtesave të vitit të kaluar. Ato patjetër që ushtrojnë ndikim tani. Plus mbeten edhe nëpër bibloteka. Prandaj seminari ka 24 vjet. Përbën në vetvete një biblotekë të vogël, me tema aq të ndryshme sa mund të thuhet se është një enciklopedi."
Ndërkaq albanologu Zef Chiaramonte dje ka referuar kumtesën në temën "Nastradin Gjuha, një figurë ndërkombëtare e mishëruar në folklorin arbëresh dhe shqiptar". Ai flet për idenë shtytëse për hulumtimin e këtij personazhi.
"Në vitin 1991 kur ikën shqiptarët me rënien e komunizmit, në Siçili erdhën një grup afërsisht prej 2000 vetash dhe u hap një kamp. Atje ata tregonin shpesh për Nastradin Hoxhën. E njëjta gjë ndodhi kur erdhën shqiptarët, shumica prej Lypjani. Disa prej Blace i dëbuan dhe erdhën në Siçili, ishin 8 miq dhe ndenja me ta njëfarë kohe. Kështu vura re se ky personazh nuk ishte vetëm siçilian siç kam menduar më përpara, sepse siç thashë edhe arbëreshët e kanë por e kanë marrë nga tradita arabe e pranishme në Siçili. E kështu më lindi kureshtja dhe e thellova pak".
Sidoqoftë, siç thotë albanologu Chiaramonte, derisa dikur priftërinjtë arbëreshë kanë patur rolin e ruajtësve dhe kultivuesve të gjuhës arbëreshe, sot mundësitë dhe hapësirat për studime në fushën e albanologjisë janë më të mëdha, dhe me to merren profesorë universitarë.
"Tani në kohët e reja prifti nuk e ka më këtë angazhim. Mund ta ketë, por tani aspekti gjuhësor ka kaluar në rangun universitar. Postet në universitet sot janë zënë nga profesorë, të cilët si nxënës ishin në këtë seminar. Prandaj dhe seminari ka luajtur dhe një rol përparimtar, i ka dhënë një dinjitet gjuhës, sidomos gjuha standarde ka ndihmuar, ashtu që nëpër katedrat e gjuhës shqipe sot zhvillohet një veprimtari që është ndërlidhur shumë nga aspekti gjuhësor me arritjet në Shqipëri dhe në Kosovë. Përsa i përket aspektit historik, ai lidhet më shumë me prodhimtarinë që kanë patur arbëreshët, duke filluar nga poetët, historianë më pak, e shkrime romaneske nuk kemi, sepse arbërishtja ka qenë gjithmonë gjuha e zemrës, jo e bukës."





XS
SM
MD
LG