Ndërlidhjet

logo-print

UASHINGTON


Presidenti Bush do të dërgojë trupa ushtarake shtesë në zonat e prekura nga uragani Katrina në Shtetet e Bashkuara.
"Sot kam urdhëruar Departamentin e Mbrojtjes të dërgojë trupa aktive shtesë në zonat e goditura. Në 24 deri në 72 orët e ardhshme mbi 7 mijë trupa shtesë do të mbërrijnë në zonat e prekura", tha presidenti Bush.
Ky vendim erdhi pas takimit me shefin e Pentagonit dhe atë të Sigurisë Kombëtare si dhe një ditë pas vizitës në rajonet e katastrofës. Bush deklaroi se përpjekjet e qeverisë për ndihma deri tash nuk kanë qenë të pranueshme, por u zotua se agjencitë qeveritare do të bëjnë më shumë.
Sot trupat e armatosura të Gardës Kombëtare arritën në qytetin e shkatërruar Nju Orleans për t'u ofruar ushqime dhe siguri mijëra të dëshpëruarve, të cilët mbijetuan nga uragani Katrina. Shpërndarja e ushqimit dhe barërave, plot 4 ditë pasi uragani e shkretoi Nju Orleansin, u bë pas raporteve se banda të armatosura po bredhin rrugëve të qytetit pas kolapsit pothuajse total të pushtetit.
Nga stadiumi i qytetit, autobusët filluan t'i evakuojnë mijëra të strehuarit, ndërsa filloi edhe evakuimi i pacientëve nga spitalet. Shkalla e dëmeve nga katastrofa ende nuk dihet, por druhet se mijëra mund të kenë vdekur.
Zyrtarët thanë se do të duhen disa muaj për të larguar gjithë ujin nga Nju Orleansi.
Organizma dhe qeveri nga gjithë bota kanë ofruar mbështetjen e tyre morale e materiale për të prekurit nga uragani Katrina. Madje dhe Kryqi i Kuq i Koresë së Veriut, i ka dërguar Uashingtonit një mesazh mbështetje në këtë moment të vështirë, çfarë paraqet një rast të pazakontë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
XS
SM
MD
LG