Ndërlidhjet

KOSUMI: HAPAT E PARË TË BISEDAVE PËR STATUSIN NISIN BRENDA MUAJIT


Hapat e parë të bisedave për statusin përfundimtar të Kosovës mund të nisin brenda një muaji, ka deklaruar sot kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, në prononcimin e tij të parë për disa media pas kthimit nga pushimet. Kryeministri Kosumi i ka bërë këto vlerësime pasi ka shfaqur bindjen e tij se raporti i ambasadorit Eide për Kosovën do të jetë pozitiv, duke marrë parasysh përparimin që është arritur në Kosovë:
"Edhe pse ka pasur ditëve të fundit disa raste të rënda të cilat krejt shoqëria jonë dhe strukturat politike dhe shtetërore i kanë dënuar si të tilla, si të këqija dhe të dëmshme për procesin, megjithatë progresi i madh që është arritur në Kosovë gjatë gjithë kohës besoj se do të reflektojë në raportin e tij dhe nëse ky progres reflekton, atëherë raporti duhet të jetë pozitiv dhe duhet t’i hapë rrugë procesit të finalizimit të statusit përfundimtar të Kosovës."
Prandaj, tha kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi edhe fillimi i bisedave mund të ndodhë shumë shpejt:
"Unë mendoj se shumë shpejt do të fillojnë hapat e parë të bisedave për statusin final të Kosovës. Ndoshta nuk mund të flitet as për një periudhë më shumë se njëmuajshe"
Në anën tjetër kryeministri Kosumi tha se me gjithë faktin që faktori politik dhe institucional i Kosovës është gjithmonë i përgatitur për të biseduar për statusin pasi kjo është një punë në të cilën është investuar dekada të tëra, vërehet një ngecje në përgatitjet formale për t’u hyrë këtyre diskutimeve. Për këtë zvarritje kryeministri i Kosovës ka fajësuar Forumin Politik, një mekanizëm i themeluar nga shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, në të cilin marrin pjesë presidenti i Kosovës dhe përfaqësues të katër partive më të mëdha politike:
"Ende janë disa zvarritje që lidhen me forumin e Kosovës dhe me grupet punuese dhe mendoj që tepër kohë kemi humbur me Forumin e Kosovës, duke u marrë me faktin se çka dhe çfarë roli duhet të ketë-është thjesht një punë Sizifi që ka ndodhur në kohën e paduhur."
Pavarësisht nga kjo ngecje, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se ai do të intensifikojë përpjekjet e tij për ta vënë në vijë këtë punë:
"Unë do të përpiqem, të përshpejtojë punën e qeverisë dhe të institucioneve të tjera përfshirë edhe forumin, për të formuar grupet punuese dhe në radhë të parë për caktimin e koordinatorit të grupeve të punuese."
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se caktimi i koordinatorit është çelësi që e hap procesin dhe duhet rikthyer tek ideja origjinale për forumin, i cili është formuar që të harmonizojë qëndrimet për statusin përfundimtar të Kosovës dhe nuk është formuar për të kryer punë të tjera ekzekutive dhe organizative, pasi sipas tij, ato janë punë të qeverisë. Prandaj tha kryeministri Kosumi koordinatorin duhet ta propozojnë qeveria dhe presidenti dhe pas konsultimit edhe me institucionet e tjera, koordinatori duhet të jetë ai që do ta ketë lirinë më të madhe për të përcaktuar grupet punuese, natyrisht duke marrë për këtë edhe pëlqimin e Kuvendit dhe të institucioneve të tjera.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG