Ndërlidhjet

PRISHTINË


Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka njoftuar sot qytetarët e Kosovës se vuan nga kanceri në mushkëri. Ai e ka bërë të ditur këtë në një paraqitje publike drejtuar qytetarëve të Kosovës, nga të cilët ka kërkuar përkrahje morale dhe ka shfaqur bindjen se do ta përballojë këtë sfidë për të vazhduar rrugën drejt pavarësisë.
"Me ndihmën e Zotit do ta kapërcej edhe këtë betejë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku më fuqishëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës", tha sot presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha se të shtunën është kthyer nga Gjermania ku ishte një spitalin ushtarak amerikan në Landstuhl për testime dhe shërim:
"Mjekët kanë konstatuar se tash gjendja ime shëndetësore është duke u përmirësuar dhe janë optimistë për shërimin tim të shpejtë."
Pas paraqitjes publike të presidentit Rugova, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen përmes një komunikate ka shprehur pikëllimin e tij lidhur me gjendjen shëndetësore të presidentit dhe ka shfaqur shpresën për shërimin e tij të shpejtë. “Jam i bindur se presidenti do të vazhdojë ta shfaqë frymën me të cilën është përballur në shumë situata të vështira në të kaluarën dhe ai mund të llogarisë në mbështetjen tonë të plotë për ta tejkaluar këtë periudhë sfiduese." Zoti Jessen Petersen u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që "të qëndrojnë të bashkuar, të jenë dinjitozë në solidaritetin e tyre me presidentin, për të vazhduar përpjekjet për shkuar përpara dhe për të punuar drejt arritjes së shpejtë të synimeve që kanë të gjithë, e para së gjithash presidenti, për një shoqëri paqësore, të qëndrueshme demokratike dhe multietnike.”
XS
SM
MD
LG