Ndërlidhjet

KAI EIDE: POZITA DHE OPOZITA TË PUNOJNË SË BASHKU NË PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ambasadori norvegjez, Kai Eide, i ngarkuar i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për të bërë vlerësimin e shkallës së zbatimit të standardeve, ka kërkuar sot nga spektri politik kosovar, që të punojë së bashku në çështjet me rëndësi për Kosovën, në mënyrë që raporti i tij përfundimtar, që do t’ia paraqesë Kofi Ananit, të jetë sa më pozitiv. Eide, i bëri këto komente pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e partisë politike “Ora”, Veton Surroin. Eide tha se do të dëshironte të shihte hapa konkretë, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita, për disa çështje aktuale, të cilat reflektojnë jo vetëm në zbatimin e standardeve, por edhe në gjendjen e përgjithshme në Kosovë:
“Unë shpresoj se ne do t’i shohim qeverinë dhe opozitën duke punuar në mënyrë konstruktive së bashku, në mënyrë që ne të arrijmë në atë shkallë të cilën e duam, pra një raport sa më pozitiv që të jetë e mundur, dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse të gjithë punojnë së bashku në mënyrë konstruktive”, tha Eide.
Në anën tjetër, Veton Surroi tha se përgatitjet për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës kanë qenë temë qendrore e takimit të tij me zotin Eide:
“Ne kemi manifestuar si “Orë” gjithmonë nevojën që të ndërtohet konsensusi, nevojën që të përshpejtohet përgatitja dhe nevojën që kjo të bëhet një formë, e cila ndërthen në vete pushtetin dhe opozitën”, tha Surroi.
Të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur keqardhje për gjendjen shëndetësore të presidentit Ibrahim Rugova, dhe njëherit kanë shprehur dëshirat e tyre që Rugova të shërohet dhe kyçet në proceset aktuale politike:
“Ne e dëgjuam Rugovën dhe e çmojmë lart fjalimin e tij të hapur. Sinqerisht i dëshirojmë atij shërim të shpejtë dhe pres me padurim që të bisedoj me të sërish”, tha Eide, duke shpresuar se Rugova do të mund të luajë rolin e tij si president, që nënkupton dhe rolin unifikues politik në Kosovë, në prag të bisedimeve për statusin. Ndërkaq, Veton Surroi tha se paraqitja e presidentit ishte një moment i prekshëm, por njëkohësisht ai tha se shpreson që presidenti do të kyçet në procesin aktual:
“Unë shpresoj personalisht që presidenti do të bëhet më mirë dhe nga ana tjetër shpresojmë që presidenti do të kyçet në këtë proces të përshpejtimit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Është një rol i pashmangshëm, jo vetëm si kryetar, por edhe si personalitet i Dr.Rugovës që të marrë pjesë në këtë fazën përfundimtare të përcaktimit të statusit”, theksoi Surroi.
Gjatë paradites, ambasadori Kai Eide ka biseduar nën dyer të mbyllura dhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, mirëpo pas atij takimi ata nuk janë prononcuar. Gjithashtu, mbrëmë Eide ka biseduar gjatë një darke pune dhe me kryeministrin Bajram Kosumi, si dhe me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen. Eide do të qëndrojë edhe nesër në Kosovë, kur pritet t’i vazhdojë takimet e tij me liderët vendorë. Se kur do ta përmbyllë raportin e tij, të cilin do t’ia paraqesë Kofi Ananit, Eide ka thënë se nuk mund ta parashikojë, por njëkohësisht ai ka thënë se është i inkurajuar me takimet e fundit në Prishtinë dhe zotimet që lidershipi kosovar po i merr për të bërë hapa konkretë në zbatimin e standardeve.



XS
SM
MD
LG