Ndërlidhjet

logo-print

PRESIDENTI RUGOVA: VUAJ NGA KANCERI NË MUSHKËRI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me ndihmën e Zotit do ta kapërcej edhe këtë betejë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku më fuqishëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ka thënë sot presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, duke iu drejtuar qytetarëve, pasi i ka njoftuar ata se vuan nga kanceri në mushkëri. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha se të shtunën është kthyer nga Gjermania, ku ishte një spitalin ushtarak amerikan në Landstuhl për testime dhe mjekim:
"Mjekët kanë gjetur se vuaj nga kanceri i lokalizuar në mushkëri, prandaj më kanë caktuar një terapi intensive shëruese. Gjithashtu mjekët kanë konstatuar se tani gjendja ime shëndetësore është duke u përmirësuar dhe janë optimistë për shërimin tim të shpejtë", tha presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, duke falënderuar qeverinë amerikane që këto ditë është kujdesur për gjendjen e tij shëndetësore. Gjatë gjysmës së dytë të muajit gusht, presidenti Rugova pati bërë disa vizita mjekësore në kampin ushtarak amerikan Bondsteel në afërsi të Ferizajt dhe më pas mjekët i patën sugjeruar të shkonte për analiza të mëtejshme në bazën ushtarake amerikane në Landstuhl të Gjermanisë. Që nga 27 gushti e deri më 3 shtator, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova u është nënshtruar analizave dhe terapive në Landstuhl.Vetë presidenti Rugova tha sot se shpresonte ta kapërcente edhe këtë betejë:
"Jam i bindur se me ndihmën e Zotit do të kapërcej edhe këtë betejë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku më fuqishëm për njohjen e pavarësisë së vendit tonë, Kosovës, sa më parë nga miqtë tanë amerikanë e evropianë. Pres përkrahjen Tuaj, si gjithmonë. Zoti Ju bekoftë! Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës! Zoti e bekoftë Kosovën!"
Më 3 shtator, menjëherë pas kthimit, zyra për informim e presidentit të Kosovës njoftonte se presidenti Rugova do t’u kthehet detyrave të tij si President, duke qenë nën përkujdes mjekësor në rezidencën e tij në Prishtinë.
Pas paraqitjes publike të presidentit Rugova, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, përmes një komunikate ka shprehur pikëllimin e tij lidhur me gjendjen shëndetësore të presidentit dhe ka shfaqur shpresën për shërimin e tij të shpejtë. “Jam i bindur se presidenti do të vazhdojë ta shfaqë frymën, me të cilën është përballur në shumë situata të vështira në të kaluarën dhe ai mund të llogarisë në mbështetjen tonë të plotë për ta tejkaluar këtë periudhë sfiduese."
Zoti Jessen Petersen u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë të bashkuar, të jenë dinjitozë në solidaritetin e tyre me presidentin, për të vazhduar përpjekjet për shkuar përpara dhe për të punuar drejt arritjes së shpejtë të synimeve që kanë të gjithë, e para së gjithash presidenti, për një shoqëri paqësore, të qëndrueshme demokratike dhe multietnike.
Ndërkaq, kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetar i të cilës zoti Rugova ishte deri në mars të këtij viti, kur u tërhoq për shkak të detyrave si president i Kosovës, ka shfaqur bindjen se edhe kësaj radhe, Presidenti Rugova me energjinë e tij prej prijësi të madh e të palodhshëm, do ta kapërcejë këtë sfidë, sikurse edhe shumë sfida të tjera deri më tani, duke e udhëhequr popullin edhe më tej suksesshëm drejt njohjes formale të pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG