Ndërlidhjet

R: HALITI: NUK JEMI TË KËNAQUR ME DINAMIKËN E ZBATIMIT TË MARRËVESHJES SË OHRIT


Rafiz Haliti, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haliti, nga zyrtarë të partisë suaj janë lëshuar disa kritika ndaj anëtarëve të qeverisë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, për të cilët thuhet se nuk kanë punuar si duhet dhe sa duhet, në realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. A i ndani dhe ju këto vlerësime?

RAFIZ HALITI
Më së pari do të them atë se ne e kemi potencuar si parti që nuk jemi të kënaqur me dinamikën, me të cilën po zbatohet në praktikë, në jetën e përditshme Marrëveshja e Ohrit. Kjo ka të bëjë me ligjet, të cilat i kemi sjellë në Kuvend, por ja që ngandonjëherë zbatimi i tyre zhagitet, apo nuk u përmbahen burokratët e shtetit afateve me të cilat duhet të respektohen dhe të zbatohen ato ligje në praktikë. Unë do të përmend vetëm një rast të sipërmarrjeve publike dhe ministrive të ndryshme, ku duhet të përdoret gjuha shqipe ose përgjigja t'u jepet palëve në gjuhën në të cilën u drejtohen. Kështu që ende nuk kemi zbatim të këtij ligji në praktikë dhe këto zakonisht kanë qenë vërejtjet tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndër personat e apostrofuar janë nënkryetari i qeverisë Musa Xhaferri dhe Ministri i Arsimit Aziz Pollozhani. A do të thotë kjo se mund të pritet një rikonstruim i qeverisë?

RAFIZ HALITI
Sa i përket akuzave që janë drejtuar nga zoti Fazli Veliu në drejtim të qeveritarëve tonë dhe të zëvendëskryeministrit, me siguri që qëllimi i zotit Veliu është që të përshpejtohet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe si njëri më përgjegjës, nënkryetari Musa Xhaferri është personi i cili është i angazhuar për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo është me siguri arsyeja pse zoti Veliu i ka drejtuar tek qeveritarët tonë akuzat. Qëllimi është që të përshpejtohet dinamika e zbatimit të marrëveshjes. Sa i përket pyetjes konkrete a do të ketë rikonstruim të qeverisë, për arsye se mandatari Buçkovski kërkon të ketë një rikostruim të qeverisë, gjithsesi ne si parti nuk do të pengojmë rikonstruimin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haliti, a mund të jenë nxitur reagimet e tilla nga akuzat e opozitës për korrupsion në radhët e partive në pushtet?

RAFIZ HALITI
Unë mendoj se do të ketë gjithmonë akuza nga opozita dhe sidomos për korrupsionin në Republikën e Maqedonisë. Mendoj se në disa raste këto akuza edhe janë të arsyeshme, për atë që ne nuk arritëm të luftojmë në atë masë që mendonim dhe shpresonim që do ta luftojmë korrupsionin. Në raste të tilla ata që janë të korruptuar, asnjëherë nuk do t'i marrim në mbrojtje, por them se korrupsioni nuk është dukuri tek zyrtarët shqiptarë.

Intervistoi: Vullnet Poshka



XS
SM
MD
LG