Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS SHËNON 95 VJETORIN E LINDJES SË NËNË TEREZËS


Nadie Ahmeti,Prishtinë

Me rastin e 95 vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës, sot Kuvendi i Kosovës përmes një seancë solemne, përkujtoi jetën dhe veprën e saj. Në këtë seancë ka marrë pjesë edhe kryeadministratori Soren Jessen Petersen. Seancën e ka hapur kryetari i këtij Kuvendi Nexhat Daci, i cili fillimisht tha se nderimi i Nënë Terezës në këtë kuvendim të popullit të Kosovës, është nderim për vetë Kuvendin. Ajo që e veçon Nënë Terezën në veprimtarinë e saj, sipas zotit Daci, është ndihma dhe angazhimi i përhershëm i pakursyer i saj, deri në sakrificë.
"Ajo shtriu dashurinë tek të gjithë njerëzit. Rriti shpresën dhe theu të gjitha barrierat e kufizimet, duke krijuar një institucion bamirës, jo përfitues, dhe duke ofruar ndihmën për të gjithë njerëzit pa dallim, jashtë çfarëdo kushtëzimi dhe jashtë çfarëdo propagande."
Zoti Daci tha se në të gjithë misionin e saj Nënë Tereza nuk e la pa përçuar edukatën dhe traditën e popullit shqiptar, nga ishte edhe ajo vetë.
Dom Lush Gjergji, i cili është marrë me biografinë dhe veprën e Nënë Terezës, atë e quajti " Ambasadore shqiptare të dimensioneve botërore".
"Bëri që ne si popull të arrijmë në piedestalin e nobelizmit për paqe në vitin 1979, të lumturimit në vitin 2003 dhe së shpejti shpresojmë dhe urojmë edhe të shenjtërimit".
Dom Lush Gjergji tha gjithashtu se megjithë angazhimin e saj në luftën kundër të ligave dhe robërive në mbarë njerëzimin, Nënë Tereza në mendjen e saj kurrë nuk e ka harruar popullin e saj.
"Ajo gjithnjë është lutur dhe ka ndërmjetësuar te zoti, por edhe tek qarqet më të larta kishtare dhe botërore, çështjen e Kosovës, si dhe për paqen në botën mbarë. Pa Nënë Terezën nuk mund të kuptohet dhe shpjegohet angazhimi i madh për Kosovën i Papës Gjon Palit të II-të, i Sekretarit të Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, i ish presidentit amerikan Bill Klinton dhe i shumë të tjerëve, si dhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999."
Ndërkaq kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Rexhep Ismajli, tha se toleranca njerëzore fetare dhe etnike e Nënë Terezës, është marrë pikërisht nga origjina e saj.
"Kur ishte gjallë mori një mirënjohje më të madhe të gjithë njerëzimit. Që nga India e deri tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Kuba e deri në Shqipëri. Humanizmi i saj në vepër konkrete dhe në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, në mbrojtje të jetës, u vlerësua lart edhe me çmimin Nobel për paqe më 1979."
Ndryshe seanca e sotme pason vënien e gurthemelit të katedrales katolike në qendër të Prishtinës, që do të mbajë emrin e Nënë Terezës.
XS
SM
MD
LG