Ndërlidhjet

URAGANI KATRINA SHKAKTON DHE KRIZË POLITIKE


Uragani shkatërrues, Katrina dhe vërshimet e shkaktuara nga ai në Nju Orleans, nuk kanë dëmtuar vetëm një rajon të madh të Shteteve të Bashkuara. Ky uragan ka shkaktuar edhe një krizë politike në rritje, në të cilën autoritetet lokale, shtetërore dhe federale, po e fajësojnë njëri-tjetrin për gjendjen kaotike të pjesës më të madhe të përpjekjeve të javës së fundit për t'i shpëtuar të mbijetuarit dhe për t'i siguruar hapësirat ndaj vjedhësve.
Gjatë fundjavës së kaluar, presidenti Bush iu përgjigj kritikëve që thonin se qeveria federale ishte shumë e ngadalshme në përgjigjet ndaj uraganit. Në fjalimin e tij javor në radio, ai sugjeroi se për t'u fajësuar ishin zyrtarët lokalë për vonesa në dërgimin e ndihmave, veçanërisht në Nju Orleans.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs i kundërshtoi akuzat se qeveria federale kishte vepruar ngadalë ndaj krizës për shkak se shumica e atyre që u duhej ndihma në Nju Orleans ishin të varfërit dhe afrikano-amerikanët.
Kondoliza Rajs, që ka pozitën më të lartë nga afrikano-amerikanët në administraën e presidentit Bush, tha se vonesat nuk ishin të motivuara me aspekte racore:
"Unë jam një afrikano-amerikane. Unë jam nga Alabama. Mund t'ju them se kjo përgjigje nuk ka të bëjë me ngjyrën. Kjo është përgjigje e amerikanëve që u ndihmojnë amerikanëve. Asnjë amerikan nuk dëshiron të shohë të vuajnë amerikanën e tjerë dhe nuk besoj se ndokush mund të lejojë, qoftë edhe për një minutë, që njerëzit të vuajnë për shkak se ata janë afrikano-amerikanë. Unë nuk i besoj kësaj", tha Kondoliza Rajs.
Pas fjalimit në radio të zotit Bush, zyrtarët e Luizianës ndërmorën kundërsulm, duke e akuzuar administratën e tij për dështim që t'i financojë përpjekjet për forcimin e mureve mbrojtëse në Nju Orleans.
Shpërthimi i këtyre mureve në dy vende nga uragani, shkaktoi depërtimin e ujit që vërshoi pothuajse 80% të qytetit.
Senatorja nga Luiziana, Mary Landrieu, bile u kërcënua se do ta godasë presidentin Bush dhe çdokënd tjetër që kritikon veprimet e autoriteteve lokale.
Përderisa administrata e Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarët lokalë po vazhdojnë ta fajësojnë njëri tjetrin për këtë fatkeqësi, një numër gjithnjë e më i madh i vendeve nga mbarë bota po premtojnë ndihmë për të goditurit nga uragani Katrina.
Afganistani dhe Bangladeshi, dy ndër vendet më të varfëra në botë, premtuan ndihmë financiare. Bangladeshi ka ofruar një milion dollarë ndihma humanitare, ndërsa Afganistani 100 mijë dollarë.
Rusia ka ofruar për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit. Por, disa zyrtzarë rusë kanë thënë po ashtu se katastrofa ka treguar edhe kufizime të aftësive të Shteteve të Bashkuara si superfuqi.
Disa vende të Bashkimit Evropian, siç janë Italia, Holanda dhe Franca, kanë ofruar dërgimin e ndihmave dhe të ekspertëve në zonat e goditura nga uragani Katrina.
Po ashtu edhe disa vende arabe kanë ofruar ndihmë, përfshirë këtu edhe Kuvajtin, që ka premtuar prodhime të naftës dhe ndihmë tjetër humanitare në vlerë prej 500 milionë dollarësh.
Shkalla e shkatërrimit në rajonet e goditura nga uragani Katrina ka shtyrë që të ofrojnë ndihmë edhe vendet e tilla siç është Kuba, që nuk ka lidhje formale me Shtetet e Bashkuara dhe është tejet kritike ndaj politikës së jashtme amerikane.
Kuba ka ofruar dërgimin e më se 1500 mjekëve për t'i ndihmuar viktimat.
Presidenti kuban, Fidel Kastro tha dje se Shtetet e Bashkuara ende nuk i janë përgjigjur ofertës së tij.













XS
SM
MD
LG