Ndërlidhjet

DREJTËSIA DHE POLICIA DERI NË FUND TË VITIT DO TË KALOJNË NË DUART E QEVERISË SË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë bërë të ditur se bartja e kompetencave në fushën e drejtësisë dhe policisë nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës, do të kryhet para fundit të këtij viti, ndërkohë që zyrtarë të institucioneve vendore kanë thënë se përgatitjet për këtë moment të rëndësishëm janë në kulmin e tyre. Këto deklarata janë bërë sot në Prishtinë, në ditën e Shërbimit Policor të Kosovës, që ka mbushur gjashtë vjet të funksionimit të tij dhe është çmuar nga shefi i UNMIK-ut Petersen, si një model të cilin duhet ta ndjekin edhe institucionet e tjera, qoftë për shkak të profesionalizmit, qoftë për të shkak të strukturës multietnike që pasqyron përbërjen e popullatës së cilës i shërben:
"Në të kaluarën, në këtë pjesë të botës, policia kishte të bënte me mbrojtjen e pushtetit dhe policia ishte më shumë forcë sesa shërbim, ndërsa SHPK-ja ka kaluar një rrugë të gjatë për ta përmbysur këtë koncept," tha shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, në solemnitetin e sotëm të kalimit të komandës rajonale për Prishtinë nga policia e UNMIK-ut te Shërbimi Policor i Kosovës, ndërkohë që javë më parë të gjitha stacionet policore kanë kaluar në duart e SHPK-së.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës Adem Salihaj, pasi e ka vlerësuar situatën e sigurisë në Kosovë si të mirë, tha se si shoqër,i megjithatë jemi të ballafaquar me krimin e organizuar, kontrabandën, prostitucionin, korrupsionin dhe forma të tjera të deformimeve. Këto dukuri, tha zëvendëskryeministri Salihaj, SHPK duhet t’i luftojë edhe më ashpër, tani kur po afrohet koha e bartjes së kompetencave:
"Së shpejti do të formohen dy ministri shumë të rëndësishme për qeverinë e Kosovës, ajo e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë. Në këtë drejtim janë duke u bërë përgatitjet paraprake për një fillim të mirëfilltë të punës, sidomos të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila duhet të jetë drejtpërdrejtë e lidhur me SHPK-në dhe ta udhëheqë SHPK-në", tha zoti Salihaj, ndërsa shefja e departamentit për informim të UNMIK-ut Hua Jiang, tha për Evropën e Lirë se brenda pak muajsh do të bëhet bartja e përgjegjësive në këto dy fusha:
"Përgatitjet po vazhdojnë dhe para fundit të këtij viti do të përfundojmë bartjen e kompetencave në fushën e drejtësisë dhe policisë tek institucionet e Kosovës," tha Hua Jiang, sipas të cilës aktualisht ende janë duke vazhduar diskutimet për mënyrat dhe detajet e tjera të bartjes së përgjegjësive, por tani për tani nuk mund të flitet për një kohë të saktë:
"Nuk kemi një datë të përcaktuar për këtë. Përgatitjet po vazhdojnë, por aktualisht nuk mund të bëjmë publike detajet e diskutimeve," tha zëdhënësja Jiang.
Bartja e kompetencave në fushën e policisë dhe të drejtësisë ka qenë një ndër kërkesat kryesore të krerëve të institucioneve të Kosovës, të cilët kanë thënë se në këtë mënyrë mund të luftohet në mënyrë më efektive krimi i organizuar dhe dukuritë e tjera, si dhe të arrihen standardet e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes. Kjo, tha zëvendëskryeministri Adem Salihaj, është e domosdoshme sidomos për fazën aktuale në të cilën janë proceset politike në Kosovë:
"Kemi hyrë në një fazë shumë të ndjeshme kur duhet të fillojnë bisedat për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, konform vullnetit të popullit. Në këtë drejtim qeveria e Kosovës ka bërë dhe po bën përgatitjet paraprake, që ky proces të kryhet me kohë dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës".
Sidoqoftë, aktualisht brenda koalicionit aktual qeverisës po vazhdojnë diskutimet lidhur me ndarjen e dy ministrive të reja, që do të jenë përgjegjëse për fushat ku do të bëhet bartja e kompetencave, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme, por ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se si do të bëhet kjo ndarje.



XS
SM
MD
LG