Ndërlidhjet

K. BERISHA: PRES QË RAPORTI I EIDES TË JETË POZITIV


Kolë Berisha, nënkryetar i LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, ambasadori Kai Eide sot i jep fund misionit të tij për vlerësimin e përgjithshëm të situatës politike në Kosovë, para se ta publikojë raportin e tij, i cili është thënë se do të çojë drejt hapjes së bisedimeve për statusin e Kosovës. Çfarë prisni nga ky raport?

KOLË BERISHA
Unë kujtoj se zoti Eide ka çfarë të thotë për Kosovën. Raporti i tij pres se do të jetë pozitiv, sepse në Kosovë ka patur dhe ka progres në të gjitha aspektet. Besoj në paanshmërinë e tij si njeri profesional, kështu që raporti i tij, jam i bindur se do t'i hapë rrugë fillimit të bisedimeve për çështje të tjera që vinë pas kësaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, sa është faktori politik i Kosovës i përgatitur për diskutimet lidhur me statusin përfundimtar, meqënëse kohët e fundit ka patur disa kërkesa të disa zyrtarëve ndërkombëtarë në Kosovë ndaj spektrit politik të Kosovës, që të përgatitet më shumë për bisedat për statusin?

KOLË BERISHA
Unë jam optimist për atë se secili shqiptar, pra edhe udhëheqja e Kosovës, opozitë apo pozitë, janë të përcaktuar për të njëjtin qëllim të përbashkët. Natyrisht që duhet të bëhen përgatitje për bisedimet, por me rëndësi për mua është ajo, që qëllimi është i njëjtë dhe të gjithë e kanë një opsion, pavarësinë e Kosovës. Po punohet në atë që të përgatiten personalitetet, grupet punuese, ose kandidatët, njerëzit, të cilët duhet të zhvillojnë bisedime për çështje teknike, jo për statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit është folur shumë edhe për forumin politik, ndërkohë që ka qëndrime të ndryshme për rolin e tij për përgatitjen e bisedimeve. Cili është qëndrimi juaj si anëtar i këtij forumi nga LDK-ja?

KOLË BERISHA
Momentalisht nuk kemi ndonjë mendim të caktuar për forumin. Dihet se këto ditë nuk është punuar në këtë drejtim për shkak të mungesës së presidentit të Kosovës dhe të kryeministrit. Të shohim rrjedhat e mëtejshme si do të vinë. Megjithatë ne i kemi institucionet që veprojnë, Kuvendi, qeveria dhe presidenca. Qeveria është e gatshme të punojë në atë drejtim. Por të shohim se çfarë do të bëhet me forumin. Nuk kam diçka konkrete për të thënë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pjesë e përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, kanë vazhduar të bojkotojnë institucionet. Si ndikon kjo në proceset e përgjithshme politike?

KOLË BERISHA
Natyrisht se ka ndikim negativ ,ospjesëmarrja e tyre në punën e institucioneve tona. Megjithatë është me rëndësi se bota e ka kuptuar qëndrimin e Beogradit dhe e ka kuptuar shkakun pse serbët e Kosovës nuk marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Domethënë nuk është fajtor faktori shqiptar, është fajtor faktori i Beogradit, faktori serb, që gjithnjë ka manipuluar me pjesën serbe që ka në Kosovë. Bota është e informuar për këtë. Natyrisht mund të thuhet se një pjesë e serbëve të Kosovës është e inkuadruar në proceset e tanishme. Kemi përfaqësuesin dhe respektivisht ministrin në qeverinë e Kosovës, Slavisha Petkoviç dhe kanë filluar të vijnë nëpër komisionet e Kuvendit të Kosovës dhe të marrin pjesë një pjesë e tyre. Por gjithsesi po them se është me rëndësi që bashkësia ndërkombëtare e ka kuptuar që nuk është faji tek shqiptarët, nuk është pengesa tek institucionet e Kosovës, është pengesë Beogradi që nuk i lë të marrin pjesë në punën e institucioneve, të integrohen në jetën e përditshme të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Një fushë në të cilën përfaqësuesit serbë megjithatë janë përfshirë me vonesë janë diskutimet për decentralizimin, një proces ky që ka ngecur për shkak të mospajtimit të serbëve. Cili është qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë proces?

KOLË BERISHA
Unë mendoj se procesi i decentralizimit nuk mund të bjerë viktimë e tekave dhe huqeve të serbëve. Decentralizim do të ketë, por jo në baza etnike. Do të ketë decentralizim sikurse ka në çdo shtet tjetër të botës dhe rajonit, për të vënë në funksion të qytetarit institucionet e Kosovës, për t'i afruar shërbimet qytetarit, por jo të ketë ndarje etnike brenda në Kosovë. Kosova është aq e vogël saqë nuk mund të durojë ndarjet e ndryshme që dikush aspiron atje.

Intervistoi Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG