Ndërlidhjet

EIDE: FUNDI I PUNËS SIME BRENDA DY JAVËVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në përmbyllje të vizitës së tij në Kosovë, i dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për vlerësimin e përmbushjes së standardeve në Kosovë, ambasadori Kai Eide, ka paralajmëruar se fundi i punës së tij në hartimin e raportit, nga i cili varet më pas dhe fillimi i bisedimeve për statusin e Kosovës, do të jetë brenda dy javëve të ardhshme. Ambasadori norvegjez është shprehur më optimist se në të kaluarën rreth të arriturave në Kosovë, por nuk ka dashur të paragjykojë ndonjë rezultat të raportit të tij, duke ia lënë këtë mundësi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan. Në përmbyllje të vizitës, Kai Eide ka vazhduar bisedimet edhe sot me kryeministrin Bajram Kosumi, ka vizituar presidentin Ibrahim Rugova, si dhe ka zhvilluar një takim dhe me komandantin e TMK-së, Agim Çeku. Duke mos dashur të paragjykojë raportin e tij, ai tha se ky raport, si edhe vendimi për fillimin e bisedimeve për statusin, janë çështje ekskluzive për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan:
”Mendoj se kemi bërë përparime, dhe kjo është treguar në takimet e hapura dhe gadishmërinë e shprehur këtu që të ecet përpara, por unë nuk mund të jap vlerësime se sa përqind jam i kënaqur me këtë”, tha ambasadori Eide, duke shtuar se ai nuk dëshiron t’i komentojë çështjet e statusit, sepse kjo nuk ishte në mandatin e tij.
Ndërkohë që përmes një komunikate njoftohet se presidenti Ibrahim Rugova, i cili vazhdon të ushtrojë postin e kryetarit nën përkujdesje mjekësore, në takimin që zhvilloi sot me përfaqësuesin e OKB-së, ka shprehur besimin e tij se vlerësimi i përparimit në standarde do të pozitiv, sikurse edhe vlerësimi i gjendjes së përgjithshme në Kosovë.
Kurse kryeministri Bajram Kosumi, tha se nuk dëshiron të imponojë asgjë, përveç se pret nga Eide një raport që do të paraqesë gjendjen reale në Kosovë me të mirat dhe dobësitë e saj:
“Unë e kam lutur që raporti i ambasadorit të jetë realist, objektiv dhe i pavarur. Nuk dëshirojmë të krijojmë një fotografi joreale, të bukur për Kosovën, dëshirojmë të krijojmë një fotografi reale dhe duke qenë reale, ne mendojmë se është një fotografi e mirë. Ne besojmë në këtë proces, populli i Kosovës beson në këtë proces, ne punojmë shumë ta shtyjmë përpara këtë proces dhe kjo është fotografia reale dhe e mirë, e cila besoj se do të reflektohet edhe në raportin e ambasadorit Eide”, tha Kosumi.
Ambasadori Eide në anën tjetër kërkoi më shumë angazhime të qeverisë në çështjen e decentralizimit, kthimit të personave të zhvendosur, çështjet pronësore dhe ato të trashëgimisë kulturore.
Pas Prishtinës, Eide tha se do të udhëtojë për në Beograd, ku gjatë dy ditëve në vijim do të bisedojë me zyrtarët e atjeshëm. Më pas ai tha se do të vazhdojë për në Bruksel, ku do të takojë zyrtarët e BE-së, më pas përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit dhe krejt në fund do të bisedojë dhe me Kofi Ananin, kur do ta hartojë raportin përfundimtar lidhur me standardet në Kosovë.


XS
SM
MD
LG